Gënjen me qetësi(ose nuk di gjë) dhe publikisht

Postuar në 18 Maj, 2020 14:16

Ky është Erion Veliaj, kryetari i Bashkisë së Tiranës, i cili në një video 10 minutëshe u përpoq të shpjegonte vendimin e vështirë që sipas tij  iu desh të merrte për të hedhur në tokë me fadroma godinën e Teatrit Kombëtar. Përveç pikëpyetjeve të mëdha mbi ligjshmërinë e aktit që prodhoi vendimi i Këshillit Bashkiak, kryetari i bashkisë  tregoi edhe njëherë se nuk heziton  të gënjejë publikisht për këtë çështje. Në spotin ku tregon se sa të vështirë e pati të merrte vendimin për shembjen e teatrit, Veliaj  thotë  Instituti i ndërtimit verifikoi për herë të dytë godinën e Teatrit Kombëtar, njëherë në 2018 dhe së fundmi me tre inxhinierët që u paditën në Prokurori. Ndiqeni se çfarë thotë kryetari i Bashkisë  me zë dhe me figurë teksa u shtrin dorën qytetarëve të bashkëpunojnë me të për ndërtimin e teatrit të ri.

Sapo na u transferua prona, ne menjëherë kërkuam, siç kërkojmë tipikisht për cdo pronë që na transferohet, që kjo të verifikohet nga Instituti i Ndërtimit. Ky i fundit e vlerësoi në vitin 2018 si një ndërtesë e rrezikshme dhe e amortizuar siç u verifikua sot me të prekurat e para. E verifikuam sërish për herë të dytë dhe Instituti i Ndërtimit sërish tha që kjo është një ndërtesë e rrezikshme

Por a duhet besuar kryetari bashkisë kur thotë se godinës e Teatrit iu bë një verifikim i dytë pas aktekspertizës së vitit 2018.  TvT pyeti para pak ditësh kreun e Institutit të Ndërtimit, Agron Hysenlliu, nëse godinës së Teatrit i ishte bërë një inspektim i dytë nga tre inxhinierët që firmosëm aktin që iu përcoll Këshillit Bashkiak të Tiranës. Hysenlliu pranon se jo vetëm që nuk është bërë një inspektim i dytë, por se ka qenë vetë ai që i ka urdhëruar inxhinierët të firmosin pa shkuar në terren.

Ata zotërinjtë kanë një urdhër nga unë që të mos shkojnë në terren, por të interpretojnë akt-ekspertizën e kryer në vitin 2018. Ata pretendojnë pse nuk kanë dalë në terren. Nuk kanë pasur detyrë të dalin në terren. Ky është komenti që kam unë. Nuk ka qenë e nevojshme që ne të shkojmë në terren, pasi në Teatrin Kombëtar është kryer një akt-ekspertizë e thelluar në vitin 2018 dhe në vitin 2018 është dalë me një konkluzion që i është vënë në dispozicion Drejtorisë së Teatrit Kombëtar. Me ndërrimin e pronësisë, Bashkia e Tiranës ka kërkuar që ne ta interpretojmë dhe të shikojmë si është gjendja e Teatrit Kombëtar. Ne nuk e kemi parë të arsyeshme të shkojmë pasi aty nuk ka pasur asnjë lëvizje, madje është degraduar më shumë dhe konkluzionet që kemi nxjerrë në 2018 janë po ato konkluzione që kemi edhe në raportin e sotëm.

 Se kush nga të dy thotë të vërtetën, zyrtari i shtetit apo funksionari publik që mban postin e kryetarit të bashkisë, këtë mbetet ta zgjidhë prokuroria. Kjo e fundit tashmë ka në dorë edhe dy prova të reja që mund t’i shërbejnë për hetimin që po kryen për çështjen e Teatrit, ku të paktën njëri prej të dyve, ose zoti Veliaj ose zoti Hysenlliu, duhet të mbajë përgjegjësi për shpërdorim të detyrës.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.