Tirana e xanun

Postuar në 19 Maj, 2020 13:36

E kujt është Tirana? Ja një pyetje që të vjen vetiu ndërmend kur je dëshmitar i ngjarjeve të shformimit dhe riformimit të saj të vazhdueshëm. I kujt është ky qytet, apo gati qytet? Kujt i përket, kujt i flet dhe kë përfaqëson?

Para disa vitesh, aktorja Luiza Xhuvani, e ardhur studente në Tiranë nga Saranda, do të shprehej se Tirana është një qytet që kapitalizon të gjitha aspiratat dhe vlerat e mbarë shqiptarëve. Ironike dhe shumë kurioze të mendosh se ky përkufizim vjen nga një njeri me kombësi joshqiptare(shpresojmë që Marin Mema të mos nisë investigimin për ndonjë komplot) që mesa duket është afeksionuar shumë me një qytet që i dha një jetë profesionale, një skenë kombëtare dhe një mundësi që të shprehej. Ironike edhe më shumë kur mendon sesi Tirana që ajo kaq shumë e vlerësoi vijon të shpërfytyrohet dhe riformësohet po aq dhunshëm sa Saranda e origjinës, që nuk njihet më.

Mund të jesh dakord ose jo me këtë përkufizim. Por për një brez shqiptarësh ndoshta ky qytet që është në tranzicion urbanistik dramatik të tëhuajëzohet sapo nis e të familjarizohet. Rrugët nuk janë më ato, hapësirat jo e jo, sheshi nuk njihet më, bulevardi po ashtu identifikohet nga vija e drejtë e makinave, suvaja historike po krruhet me shpejtësi për të krijuar historinë e re. Të zhvillimit, modernizimit, kalimit në shekullin e 21-të. Kështu na thonë të paktën, na predikojnë ata që duke menduar se po bëjnë histori, në fakt po hyjnë në të si banditë. 

Nuk jemi nostalgjikë, ruajna Zot nga ky mëkat! E drejta e nostalgjisë u takon tironsave, të cilët vetë këta ua grabitën Tiranën e vjetër banorëve vendas, duke i zhytur përdhunshëm në përçmimin e stigmës së prapambetjes dhe ngadalësisë mendore. Por hileja, pabesia dhe dredhia janë kaq flagrante, saqë edhe si i huaj nuk mund të bësh sikur nuk shikon, sikur nuk kupton.

Kështu erdhi ky qytet në kundrimin tonë si brez, i vjedhur dhe grabitur, duke na sugjeruar të shohim vetëm historinë e kohëve të fundit, të rrokim vetëm fasadën e saj si dëshmitarë dhe subjekte të "modernitetit". Ky proces vazhdon ende sot që flasim jo vetëm si prishje, ndërtim, betonizim. Por edhe si riprodhim ligjërimesh mediatike dhe pseudointelektuale nga bijtë e atyre që deri më dje uzurpuan këtë qytet, apo edhe nga shërbyes të devotshëm të “kauzës qytetare”.

Çdo akt prishjeje dhe ndërtimi është në thelb shkëndijë e një konflikti social. Ka për të patur përherë njerëz kundër “modernizimit” – jo çdo gjë e re është moderne – kundër prishjes së të vjetrës, kundër zhbërjes së historisë së tyre personale në fund të fundit. 

Kjo do të ndodhte edhe me Teatrin Kombëtar, i cili shërbeu për ta dalluar më mirë ndarjen. Pushteti dhe kosherja e shërbestarëve të tij nuk diti të mbronte mirë dhe deri në fund domosdoshmërinë e prishjes së godinës, ndaj arriti deri aty sa të kthente prishjen në një kundërkauzë të mbrojtjes së godinës. Thirrje nga më absurdet “Prisheni atë godinë të shëmtuar” nuk mundet të justifikohen veçse si libidoja e zelotëve të pandryshueshëm të këtij vendi që nuk di ta organizojë memorien e vet pikërisht sepse i ka qendrat urbane, tubime artificiale. E tillë është Tirana e 60 viteve të fundit. Një rrugëkalimi nga periferia drejt Qendrës, e cila nën këtë presion demografik është shndërruar në Qendër e Periferisë. Të gjithë sjellin historinë e tyre, por vetë Tirana nuk ka sintetizuar një histori të përbashkët.

Absurdi i kësaj gjendjeje mishërohet te kufijtë edhe më artificialë që janë krijuar mes “vendasve” – tironsë të krijuar me pashaportizim – dhe të ardhurve që i japin vlerën dhe jetën ekonomike kësaj hapësire. Një absurd që gjen manifestimin e vet malinj te ndarjet sociale kaq të përhapura katunar – qytetar, malok-tirons etj..

Maloku e mbushi Tiranën me kioska, Edi e nxori në dritë. Maloku e prishi, Edi e ribëri. Le të imagjinojmë tani nëse Maloku do të donte të prishte Teatrin. Me siguri që kisha e Fjalës që është pronë e “qytetarëve” do të përhapte predikimin se “Maloku po e Prish”, sepse të drejtën e prishjes, ndërtimit dhe krijimit të historisë e kanë këta të fundit. Që janë edhe pasardhës të banditëve të parë. Dhe kështu ne dëshmojmë sesi akte të dhunshme ligjërohen, kontestohen, apo pezullohen jo mbi bazë të një nevoje të përgjithshme, por mbi atributet e vizioneve të reja që mund të kuptohen vetëm nga një pakicë.

Dhe ligjërohen vetëm e vetëm për të rikonfirmuar kufijtë e stigmës që mban gjallë një ekuilibër të gënjeshtërt.

“Morri i Kuq” që ngre krye në një anë tjetër të këtij qyteti është prova e qartë – ndër të shumtat – se ky është një gjoja qytet i krijuar mbi ekuilibrin e dhunës dhe jo mbi konsensusin e përgjithshëm. Është një dhunë që ka prekur sentimente, histori, një dhunë e pabesë ndaj mirëbesimit dhe qytetarisë. Është një dhunë që nuk lejon një të ardhme të vërtetë. Ndaj nuk duhet të çuditemi se eksperimentet “civilizuese” të sotme të pësojnë disfatë nesër, sepse nuk ka forcë, as dredhi, as shërbëtorë të frustruar me origjinën e tyre që duan të bëjnë karrierë drejt një elite virtuale, që të ndalin kalimin drejt një ekuilibri përfaqësues.

s.zaimi

Comments

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.