Vendimi i Kushtetutës duhet të respektohet, por edhe të kritikohet

Postuar në 01 Qershor, 2020 14:13
Augustin Palokaj

 

Kosovarët janë mësuar të jetojnë në optimizëm dhe në iluzione. Disa pritje u janë realizuar. Kosovën e çliruan luftëtarët e saj dhe NATO-ja. Kosova u shpall edhe e pavarur si shtet dhe u njoh nga shtetet kryesore të botës. Por se Kosova do të zhvillohet, do të jetë shtet funksional, do të ketë nivel të ulët të korrupsionit dhe krimit të organizuar, se njerëzit do të duan të jetojnë në të e jo të largohen, u dëshmuan të kenë qenë iluzione. Iluzione u dëshmuan të kenë qenë edhe pritjet se do të liberalizohen vizat, sepse nuk u liberalizuan.

Iluzione kanë pasur kosovarët edhe kur kanë besuar se në zgjedhjet e fundit kanë votuar për ndryshime. Sepse nuk mund të quhet votë për ndryshime nëse aq shumë vota kanë marrë LDK e pandryshuar, PDK dhe parti të tjera që kanë qenë në pushtet. Është naive të fajësohet LDK-ja për tradhti. Sepse ka qenë iluzion të besohet se ajo parti është për ndryshime nëse brenda vetes nuk është ndryshuar. Ai që mashtron një herë ka faj. Ai që mashtron dy herë ka faj edhe mashtruesi, edhe i mashtruari. E kur mashtron të tretën herë nuk ka më faj mashtruesi, por i mashtruari. Prandaj nëse Isa Mustafa na i paska mashtruar prapë votuesit, kanë faj vetë votuesit.

Isa Mustafa, si lider i partisë, është fenomen. Ai për të dytën herë po e merr postin e kryetarit të Qeverisë për partinë e tij pa i fituar zgjedhjet. Sa mjeshtër është dëshmon edhe porosia e tij se si kjo do të jetë “edhe një sakrificë e LDK-së”. Pas më pak se një vit edhe presidenti Thaçi do të bëjë një “sakrificë” tjetër dhe do të rizgjidhet president, nëse nuk bën ndonjë akrobacion tjetër për ndonjë post tjetër udhëheqës në Kosovë. Ai ka paralajmëruar se do të largohet pas mandatit, por do të sakrifikohet edhe ai. Sepse nuk mund ta lërë Kosovën duke vuajtur.

Kosovarët patën edhe një iluzion. Atë se Gjykata Kushtetuese e Kosovës është e pavarur. Në një shtet ku asgjë nuk është e pavarur, as vetë shteti nuk ka pavarësi të plotë, dhe as që e do, sepse gjithmonë kërkon ndërhyrje nga jashtë, madje edhe për të gjykuar, kur ka mospajtime të brendshme. Në një vend ku asnjë gjykatë nuk është e pavarur, pa ndikime politike, pse të jetë e pavarur Gjykata Kushtetuese. Në një vend ku me kritere politike emërohen gjykatësit, edhe ata të Kushtetutës, edhe ata të gjykatave të tjera, ku nuk është pengesë që gjykatësi të ketë qenë edhe i dënuar vetë (siç kishte shkruar kolegu Enver Robelli një gjykatës në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës ishte i dënuar për vepra penale), është iluzion që të besohet në pavarësinë e plotë të gjykatave. Pikërisht mungesa e pavarësisë dhe e profesionalizmit të gjykatave, e besa edhe e Prokurorisë, është një prej arsyeve që e ka lënë Kosovën pa liberalizim vizash. Sepse si mund të ketë rezultat në luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në nivel të lartë kur pikërisht ai “niveli i lartë” ka vendosur dhe vendos edhe për emërimin e gjykatësve dhe të prokurorëve.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës duhet të respektohet. Sepse Kosova nuk e ka luksin që të përshkallëzojë krizën politike në një shtet të dështuar dhe anarki.

Por secili ka të drejtë ta kritikojë Gjykatën Kushtetuese dhe mendimin e saj. Kësaj radhe duket se ka pasur qasjen që të ketë vendosur apriori se cili do të jetë vendimi e pastaj ka kërkuar argumente për të justifikuar atë vendim. Nuk e ka marrë vendimin në bazë të argumenteve, por ka kërkuar argumente për ta arsyetuar vendimin.

As vendimet nga e kaluara të Gjykatës Kushtetuese nuk kanë qenë të pavarura, edhe pse janë kuptuar si të tilla. Më së shpeshti për ta mbrojtur këtë gjykatë përdoren rastet e rrëzimit të Begjet Pacollit nga posti i presidentit, po ashtu detyrimi për dorëheqje të presidentit Fatmir Sejdiu, dhe mendimi se Marrëveshja për krijimin e Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me shumicë Serbe nuk ishte në përputhje me Kushtetutën.

Të gjitha këto vendime ishin politikisht oportune. Vetë ata të cilët ia siguruan votat Pacollit, duke dashur t’ia dëshmonin se po e mbanin premtimin që ia patën dhënë, kishin folur nëpër Bruksel se si ai ishte “njeri i Rusisë!” dhe se “nuk e duan amerikanët”. Por kjo e fundit nuk ishte ashtu në atë kohë. Mbetet e paharruar afera e sms-ve të Pacollit me ambasadorin e atëhershëm amerikan Dell, ku shkruante “Fatmir and Jakub will be afraid” (Fatmiri dhe Jakupi do të frikësohen) kur ai e inkurajonte Pacollin të qëndronte si kandidat, duke besuar se nga frika Fatmir Limaj dhe Jakup Krasniqi do të ndryshonin mendjen dhe do të votonin për Pacollin.

Presidenti Fatmir Sejdiu, si jurist i shquar, vështirë se do të bënte gabim aq të rëndë që të shkelë Kushtetutën, por edhe atij i doli kështu. Dha dorëheqje, sepse Gjykata Kushtetuese dha mendimin se e kishte shkelur Kushtetutën.

Edhe në rastin e pengimit të zbatimit të pjesës kryesore të marrëveshjes së dëmshme të Brukselit ishte një veprim që i dha arsye Kosovës që të mos e zbatonte atë pjesë të marrëveshjes.

Mendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese nuk do ta zgjidhë krizën politike. Gjykatave nuk duhet lënë rolin e diktimit të zhvillimeve politike. Konstatimi se presidenti nuk e ka shkelur Kushtetutën duke ia dhënë mandatin Avdullah Hotit për të krijuar Qeverinë, nuk do të thotë se krijimi i një qeverie të tillë është një gjë e mirë. Kosova duhet të shkojë në zgjedhje në mënyrë që të marrin të gjithë një përgjigje: kë e do populli. Gjykata Kushtetuese nuk e ka ndaluar zhvillimin e zgjedhjeve të hershme si opsion për dalje nga kriza. Dhe nuk është as roli i saj. Përderisa të mos ketë zgjedhje, Kosova do të ketë një qeveri së cilës do t’i mungojë besimi i një pjese të madhe të qytetarëve e besa edhe të një pjese të madhe të bashkësisë ndërkombëtare. Sepse edhe jashtë Kosovës kishte iluzion se kosovarët kanë votuar për ndryshime dhe se Kosova po bëhet madje edhe shembull në rajon se si ndryshimet janë të mundshme. Por edhe ky ishte një iluzion. Ata e dinë se në Kosovë në pushtet do të jenë Isa Mustafa, Hashim Thaçi, Ramush Haradinaj, Kadri Veseli, Fatmir Limaj, Begjet Pacolli, pa marrë parasysh se cilët do të jenë emrat e anëtarëve të Qeverisë. E këtë nuk e kuptojnë si ndryshim e as nuk pajtohen se gjithçka e keqe Kosovës i ka ndodhur në katër muajt e fundit e gjithçka e mirë gjatë periudhës njëzetvjeçare, deri tek krijimi i Qeverisë që u rrëzua.

Sikur të mos ishte vendimi i vitit 2014 se Ramush Haradinaj nuk mund të jetë mandatar për kryeministër, edhe pse i kishte siguruar shumicën e votave në Parlament, ishte një vendim kundër parimeve të demokracisë parlamentare. Por kështu vendosi Gjykata Kushtetuese atëherë. Sikur të mos ishte ai vendim, ky vendim i fundit do të kuptohej dhe perceptohej më lehtë si vendim i paanshëm.

Gjykatat kushtetuese nuk janë gjykata klasike. Ato nuk shpallin dënime dhe nuk sanksionojnë. Por pasi janë autoriteti më i lartë i interpretimit të Kushtetutës, vendimet e këtyre gjykatave duhet të respektohen. Por mund të kritikohet, sepse edhe ato gabojnë. Paramendojeni sikur Qeveria gjermane ta respektonte vendimi e Gjykatës Kushtetuese të Gjermanisë. Do të merrte fund BE-ja.

Gjykata Kushtetuese e Gjermanisë ka vendosur se vendimet e Bankës Qendrore Evropiane dhe të Gjykatës Evropiane të Drejtësisë nuk janë në përputhje me Kushtetutën e Gjermanisë. Ky vendim ishte shokues dhe këtu Gjykata nga Karlsruhe doli jashtë kompetencave të saj, madje edhe të Gjermanisë. Ligjet e BE-së dhe vendimet e Gjykatës Evropiane janë mbi ligjet nacionale. Prandaj Gjermania ka gjasa të paditet nga Komisioni Evropian për shkelje të rregullave të BE-së. Tash Gjermania duhet të gjejë një zgjidhje politike për këtë lëmsh juridik që ka krijuar Gjykata e saj kushtetuese. Nuk mund t’i lejohet asnjë shteti, qoftë ai shtet edhe Gjermania, që të ketë mundësi të mos i respektojë vendimet e Gjykatës së BE-së.

Shembulli i Gjermanisë është vetëm një shembull sesi edhe gjykatat kushtetuese mund të krijojnë nganjëherë më shumë probleme sesa që mund t’i zgjidhin. Kosova nuk është në hall aq të madh sa Gjermania në aspektin juridik. Por është në krizë politike, të cilën vështirë se do ta zgjidhë krijimi i Qeverisë së re pa zgjedhje. Zgjidhja më e mirë do të ishte një qeveri ekspertësh me mandat të kufizuar, me detyrë të reformimit të sistemit zgjedhor dhe me ndryshimin e Kushtetutës. Por kjo nuk po ndodh, sepse në Kosovë politikanët preferojnë që punët të jenë të paqarta. Sepse kështu e kanë më lehtë të veprojnë sesa në rrethanat kur gjërat janë më të qarta dhe të parashikueshme.

Burimi: Koha Ditore

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

Nwse presidenti nuk pranon nje kryeminister, atehere shkohet drejt zgjedhjeve te reja. Dhe jo drejt formimit te qeverise nga presidenti permjet nje njeriu te caktuar prej tij. Nese ligji nuk e percakton kete qarte, atehere ekziston nje legjislacion xhungel, qe u lejon te gjithve te vendosin!

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.