Ndërron jetë Moikom Zeqo

Postuar në 15 Qershor, 2020 09:44

Është ndarë sot nga jeta në moshën 71 vjeçare Moikom Zeqo. Ai lindi në Durrës dhe rridhte nga një familje libohovite. U diplomua në Universitetin e Tiranës më 1971 në degën gjuhë-letërsi. Karriera e tij profesionale përfshin gazetarinë, mësuesinë për të kaluar mandej në sektorin e artit antik në Akademinë e Shkencave në Tiranë. 

Një autor shumë pjellor dhe i pranishëm shpesh në media, Zeqo ka shkruar 62 libra të temave dhe në fusha të ndryshme.

Në publicistikën e tij mund të dallohet rrahja me entuziazëm dhe një lloj venerimi i temave të Rilindjes Kombëtare, e lidhjeve kulturore me arbëreshët dhe përpjekja për të hulumtuar një lloj metafizike apo mistike të kulturës dhe historisë shqiptare. Një lloj romantiku, Zeqo është ndër të paktët zëra në botën shqiptare që pavarësisht se kishte përvojë dhe karrierë akademike, përftoi liri interpretative në analizën e së shkuarës sonë, duke u përqendruar te shpirtërorja. Në këtë sens, pra i një lloj rimishërimi, duhet parë edhe gati adhurimi i tij për De Radën. 

Zeqo do të mbahet mend për brezin tonë edhe për aktivizimin politik. Ai ishte nga të paktët zëra shpresëdhënës në vitet ’90 brenda 
Partisë Socialiste, e reformuar nga njerëz si Agolli, Pëllumbi dhe Zeqo, të fundmit ndoshta të antidogmatizmit dhe konformizmit steril që i dhanë shtysë pozitive shqisave pragmatiste brenda të majtës që pranoi të ndryshonte kurs. 

Patjetër që do të mungojë qoftë edhe për entuziazmin me të cilën kërkonte të ndante çdo kënaqësi nga zbulimet personale të së bukurës në letërsinë dhe historinë e përbashkët. 

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

Nje euridit, historian i mire per kohen e mesjetes, letrar i jashtzakonshem. Por edhe nje historian i dobet i antikitetit dhe karrierist i cdo lloj kohe dhe sistemi.

Submitted by Plaku Xhuxhumaku (not verified) on

Noni, i thone "erudit" jo "euridit".

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.