Fyelli i opozitës

Postuar në 08 Maj, 2020 19:36

Bardh Spahia, një zyrtar i lartë i Partisë Demokratike, shkruan sot në gazetën “Panorama” për atë që e quan “rreziku që na vjen nga Edi Rama”. Spahia rendit shqetësime të tilla si personalizimi i pushtetit, izolimi i shqiptarëve, vendimet që merren pa pyetur sipas tij Komitetin e Ekspertëve etj.. 

Spahia, njësoj si zyrtarë të lartë të PD-së dhe gazetarë të ndryshëm flasin për rrezikun e Diktaturës së Ramës, që ndonjëherë e zhgradojnë në Autoritarizëm. Mirëpo që të kërkosh Diktaturën në Shqipëri sot të duhet të kesh patologji të theksuara të nuhatjes. 
Pak ditë më parë një tjetër zyrtar i PD-së e cilësonte të rrezikshme nisjen e mësimit për studentët, ndërkohë që karantina konsiderohet shkelje e të drejtave të njeriut. 

Nuk dihet pra se çfarë ka ndërmend PD-ja në këtë situatë. Radiostacioni i saj ka mbetur te emisioni “Diktatura dhe oligarkia”, ndërkohë që kur vjen puna te situata konkrete me kontrata oligarkësh, kjo parti e qep gojën. Shikoni rastin e karburantit në Vlorë; nuk flet PD-ja por Agron Shehaj. Lulzim Basha nuk denjon të përgjigjet për këtë çështje ndonëse ka për zemër lirinë e shqiptarëve. 

Sot rreziku shqiptarëve u vjen nga opozita, inekzistenca e saj në zgjedhjen e shqiptarëve, nga dështimi i saj dhe nga fakti se ne kemi një parti opozitare përfaqësuesit e të cilës duan të sillen si tribunë të popullit, por në fakt janë aty të emëruar nga ata oligarkë të cilët i ka objekt formal akuze. 
E ka të vështirë njeriu të besojë se në atë parti të ketë kaq miopi dhe kokfortësi sa të mos kuptojnë se rruga që po ndiqet, mesazhi që po përcillet është pa kuptim. 

Dhe se njësoj si ata vdekurit e panumëruar nga CoVid-19 të cilët PD-ja thotë se i di ku janë dhe kur kanë vdekur, edhe një pjesë e qytetarëve e dinë se kë dhe çfarë përfaqëson një deputet, apo tjetri, edhe pse zemrën nuk ua kemi parë. Mundet që t’u vlojë nga dashuria për popullin dhe atdheun dhe nga idealet për demokracinë, por sa pare bën kur fyellit i bien në një vrimë.

Comments

Submitted by Doktor Mortja (not verified) on

Dmth , Fyelli i PD i bien fyellit ne nje vrime?!

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.