Europa duhet të jetë superfuqi, jo supershtet

Postuar në 12 Maj, 2020 16:54
Timothy Garton Ash*

 

Garton Ash*

Siç thoshte dikur nga një lider evropian, Evropa duhet të jetë një superfuqi, jo një supershtet. Përballë një Kine gjithnjë e më të fuqishme dhe autoritare, përballë ngrohjes globale, sfidës potencialisht ekzistenciale që vjen nga inteligjenca artificiale, për të mos përmendur Rusinë agresive, Lindjen e Mesme kaotike dhe Shtetet e Bashkuara trampiane, ky argument është më bindës se kurrë. Në një botë gjigantësh, duhet të jesh edhe vetë gjigant. Nëse ne evropianët nuk bëhemi bashkë, ne do të mbetemi të veçuar.

Shumica e evropianëve pajtohen me këtë propozim të thjeshtë. Në të vërtetë, kjo është një nga gjërat e mëdha që ata kërkojnë nga Bashkimi Evropian. Por a është vallë Europa në gjendje ta bëjë këtë? Përgjigja nuk është një po apo jo e thjeshtë. Varet se për çfarë dimensioni të fuqisë po flasim. Në negociatat tregtare, BE, e cila përfaqëson tregun e përbashkët më të madh dhe më të pasur shumëkombësh në botë përmes një negociatori të vetëm, është tashmë një superfuqi. Ajo ka bërë marrëveshje tregtare me ekonomi të mëdha si Kanada dhe Japonia, të cilat Britania e dalë prej saj veçse mund t’i ëndërrojë.

Edhe BE-ja është një superfuqi në fushën jo dhe aq joshëse, por jetike, të rregulloreve. Mjafton të kujtojmë Facebook-un ose Google-in. Në fakt, Brukseli vendos standardet e privatësisë për internetin në mbarë botën (përjashtuar internetin e veçantë të Kinës). Një libër i ri interesant mbi BE-në si superfuqi rregullatore, "Efekti i Brukselit", mban nëntitullin nostalgjik "Si e rregullon botën Bashkimi Evropian". Epo, sa i takon titullin, ne e dimë si janë botuesit; por gjithsesi një grimcë të vërtete e ka brenda.

BE-ja nuk është superfuqi për sa i përket ndryshimit të klimës, por ajo ka një strategji koherente në gjysmë të rrugës për një Marrëveshje të Re të Gjelbër, atë politikë që Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e ka përshkruar si komisionin e saj "gjeopolitik". Retorika boshe në marrëdhëniet e jashtme të BE-së është akoma në përqindje alarmante - "pse ata flasin kaq shumë?" i pëshpëriti  një zyrtar indian një mikut tim, pasi përfaqësues të lartë të secilit institucion të BE-së mbajtën fjalimet e tyre gjatë një vizite në Indi - por ka edhe veprim efektiv. BE tregon koherencë të konsiderueshme në lidhje me shumë vende më të vogla dhe pjesë më të varfra të botës. Evropa është donatorja më e madhe në botë e ndihmës zyrtare për zhvillim.

Për katër dekada, nga vitet ‘70 deri në vitet 2000, strategjia më e fuqishme e politikës së jashtme të BE-së ishte zgjerimi. Shoqëri të tëra u shndërruan në Evropën Jugore, Qendrore dhe Lindore, pasi vendet u rreshtuan për t'u bashkuar me këtë perandori të paprecedentë antiperandorake. Por tani ka një lodhje e tillë nga zgjerimi, saqë edhe negociatat e pranimit për një vend të vogël si Maqedonia e Veriut pothuajse u refuzuan përfundimisht nga presidenti francez, Emmanuel Macron. Askush nuk po flet seriozisht për një anëtarësim të ardhshëm për Turqinë, siç flitej në fillim të viteve 2000, dhe gjërat nuk janë më mirë as për Ukrainën.

Evropa është më pak mbresëlënëse kur bëhet fjalë për marrëdhëniet me fuqitë e mëdha. Në një takim të Këshillit Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë disa vjet më parë, dëgjuam rusë, kinezë dhe amerikanë teksa na shpalosnin pikëpamjet e tyre për Evropën. Ishin tre dushe të ftohta. Kishte disa arsye të mbivendosura që ata dhanë gjatë kritikave të tyre ndaj Evropës, që shkonin edhe deri në përbuzje. E parë nga Pekini, Moska apo Uashingtoni, Evropa shpesh duket e dobët, e ndarë dhe hipokrite.

Çfarë mund të bëjë Evropa për këtë, përveçse t’i rikthehet joshjes së zgjerimit? Federalisti evropian Guy Verhofstadt, i cili aktualisht pritet të jetë kryetari i një konference të re mbi të ardhmen e Evropës, jep një përgjigje. Kur fola me të kohët e fundit në Bruksel, ai tha që mesazhi i tij mund të reduktohet në një formulë të thjeshtë: t’i jepet fund unanimitetit. Pra, ilaçi i tij është institucional, i përqendruar te ajo se si mund të nxitet Unioni për të marrë më shumë vendime me shumicë votash. Me pak fjalë, Evropa duhet të jetë një supershtet para se të bëhet një superfuqi.

Ka tre mangësi në këtë zgjidhje, nga të cilat e para është tashmë fatale: nuk ka maxhorancë për të mes qeverive dhe popujve të Evropës sot. Ndryshime të tilla institucionale nuk janë të nevojshme për të arritur një politikë të jashtme evropiane më koherente dhe efektive. Dhe nuk ka vend për shtetet evropiane që nuk janë më anëtare të BE-së, si në rastin e Britanisë, që është deri tani e vetmja.

Në rast se nuk e dinit, lideri evropian që krijoi formulën e "superfuqi jo supershtet" ishte kryeministri britanik, Toni Bler, gjatë një fjalimi në Varshavë në vitin 2000. Britania ka rëndësi këtu sepse është vendi evropian që, krahas Francës, ka përvojën më të madhe të diplomacisë në mbarë botën, aftësi të konsiderueshme në inteligjencë, antiterrorizëm dhe ndihmë për zhvillim, një vend të përhershëm në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe gatishmëri për të projektuar pushtetin përmes përdorimit të forcës. Në një sondazh të fundit në Institutit Pew, Britania e Madhe ishte shumë më përpara se të gjitha vendet e tjera evropiane në gatishmërinë për të përdorur forcën ushtarake si kundërpërgjigje për ndonjë sulm rus ndaj një aleati të NATO-s. 55 për qind të britanikëve e mbështetën një gjë të tillë, krahasuar me 41 për qind të francezëve dhe vetëm 34 për qind e gjermanëve.

Për fat të mirë, ka një mënyrë tjetër nëpërmjet të cilës mund të punojmë së bashku drejt qëllimit për të qenë një superfuqi. Mund të përmblidhet në sloganin e Nike: "Thjesht bëje" (Just do it). Në këtë mënyrë kemi arritur një politikë evropiane për Iranin, për shembull, dhe në një farë mase edhe për Ukrainën. Gjithçka që duhet është një grup shtetesh, në rastin ideal përfshirë Gjermaninë, Francën dhe Britaninë, nëse është e mundur së bashku me disa shtete të tjera të rëndësishme evropiane (p.sh. Polonia dhe vendet balltike për sfidat e Evropës Lindore, Spanjën dhe Italinë për ato mesdhetare), që të zhvillojnë një politikë të koordinuar në mënyrë efektive, duke bashkëpunuar ngushtë me Përfaqësuesin e Lartë të BE-së për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë. Mbështetur nga shërbimi diplomatik i BE-së, i njohur si Shërbimi Evropian për Veprim të Jashtëm, ky grup mund të përfaqësojë interesat e shteteve të tjera anëtare dhe të sjellë mbështetjen e tyre aktive ose pasive. Asnjë ndryshim i madh institucional nuk është i nevojshëm, lëre më një hap i madh federalist përpara, dhe e bukura e kësaj metode pragmatike është se ende mund të përfshijë plotësisht shtete me peshë të madhe si Britania.

Ajo që kërkohet, sidoqoftë, është një analizë e përbashkët strategjike e kërcënimit, të kuptuarit konvergjent të interesave kombëtare dhe shumë vullnet politik. Kjo mbetet një rrugë e gjatë. Më lejoni të jem i qartë: Unë nuk mendoj se ka gjasa që Evropa t’i ndërmarrë veprimet e saj së bashku në këtë mënyrë. Brexiti i vështirë apo edhe pa marrëveshje drejt të cilit ne duket se po shkojmë do ta bëjë edhe më të vështirë arritjen e objektivit. Dua të them se është është akoma e dëshirueshme, madje thelbësore, dhe ende e mundur.

Ndër liderët evropianë të sotëm, Macron është ai që e artikulon më qartë këtë ambicie strategjike, edhe pse propozimet e tij specifike nuk janë gjithmonë bindëse. Nëse ai do të mund të gjente disa partnerë po aq strategjikë dhe ambiciozë në Berlin, Londër, Madrid, Romë dhe kryeqytetet e tjera, si dhe në Bruksel, Evropa do të mund të aspironte ende për të qenë një superfuqi. Thjesht bëje. Dhe mbani mend, para se të bëhej një emri i një marke atletesh për amerikanët, Nike ishte perëndesha evropiane e fitores.

Burimi: Kathimerini

Përktheu: Gazmira Sokoli/TvT

*Timothy Garton Ash është profesor i Studimeve Evropiane në Universitetin e Oksfordit dhe anëtar i Hoover Institution, Universiteti Stanford.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.