Për Ballkanin mjafton ideja e demokracisë

Postuar në 05 Qershor, 2020 14:12

Loja me demokraci e delegacionit të Bashkimit Europian po përsëritet në Serbi me të njëjtin regjistër retorik. Opozita serbe ka lënë të kuptohet për bojkotim të zgjedhjeve, por Aleksander Vuçiç ka thirrur në ndihmë Europën dhe standardet e saj. Kreu i delegacionit të BE-së në Serbi, Sam Fabrizi ka deklaruar se bojkoti i zgjedhjeve nuk është një ide e mirë.

Zgjedhjet janë një test i rëndësishëm për demokracinë dhe politikanët duhet të prezantojnë platformat e tyre dhe të diskutojnë vizionet për të ardhmen

tha ai gjatë një konference të përbashkët për shtyp me kryeministren Ana Brnabic.

Njësoj si në Shqipëri, BE-ja është investuar në atë që e quan lehtësim i dialogut parlamentar mes palëve, ku mesa duket opozita nuk beson më të zgjedhjet formale. Me mbështetejen e Perëndimit, në emër të stabilitetit, premtimin e fondeve dhe hapjen e negociatave, qeveri me progfil regjimi si ato të Aleksander Vuçiç në Serbi dhe Edi Ramës apo Gjukanoviçit në Mal të Zi, ngjajnë të pasfidueshme. Padashur Bashkimi Europian dhe SHBA kanë lejuar të kthehen në faktorë të perceptimit elektoral duke dëmtuar koherencën e një procesi jetik siç janë zgjedhjet me ekspozimin e qëllimshëm pro njërit grupim.

Kaq flagrante është një qasje e tillë që po humbet lidhjet me realitetin, saqë edhe në lëmin e sigurisë vihet re i njëjti interpretim fals që rreket të krijojë relacione të paqena mes stabilitetit dhe demokracisë së vendeve në rajon.

Ky rajon ka arritur shumë në vitet e fundit, por ne jemi të vetëdijshëm për sfidat që mbeten, përfshirë krimin e organizuar, papunësinë, aktivitetet ekonomike ilegale dhe rreziqet e lidhura em retorikën e dëmshme që nënvizojnë dallimet etnike

citohet të jetë shprehur së fundmi, sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Stoltenberg.

Nuk është e qartë se çfarë ka arritur rajoni së fundmi, pasi çdo lëvizje ka ardhur nën presion. Marrëveshja e Prespës për emrin e Maqedonisë së Veriut, ishte produkt i një operacioni kompleks që nisi me përgjimet kundër qeverisë Gruevski, rrëzimin e saj me mjete ilegjitime politike dhe mandej me presimin e Zoran Zaev në firmosjen e një dokumenti që nuk do të ishte pranuar në asnjë rrethanë tjetër.

Presioni mbi Kosovën për një marrëveshje me Serbinë ka helmuar besimin e shqiptarëve te Perëndimi që përherë e më shumë bazohet te politikanë të korruptuar, ose që perceptohen si të tillë, si Hashim Thaçi apo Edi Rama dhe që mbyll sytë para një puçi të vërtetë në Parlamentin e Kosovës.

Mund të sillen argumente pafund për aspektin procedurial, por politika nuk është procedurë. As besimi nuk është produkt procedure dhe është ironike të shohësh sesi në thuajse të gjitha dokumentet që qarkullojnë nga qendra studimore për Ballkanin, kjo rënie e besimit te Perëndimi lidhet me propagandën ruse. Ndërkohë që ne kemi sy të shohim se Europa dhe SHBA po na thonë qartë se kanë zgjedhur të korruptuarit për të mbajtur status quonë në Ballkan duke ndjekur me cinizëm një qasje si kjo e mosbojkotimit të zgjedhjeve. Një demokraci formale mjafton për Ballkanin.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.