Po ikën truri. Kush po mbetet?

Postuar në 23 Qershor, 2020 18:27

20% e njerëzve në Ballkanin Perëndinor janë të shqetësuar për ikjen e trurit. Lajmi në shqip i referohet të dhënave të Eurobarometrit dhe ilustron një dukuri të përgjithshme në rajonin tonë. 

Për Shqipërinë këto vite më i godituri ngjan të jetë sektori i shëndetësisë, ndërkohë që shkencat e aplikuara si inxhinieritë kanë rrudhur fushën e zbatimit në treg te ndërtimi apo mirëmbajtja. 

Për vende si tonat ka vlerë të shtrohet për diskutim nëse largimi është plagë apo jo? Kjo pyetje lidhet me modelin tonë ekonomik, pasi investimi në arsim nuk duhet parë më për hir te arsimimit apo diplomës. Ai ka vlera praktike. Madje sidomos vlera praktike. 

Në këtë kuptim, në vende si tonat ku tregu përcaktohet nga aktorët politikë, ku ekonomia sundohet prej tyre, ku konkurenca thuajse nuk ka vlerë reale pasi kompanitë kryesore mbahen me kontrata publike, ku modeli konsiston te shërbimi, legjislacioni te kopjimi dhe infrastruktura projektohet me asistencë të huaj, çfarë i mbetet të bëjë një njeriu të kualifikuar? Një fizikani, një kimisti, një inxhinieri apo edhe një agronomi në fund të fundit? I mbetet të ikë sepse askush nuk ka nevojë për kualifikimin e tij. 

Ne dëgjojmë prej vitesh për projekte lokale, për rritje kapacitetesh, për afrim legjislacioni, tani po dëgjojmë për Shqipërinë e Vërtetë që punon  e përparon dhe këtë ja tregon vetëm Edi Ramës apo Blendi Klosit. Por shohim se njerëzit ikin, se Shqipëria nuk është alternativë as për njerëzit e vet.

Është e çuditshme sesi në këto kushte edhe opozita pretendon thithjen e njerëzve nga Diaspora kur ajo nuk përfaqëson asgjë më shumë se anën tjetër të tenderave? 
Trurin e tërheq tregu jo atdheu që ka rënë në dorë të hajdutëve. Ndaj të mos bëjmë sikur po vajtohet për ikjen që është shndërruar në dëshirë për shumëkënd. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.