Konsensus për të ardhmen e fëmijëve tanë(të tyre)

Postuar në 09 Qershor, 2020 12:35

Kryeministri Edi Rama ka folur sot në një takim të atij që quhet Këshilli i Integrimit ku ndër të tjera ka dhënë edhe shoën e buzëqeshejve të ndërsjella me Presidentin. Një teatër bajat që kemi 30 vjet që e shohim. Ndër të tjera zotëria – që pas lënies së mjekrës ka nisur të mençurojë dukjen dhe qëndrimet – është kujdesur të flasë edhe për të ardhmen e fëmijëve tanë, term, kuptimi i të cilit duhet sqaruar:

…besoj se një gjë mund të thuhet pa asnjë ngurrim dhe bindje, që kur e shohim procesin me vështrimin përpara jemi ende larg objektivit, anëtarësimit të plotë në BE. Por kur kthejmë kokën pas, shikojmë se jemi më afër se një vit më parë, apo 5 apo lëre 11 vite më parë. Ky proces ne na duhet si drita dhe uji njeriut për të bërë Shqipërinë një vend, shtet me standardet e BE-së.

Nuk na e kërkon e gjithë bota bashkë, por e kërkon e ardhmja e fëmijëve tanë. Dhe nuk diskutohet që në thelbin e vet është proces shtetformimi për ngritjen e institucioneve dhe parimeve të BE-së. Kemi një sërë sfidash të gjithëhershme dhe një serë reformash që janë në proces, duke filluar nga reforma e reformave, që është ajo në drejtësi, që bëhet fjalë për një operacion kompleks me komplikacionet e veta, por është e qartë se gjithcka që bëjmë në këtë proces, përbën një hap më përpara për përfundimin e tij me sukses me një sistem drejtësie të pavarur dhe profesional, që garanton barazinë e të gjithëve para ligjit.

Me presidentin kemi çështje të hapura, por patjetër që mund të takoheshim te presidenti, kryetari i kuvendit, kryemyftiu i Tiranës, Baba Mondi, kreu i komunitetit Katolik, apo protestantët. Nuk mund të bëjmë marrëveshje në ambasada. Kjo ishte e fundit. Për çështje që ne na takon t’i zgjidhim vetë nuk mund të bëjmë më sikur nuk jemi të njëjtët për t’i zgjidhur bashkë. Nëse ky quhet Këshilli Kombëtar i Integrimit, këtu duhet të ishte edhe opozita e sotme, pasi është alternativa dhe qeveria e nesërme

ka thënë ndër të tjera Edi Rama.

Fjalët i ka përherë të mira kryeministri. Dhe këtë nuk duhet Plaku Merre që sa vjen dhe i ngjan, për ta kuptuar. Pasi fjalët e bukura dhje të kurdisura për manipulim janë prodhim industrial i një “mendjeje artisti” siç edhe duket ta ketë kryeministri ynë.  Të paktën si artist e përshkruajnë gazetat ku blidhen dhe shiten artikuj me nam.

Ai po bën sot apel për konsensus dhe mirëkuptim. Është e njëjta nevojë që kishte paraardhësi I tij kur pasi bashkë me njerëz si ky Edi Rama, zhvati Shqipërinë dhe ia dha atë miqve që kishte apo që bëri rrugës, dikur foli për Borgjezinë e re Shqiptare.

Kjo borgjezi në fakt janë këta vet: Sali Berisha, Edi Rama, Ilir Meta, Luzlim Basha, pas të cilëve është lista e klientëve të përhershëm që konsiston në më pak se 10 veta. Për të ardhmen e fëmijëve të tyre po bën thirrje kryeministri, për të ardhmen e pasurisë së zhvatur me letra dhe banda, me polici dhe me privatizime, me lekë në dorë dhe hu pas qafe. Për legalizimin e këtij procesi e ka fjalën ky zotëri nëse dikush ngatërron veten dhe mendon se e ka për fëmijët e shqiptarëve. Është fjala për konsensus për të ardhmen e tyre, kolaudimin e saj, arritjen e një pakti që do ta shpallin si një Erë e Re në politikën shqiptare.

E ardhmja e fëmijëve tanë? Ajo varet nga reagimi ynë, që mund të jetë akivizim politik me qëllim prangosjen e kësaj skote që e çoi në theqafje këtë vend, ose valixhet dhe mirupafshim! Kush sheh bnjë mënyrë për të bashkëjetuar me këtë normalitet banditesk të imponuar, është mirë ta artikulojë publikisht që ta kuptojmë të gjithë, sepse ndoshta jemi keqkuptuar.

s.zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.