Prokuroria e Shtatorit

Postuar në 07 Maj, 2020 17:18

Njerëzit sot kërkojnë drejtësi, kërkojnë që më në fund gjërat në këtë vend të bëhen konkrete, puna jonë duhet të jetë në lartësinë e asaj që njerëzit kërkojnë nga ne

Kështu u shpreh në fillim të dhjetorit 2019, kryeprokurori Olsian Çela, me marrjen e detyrës. Sot, gjatë diskutimit në mbledhjen online mes tij dhe Kuvendit të Shqipërisë, Çela ndër të tjera ka thënë: 

Shifrat janë inkurajuese, ka një përqindje dhe ngritje të numrit të personave të çuar për ndjekje penale për korrupsion. Edhe te hetimet proaktive ka një rritje.

Janë hasur probleme përsa i përket veprimeve hetimore për pastrimin e parave dhe sekuestrimin e aseteve kriminale, ende ka shumë për të bërë. Ka vështirësi të natyrave të ndryshme. Prokuroria e Përgjithshme ka marrë një rol proaktiv.
Për të rritur luftën kundër pastrimit të parave, ne jemi duke ndërmarrë një ristrukturim brenda prokurorisë që hetojnë këto vepra penale dhe të rrisim bashkëveprimin me institucionet e tjera.
Po draftojmë një memorandum me Ministrinë e Ekonomisë, atë të Brendshme dhe policisë për realizimin e objektivave. Shumë shpejt do të kemi rezultate konkrete  

Sa është përqindja e njerëzve të çuar për ndjekje penale për korrupsion? Kreu i një institucioni flet me statistika konkrete sidomos kur flasim për korrupsionin.

Nga ana tjetër ky lloj raportimi është demagogjik, pasi nuk ka asnjë ndjekje penale për korrupsionin e nivelit të lartë. Zoti Çela flet për hetimin e pastrimit të parave dhe synon disa memorandume. Teksa ai shfaqet në këtë kuadër në Shqipëri zhvillohet me një Akt Normativ një operacion policor – OFL – në këtë drejtim, i cili ecën përmes spektaktlit të sekuestrove, pas të cilave ka një process gjyqësor që nuk dihet se çfarë vendos. Nëse OFL humbet përballjen gjyqësore atëherë pasuritë e shpallura me bujë si produkt i pastrimit të parave pastrohen reaisht dhe ligjërisht. Njësoj siç ndodhi këto ditë p.sh me çështjen e Orest Sotës, të cilit iu gjendën 800 mijë euro në makinë. Prokuroria e zgjati me vite hetimin e origjinës së parave, kur ky është një proces fare i thjeshtë. Oresti doli i pafajshëm, Olsi premton se do bëjë namin!!!

Premtimi në këtë drejtim vjen krejt në hava kur në Shqipëri është shpallur projektligji për amnistinë fiskale që legalizon paratë informale, përfshirë biznese me dy bilance. Dikush mund të thotë se kjo nuk është çështje e prokurorisë, mirëpo amnistria interferon me politikën penale dhe legjislacionin penal, teksa prokuroria nga një anë premton goditje, qeveria nga ana tjetër amniston. 

Do të duhej një analizë profesionale e fushave të veprimit për të dyja rastet, por ajo që këtu ka rëndësi është vendosja nga ana e Prokurorit të Përgjithshëm e rezultateve në perspektivë. Ne e mbajmë mend Adriatik Llallën që deklaronte 6 muaj para se “në shtator do ketë arrestime”, çka e vendoste organin e akuzës në pozitën e një kllouni publik që thotë se do bëjë qametin kur të vilet rrushi. E duke harruar se ligjet janë në fuqi, ato zbatohen dhe rishikohen apo pasurohen për nevoja të punës. Olsian Çela i ka ligjet, i ka mjetet ligjore, por ai do të veprojë pas një riorganizimi. Ky është një teatër i vjetër që nuk ecën më. Thjesht Olsiani del në televizor.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.