E kemi më të madhin dhe më bukurin në rajon

Postuar në 27 Maj, 2020 14:20

Në ultësirën perëndimore ku do të ndërtohet ky impiant kjo shkon në 2700 orë. Çdo ha tokë aty mund të gjenerojë çerek milionë euro në vit duke u shfrytëzuar për prodhim energjie. Ky park në përmasë është sot më i madhi në rajon, por nga ana tjetër dua të shtoj se për ne nuk është fundi por fillimi i një procesi ku presim rritjen e këtyre kapaciteteve. Është një ogur fantastik që e fillojmë me një aktor që pa asnjë hije dyshimi është një prestigj dhe me aftësi botërisht të njohur duke i dhënë kështu kësaj pjese të sistemit një besueshmëri të lartë

Këto ka deklaruar sot kryeministri Edi Rama gjatë asaj që quhet si finalizimi i ankandit ndërkombëtar për parkun fotovoltaik të Karavastasë. Ai e ka cilësuar këtë një “faqe të re” këtë investim  që i shtohet marketingut të Shqipërisë që duam(n). Ta veçojmë pjesën “më i madhi në rajon” nga ky paragraf i fjalës së z. Rama për t’u përpjekur të kuptojmë se çfarë vlere i shton ky cilësim absolutizues parkut. Nëse kemi një investim 100 milionë euro apo dollarë dhe kemi një burim të ri energjie, kjo është një gjë e mirë si fillim. Pyetja është e thjeshtë: na duhet vallë të jetë më i madhi në rajon, apo do mjaftonte aq sa duhej?

Kjo mesa duket nuk i hyn në sy z. Rama që është mësuar të flasë me miliarda dhe për miliarda dhe sërish jemi në pikën, kur jemi të fundit në rajon. Të fundit edhe për dëshirën për të qëndruar në këtë vend që po projektohet drejt shekullit të 22-të. Zakoni i të vetëshpallurit si më të mirët në rajon është cilësi parësore e rilindasve, që harrojnë se qeverisin përmes zhvatjes një vend karikaturë. Edhe teatri i ri do të jetë më i bukuri në rajon, po ashtu edhe stadiumi është një xhevahir i Ballkanit. Po doemos që sheshi “Skënderbej” është më i veçanti në rajon, pa folur pastaj për punët e Zotit si bregdeti dhe malet, të cilat kur I bëri këtu u ndal posacërisht.

Kë gënjejnë me këtë mënyrë të foluri është e paqartë. Pasi po këta njerëz që po bëjnë veprat më të veçanta në rajon nuk dinë çfarë të thonë për shqiptarët të cilët po i vjedin ditë e natë. Janë vallë më të zgjuarit në rajon? Do të ishte fatkeqe nëse jo, pasi për cilët vallë po bëhen këto ishuj moderniteti dhe arti? Për këtë po bëhet një teatër miliona euro nëse aty do të shkojnë për baret dhe kafenetë?

Natyrisht që këto janë pyetje për gjeneratën tjetër e cila do trashëgojë një qytetërim dhe jo një vend. Qytetërimin e trafikut dhe drogës, të krimit dhe kulturës së vrasjes, të cilit po ia ndërtojnë themelet e referimit qysh tani. Vetëm se është një qytetërim që oksidohet pa marrë ende jetë sepse siç e thotë edhe populli, pordha e madhe gris edhe brekët e reja.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.