Pushteti rekruton një kryenegociator për të mirën e Shqipërisë

Postuar në 18 Qershor, 2020 13:23

Sot kryeministri Edi Rama ka prezantuar kryenegociatorin e Shqipërisë për Integrimin. Ai është Zef Mazi, diplomat me karrierë edhe në arenën ndërkombëtare. Gjatë fjalës prezantuese, z. Rama ka ditur ta miklojë jo vetëm mikun e tij të ri, por edhe veten kur ka zbuluar se zgjedhja e bërë është shumë e mençur.

E kam në krahun tim të majtë në tavolinë, por ai i qëndron diplomacisë as majtas e djathtas, por interesa e të kombit. Është më shumë se një diplomat, falë kontributit në agjencisë e teknologjisë bërthamore dhe formulimin e politikave afatgjata për një botë të sigurt, hyn në rrethin e atyre njerëzve që Shqipëria i ka dhe jo pak në botën e sotme dhe në një farë mënyrë përfaqëson të dyja anët e medaljes së 30 viteve të fundit. Është një ndeshje që nuk dihet se sa kohë do zgjasë integrimi ne BE. Një individ që duhet të ketë preferencën e të gjitha palëve dhe ky është një proces ku palët nuk duhet të mjaftohen me shprehen për integrimin në BE por të gjejnë forca për të bashkëpunuar përtej konflikteve politike që prodhon dita

tha Rama.

Vetë z. Mazi, një njeri që shfaqet e rishfaqet duke u vetëpërkëdhelur me aureolë në mediat shqiptare e ka cilësuar nder të përfaqësojë Shqipërinë.

…Vij në këtë post, i nderuar, pas shumë vite punë jashtë shtetit. Ky emërim dhe ky post ka rëndësi shumë të veçantë, sepse do punoj për vendin tim dhe për shtetin tim. Kaq shumë rëndësi që ekipi të funksionojë në mënyrë harmomike. Kjo është garë e gjatë, por qëllimi është i njëjtë për të gjithë shqiptarët. Unë do flas me të gjithë faktorët politikë në vend, sepse integrimi ka nevojë për partitë, për zërat e shoqërisë civile. Po punohet për Akademi për Integrimin në vendin tonë. Ekipi i kryenegociatorit do të ketë 3-4 persona. Vakancat do të bëhen publike që t’i jepet mundësia çdokujt që mendon se ka aftësi të aplikojë. Do kemi mundësi që të zgjedhim më të kualifikuarit

tha ai.

Zoti Mazi pranon kështu një ofertë nga qeveria më e korruptuar në Europë dhe shpall se e bën këtë në emër të interesit të vendit. Në emër të interesit tonë. T’i lëmë mënjanë kritikat e tij publike për vendime të kësaj qeverie, pasi fjalët e merr era. Por të shohim sesi pushteti në këtë vend arrin të vendosë pranë vetes njerëz që përndryshe janë parë se kanë ruajtur një distancë sigurie nga pisllëku I tij. Më shumë sesa shërbim për vendin, kjo e sotmja ngjan si një lloj rekrutimi, manipulimi që po i hidhet njerëzve në formën e një demagogjie dylekëshe.

A mund të jetë nder të përfaqësosh Shqipërinë e sotme pa tentuar ta ndryshosh atë? A mund të jetë nder për këtë zotëri që të përfaqësojë një vend që zë rekordet kryesore në raportet ndërkombëtare për krimin dhe korrupsionin? A nuk do të ishte nder më i madh angazhimi për ta ndryshuar këtë gjendje?

Ndoshta këto janë pyetje retorike, sepse secili bën hesapin e vet. Sepse hesapi nuk duhet neglizhuar për rëndësinë që ka. Në fund të fundit kështu nisi edhe ky shtet nga hesapi i disa njerëzve që pasi shërbyen dhe komanduan në postet e një perandorie duke shtypur popuj, menduan kur ajo po vdiste t’i gjenin një punë vetes. Dhe ia gjetën duke krijuar një shtet të cilin e postuluan çuditërisht në antagonizëm me atë perandori të cilës i shërbyen me aq zell dhe të cilës për asnjë çast nuk ja refuzuan as rrogën dhe as pensionin. Puna mbetet punë.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.