Promemorie për popullin josocialist: Ne të majtët do votojmë prapë partinë tonë

Postuar në 13 Qershor, 2020 18:06

Dritan Hila, opinionist ndoshta i majtë, publikonte sot nje opinion përmes të cilit konfirmonte për pakicën e shqiptarëve, që janë jo të majtë ndoshta, se uniteti i socialistëve është ai që ka qenë.

Sa i takon atyre që ofshajnë se Rilindja nuk përfaqëson socialistët e vërtetë, është thjesht muhabet kafeneje dhe fejsbuku. Janë si ofshamat e komunistëve që në ’91-shin dhe ’92-shin votonin PS-në, megjithëse ajo nuk kishte asgjë të përbashkët me partinë ku kishin aderuar me grushtin lart, e votonin dhe votojnë në rresht.
 

Ndaj kush beson se pakënaqësitë brenda të majtëve do të jenë një faktor që do të rrëzojë Ramën nga pushteti, e rren mendja. Të majtët e dinë që në bregun tjetër nuk i pret kush, por kanë nxjerrë lugët nga brezi për t’iu zënë vendet e punës. Këtë radhë janë të qartë. Nuk do të përsërisin gabimin e 2005-ës. Pavarësisht pakënaqësive, e djathta për të ardhur në pushtet duhet të kërkojë vota diku tjetër. Pasi majtas është tokë e xanun

Zoti Hila flet me një gjuhë që duket si i deleguar i të majtëve, ose sikur ka bërë ndonjë sondazh që e garanton për këto përfundime kategorike. Ta lëmë mënjanë ndarjen fiktive “i majtë-i djathtë”, pasi më shumë meriton vëmendje pohimi se pakënaqësia nuk çon në vota për të djathtën. Kjo është një anë e së vërtetës, pasi pakënaqësia e shumëkujt nuk po çon vota tek ajo e djathtë që ka në mendje Hila, pasi ajo është ulur në prehërin e PS-së. Dhe po pret bashkëqeverisjen. Ana tjetër është se pakënaqësia e socialistëve nuk shndërrohet në rrjedhje votash për asnjë parti tjetër, pasi vota për siglën te ky rast është patologji jo bindje. Vetëm nga ajo parti mund të dëgjosh marrëzi të rrezikshme të tipit “rrimë pa bukë vetëm mos u ndani”, pasi logjika të udhëzon ndryshe. 

Ne këtu kemi të bëjmë me refleks të edukimit politik të kohës së Enver Hoxhës dhe jo me rregullimin e përfaqësimit të të majtëve në qeverinë e miliarderëve që paska mesa duket si forcë imunitare budallallëkun këmbëngulës të një elektorati pa tru. Sepse kjo rreshtore vullnetare nuk i përgjigjet asnjë interesi përveç atij të lidershipit socialist dhe është aktualisht krahas pamundësisë së krijimit të një force të besueshme, një nga dy sëmundjet terminale të shoqërisë sonë.

Kujtesa e Hilës është në thelb fare e kotë, në mos një përpjekje inatçore për të qëndruar të bashkuar, për të na kujtuar kush është shumicë, pra për të na vënë edhe njëherë në dukje shkakun se pse Shqipëria ka këtë duhmë që nuk i shqitet.

Comments

Submitted by Allegro ma non ... (not verified) on

"Ne këtu kemi të bëjmë me refleks të edukimit politik të kohës së Enver Hoxhës dhe jo me rregullimin e përfaqësimit të të majtëve në qeverinë e miliarderëve që paska mesa duket si forcë imunitare budallallëkun këmbëngulës të një elektorati pa tru."
Konstatim plotesisht i drejte. Eshte fjala per nje turme te gjere individesh konservatore, te mykur ideologjikisht qe as nuk e dallojne as nuk e pranojne ndryshimin. Nostalgjike te pandreqshem qe gjetke i percmojne me llagapin "Ewiggestrige" apo "die-hard".

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.