Po thonë që është Skandal

Postuar në 05 Maj, 2020 23:15

Opozita e rrobave firmato ka kapur nga qafa një kryetemë të re. Lirinë e shtypit.  Xhanëm në kohë karantine sullacot e Ilir Metës dhe Lulzim Bashës duan pak erëza që të shtyhen poshtë si kafshatë mjerimi për qëndrestarët që po rrinë në shtëpi. 

Dhe kjo liri është dërrmuar ndër të tjera edhe nga ai që quhet skandali Bieta Sulo – Mira Kazhani. Ky skandal në terma financiarë është 135 000 lekë të reja në muaj për një periudhë disa mujore. Mirë kjo, por dy zonjat në fjalë kanë qenë të punësuara në ujësjellës – kanalizime, një gjetje kjo tërësisht jashtë profilit, por me aq sa mund të marrim me mend është nga ato lodrat e Lali Erit që ta vë emrin në një bordero dhe pastaj të thotë: o Lal, ma vë pak këtë te faqja? (Sesi dhe nga kush financohet faqja, kjo është tjetër çështje, ose Çështja). 
E zëmë se ka qenë kështu. A përbën ky një skandal sa të merret nga opozita e të ngrihet në nivel politik? 
Çfarë përfaqëson Bieta Sulo dhe Mira Kazhani për mendimin gazetaresk, opinionin publik dhe aq më tej pastaj për lirinë e shtypit? Thuajse asgjë. Zonja Sulo është moderatore në një emision jopolitik. Mëkati më i madh që ajo mund të bëjë në këmbim të pesëqindshes faqezezë është pak reklamë. Por kjo jo vetëm nuk cenon lirinë e shtypit, për të cilën me aq sa dimë zonja Sulo nuk ka shfaqur ndonjëherë pretendime dhe as nuk është referencë, por as përbën ndonjë lajm, përtej një “kurioziteti” fals në një vend ku çdokush di çdo gjë për gjithkënd.

Ky do të ishte në rastin më të mirë një problem personal i saj(mjafton të shohim memet për këtë rast për të imagjinuar stresin) apo edhe i imazhit të kompanisë, pasi nisur nga vija editoriale, zbulimi i faktit se një pjesë e stafit janë punësuar në Bashki, do shpjegonte në mendjet e njerëzve “freskun” disa vjeçar për Erjon Veliajn. Por kaq. Ky transaksion minor nuk mund të interferojë në lirinë e televizionit në fjalë, që si çdo televizion në Shqipëri ka vijë editoriale të përcaktuar nga një person dhe vetëm një.

Të jemi të qartë: dy zonjat në fjalë nuk kanë ndonjë prezantim publik për t’u admiruar. Reportazhet e Kazhanit edhe për fluturimin e Air Albania, apo picat në Firence, shënimet moralizuese të saj përherë në të mirë të qeverisë, janë një lloj taratori që nuk kalon poshtë as po të jesh në burg. Megjithë foton e përhershme të Kazhanit në krye. Por sulmi ndaj saj për pozicionin qesharak të këshilltares është i pajustifikuar. Qesharak, sepse për çfarë mund të këshillojë Kazhani tek ujësjellësi? 

Mirëpo ajo e ka sqaruar vetë se nuk ka bërë këshilltaren, është Punësuar. Dhe megjithë perceptimin se po ishe me pushtetin je automatikisht i pasur, kjo nuk i përgjigjet së vërtetës. Sa gazetarë pranë PD-së janë punësuar në këtë mënyrë në kohën kur ajo ishte në qeverisje në vitet 2005-2013? Pati madje edhe që morën poste diplomatike dhe shumë mirë që i morën. Rilindja i përçmon shumë gazetarët sa për t’u dhënë ofiqe të tilla.
Gjykimi me tonet e skandalit të këtij rasti e shpërdoron mundësinë e mirë për të folur mbi gjendjen e medias dhe gazetarëve, raportin e tyre me publikun dhe e zhvendos atë në planin e një axhende politike që bën shumë zhurmë, por nuk thotë asgjë që të dobishme. E shumta do tallen ca në rrjet me Kazhanin dhe Sulon dhe do harrohet. 

Këto të dyja luajnë teatrin e tyre gjatë vitit me pozicionimin mediatik, opozita po luan teatër edhe më të shpifur kur bën sikur ka zbuluar Ali Babanë dhe shpellën e tij. Për këtë çështje është investuar edhe gazetari Blendi Fevziu. Sipas tij kush punësohet jashtë gazetarisë, duhet të qëndrojë jashtë. Mirëpo kjo vërejtje moralizuese as duhet vërshëllyer fare pasi vjen nga një gazetar, raporti i të cilit me pushtetet është shumë i paqartë. Pyetja që duhet bërë këtu është e logjikshme: a quhet më gazetar Blendi Fevziu? Nëse kjo vërejtje qëndron në këmbë do të duhet që zotëria të ishte koherent pasi po të hedhë sytë vërdallë mund të gjejë këshilltarë- gazetarë me të cilët ka punuar…

A ka dobi të gjykohet në këtë mënyrë kur sektori i gjithë është i parregulluar, karrierat janë të pakuptimta, ka gazetarë informalë, brenda të cilëve jeton edhe njeriu që ka disa kërkesa dhe detyrime? Kush vallë nga këta që shkruan është i pastër? Patjetër që atyre u vjen keq dhe qeshin me pagesat mjerane të dy zonjave që me tahmanë  e “madhe” bënë budallallëkun për të vënë emrin në bordero, kur shumë titanë të mendimit i marrin paratë në forma të tjera dhe që kanë pasuri që nuk justifikohen me profesionin e gazetarit. 

Kjo histori zbulon edhe një anë të mirë: zonjat në fjalë megjithëse u mvishet shumëçka nuk patën asnjë ndikim në mediat që i sulmuan. E kundërta ndodh me këta që sot bëjnë moral: ata janë shumë të aftë dhe të pacipë të ndërhyjnë për sëkëllditë personale, për histori të errëta ku përfliten, për heqje shkrimesh dhe që çuditërisht i kanë dyert të hapura në çdo institucion. Gazetarë quhen këta? 

Duhet kthyer një herë gishti nga vetja, jo për të bërë apologjinë e dy zonjave që flasin gjithë vitin e nuk thonë asgjë, por meqë dikush ka dëshirë të zbardhë të vërtetat, t’i thotë ato të gjitha. Le të nisë pra vettingu se ndoshta Kazhani dhe Sulo do harrohen me 135 000 lekët në muaj që janë aty sa për të zbuluar kulturën e qokave në këtë vend dhe  faktin se konfirmohet edhe njëherë fatkeqësia e gazetarisë, por jo e medias, e që është se 90% e atyre që punojnë në këtë profesion janë aksidente në të. 9% janë biznesmenë, 1% jetimë. 

ResPublica 

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.