Jetojnë të dy në vila, por rrëfejnë dy Shqipëri të ndryshme

Postuar në 10 Qershor, 2020 14:46

Fushata elektorale ka nisur. Dhe është tërësisht skematike. Kryeministri që nuk dihet nëse do apo jo një mandat të tretë, apo do një mandate të parë bashkëqeverisjeje, flet për miliarda euro invetime, për projekteve të mëdha, rimëkëmbje dhe rindërtim, ndërkohë që kullat e miqve të tij dhe resortet e të njëjtëve në bregdet lulëzojnë si shprehje e një luksi parazitar. Edi Rama ka nisur fushatën në emër dhe për mirëqënien apo zhvillimin që ka imagjinuar gjatë këtyre viteve.

Qeverisja e z. Rama ilustrohet më së miri te sjellja e tij publike, sado që kulisat janë pjesë karakteriale e tij si njeri që ushqehet me frikën. Shpjegimi i iluzioneve që ai manifeston mund të gjendet te veshjet. Në fund ne jemi ajo që veshim, ngjan si filozofi e z. Rama, ky i majtë që preferon luksin.  I cili çuditërisht së fundmi po premton ulje dhe madje zerim taksash, amnisti dhe legalizim kanabisi. Gjithçka që mund të mendohet se e bën të duket më i mirë në sytë e njerëzisë.

Zoti Basha nga ana tjetër po del dyqan më dyqan, në furra buke ku filmohet duke folur me shitësit dhe punonjësit. U flet për varfërinë dhe u premton, pasi i dëgjon hallet e tyre. Patjetër që do ulë taksat, patjetër që jeta me të kryeministër do jetë më e mirë. Prania e tij aty duket sikur do ta ilustrojë këtë të ardhme të sigurtë për shqiptarët.

Sa herë e kemi parë ndër vite këtë skenë? Sa herë kemi dëgjuar brenda së njëjtës ditë dy Shqipëri të na tregohen nga ata që aktrojnë si të shqetësuar për hallet e njerëzisë? Dhe të dy banojnë në vila që nuk i justifikojnë dot me paratë e deklaruara.

Fushatat po dështojnë tashmë jo vetëm për shkak të gënjeshtrave, por sepse ato janë teknikisht provë e një gënjeshtre ta pacipë. Do të ishte më e sinqertë që një drejtues politik të flasë me biznesmenë që punësojnë, me të cilët mbyll kontrata dhe merr financime, sesa me njerëz të zakonshëm që u duhet të mbijetojnë në këtë vend, pavarësisht se kush qeveris.

Zoti Basha, Meta, Rama dhe gjitha elita politike nuk nuk kanë lidhje dhe as përfaqësojnë gjë, madje as që duan të kenë të bëjnë me Shqipërinë e zakonshme. Ndaj as që e përfaqësojnë. Më shumë atë e përfaqëson Taulant Balla, Tom Doshi, apo ndonjë deputet tjetër që i duhet të dëgjojë lloj - lloj hallesh nga njerëzit në zonën e vet.

Takimet me kaseta janë nga një pikëpamje më origjinale sesa kamerat e medias, sepse në fakt politika e Tiranës nuk do, nuk di dhe as mundohet të përcjellë një mesazh të sinqertë te njerëzit. Të cilët nuk i dëgjon, por i tubon, ose u zë derën. Ndaj ajo e paketon mesazhin e vet për një rezonim më të gjerë pa u kujdesur që në kasetat e shpërndara të dëgjohet biseda. Sepse ajo ose nuk ekziston, ose është e reduktuar në pyetje të porositura.

Kampioni i kësaj hipokrizie patjetër që është kryebashkiaku i Tiranës, por te z. Basha kjo merr pamjen më komike për nga mënyra e inskenimit. Zoti Basha të jep përshtypjen e një avokati me rrogë shumë të mirë që e kalon kohën nga salla e gjyqit, në zyrë dhe në takime me përfaqësues korporatash, i cili befas kujtohet se një ditë në jetën e tij duhet t’i blejë vetë domatet. Dhe në takimin e tij me shitësin ke mundësinë të kapësh dy botë që komunikojnë për nevoja elementare. Fushata e tij në terren, në mënyrën sesi e këshillojnë, është nga gjëra më ta panatyrshme që mund të të kapë syri, më e panatyrshme edhe sesa shqetësimi i Dritan Lelit apo Fate Velajt për problemet e Vlorës.

Ndaj para se z. Basha të flasë me shqetësim për çmimin e patates, duhet të shfaqë diçka njerëzore, reale nga jeta e tij.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.