Një politikë që i flet vetëm Vetes

Postuar në 23 Maj, 2020 15:18

Me kë e ka ambasadorja amerikane Yuri Kim? Kujt i drejetohet mesazhi i saj për një marrëveshje kundër reformës në drejtësi? Ja një pyetje enigmë që të kujton konkurset e revistës “Horizonti”. Ambasadorja e do shumë popullin shqiptar, xhanëm këtë popull e duan të gjithë të huajt që kalojnë këtej. Por ajo nuk flet me gjuhën e popullit të cilin ndoshta imagjinon edhe se e përfaqëson.  Ajo flet me një gjuhë të koduar që e kuptojnë vetëm 3-4 veta, 50-100 të tjerë e interpretojnë sipas midesë së katërshes së parë dhe pastaj rrjedha e thashethemit shkon deri te fatorinoja i urbanit.

Dhe me këtë gjuhë të kriptuar i përgjigjet asaj politika. Yuri Kim vlerëson lidershipin e Lulzim Bashës. Nuk është titull humorisitik. Është një “lajm politik” që përcjell mesazhe. Kujt? Dhe cilat mesazhe? Ec e gjeje po deshe.

Këtij zbulimi amerikan që injoron befas p.sh paratë ruse të lobimit të Bashës i mbivendoset Lidhja e Gjashtë e Malësisë që promovohet nga presidenti Ilir Meta. Që një herë në dy muaj sillet sikur ta ketë pickuar ndonjë gjë e rend të deklarojë gjithfarë gjërash e të shpallë gatishmërinë për duel me kë të mundet.

Kjo parodi kriminalo-politike merr lustrën nga statuset e kryeministrit Edi Rama, që e ka mbushur komunikimin me citate dhe proverba të urtët e kësaj bote. Që keqpërdoren me malinjitet për të kundërpërgjigje të koduara që nuk i kupton kush veç atyre që janë në këtë ballo me maska.

Dikush mund të ulet e të hulumtojë kuptimin e tyre, të marrë informacione për dreka e për darka, për takime dhe pazare, të shkruajë e zbardhë të vërtetën. Por e vërteta e këtyre nuk i intereson kujt në këtë vend sepse ajo nuk ka të bëjë me interesin tonë, me jetën tonë. Kjo është një klikë politiko-kriminale-diplomatike, e mbyllur në kullën e interesave të vet që komunikone me sinjale të shifruara dhe që I flet vetëm vetes.

Shqipëria dhe qytetarët janë lënë anash, në një botë paralele mjerimi dhe përhumbjeje, fati i së cilës as nuk po vendoset më. Një klasë politike që flet gjuhë të huaj për popullin e vet nuk ka më lidhje organike më të, është e kushtëzuar nga realitete ekonomike dhe afera që pak kanë të bëjnë me rolin e partive dhe institucioneve.

Klasa e tanishme në Shqipëri flet për reforma themelore për shtetin e të drejtës, kur në fakt e ka fjalën për reforma që do të ristabilizojnë një ekuilibër të ri në vend, atë që rrjedh nga shpërndarja me grabitje të pasurisë, për ta legalizuar dhe kontrolluar atë në statusin e shtresës së pasur.

Ironia e të gjithë kësaj situate është se teksa politikanët flasin për reforma të tilla, pasuria e tyre reale kompromenton të gjithë këtë ligjërim, duke lënë për njerëzit e thjeshtë ikjen si të vetmen rrugëdalje.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.