Kulla kundër Zotit

Postuar në 05 Maj, 2020 13:46
Rubens Shima

 

Para pak ditësh, me një ‘sulm partizan’, “forcat” e IMT-së së Bashkisë së Tiranës shembën pa asnjë njoftim murin rrethues të Teqesë Halvetiane të Tiranës. Pavarësisht kërkesave të vazhdueshme për informim në lidhje me rastin, është e pamundur të marrësh një sqarim zyrtar nga ana e bashkisë së kryeqytetit në lidhje me këtë akt banditesk. Duke shfrytëzuar periudhën e kufizimit të lëvizjes në këtë kohë pandemie, në mungesë të besimtarëve dhe qytetarëve të paktë, me një aksion të “rrufeshëm”, të denjë për filmat aksion, realizuan shembjen e murit rrethues dekorativ të objektit të kultit. Dhe po atë ditë, pak orë më vonë, u shfaqën me pafytyrësi përsëri në vendngjarje, si krimineli në zonën e krimit, për të hequr mbetjet e lëna me argumentimin e pastrimit të lulishtes së ndotur nga prishja e murit. Është pothuajse e pabesueshme, që në erën tonë të ndodhë një agresion i tillë, ditën për diell, ndaj një objekti kulti. Sigurisht, ne shqiptarët kemi një histori të pasur dhe të bollshme me rekorde historike mbresëlënëse në shkatërrimin dhe zaptimin e objekteve të kultit.

Kemi autorësi historike ‘të denjë dhe të merituar’ në shpikjen e manualeve të asgjësimit tërësor të godinave të adhurimit të Zotit – shkatërrim me ruspa, buldozerë, traktorë, diagaçë, tank, hedhjen në erë me dinamit, tërheqje me kavo çeliku, por edhe më primitive kur mjetet mungonin: shkatërrim me kazma, me lopata, me vare, me leva, me hunj, me trup, me duar dhe thonj… Apo, bastisje, plaçkitje, vjedhje, sekuestrime dhe shndërrime; në palestra, pallate sporti, depo, poligone qitjeje, reparte ushtarake, azile pleqsh, punishte, mensa, restorante, bare, nevojtore – gjithçka që një mendje perverse dhe diabolike mund të pjellë. E kuqe apo kuq e zi, vështirë ta ndash këtë trashëgimi të turpshme shqiptare.

Ndaj, sulmi i para pak ditësh i teqesë historike në zemër të Tiranës është një ngjarje e paprecedent dhune, pafytyrësie dhe shëmtie, që na rifreskon me nota dhe pamje të gjalla memorien historike të periudhës në diktaturë. Kjo është një ngjarje që nuk duhet të kalojë me indiferentizëm, qytetarët duhet të dinë të vërtetën dhe të kuptojnë rrezikun dhe fatkeqësinë, që nesër mund t’u kanoset edhe pronave të tyre. Sulmi ndaj teqesë bëhet për shkaqe thellësisht korruptive, për arsye të axhendës së firmave ndërtuese, pasi ky objekt ka vite që reziston dhe është kthyer në pengesë të fortë për ngritjen e kullave në atë zonë të qytetit. Pas shkatërrimit të vilave të borgjezisë së dikurshme, parqeve, lulishteve, stadiumit, fushave të sportit, përpjekjes për shembjen e Teatrit Kombëtar, me një makutëri zoologjike dhe etje për para, me një qendër historike të kryeqytetit, të katandisur vetëm në pak mijë metra katrorë, matrapazët e ndërtimit dhe politikës iu vërsulën objektit të kultit për t’i vjedhur truallin. Dikur politika shkatërronte në emër të ideologjisë – sot në emër të parasë; dje ‘udhëheqësit e dashur të popullit’ mashtronin në emër të tij dhe një jetë të re – sot pushtetmbajtësit mendojnë se na mashtrojnë në emër të një qyteti më të mirë.

E lokalizuar pas Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, rrethuar me një vegjetacion të harlisur, si një kapriço e natyrës mes një qyteti betoni, Teqeja Halvetiane ekziston në të njëjtin vend që prej shek. XVII. E shkatërruar dhe e rindërtuar disa herë gjatë shek. XX, ajo është sulmuar, djegur, plaçkitur dhe shembur sa herë që vendi zhytej në terrin e kohërave të zeza.

E ndërtuar dhe administruar prej familjes autoktone tiranase, Pazari, në fillim të shek. XX kjo teqe shndërrohet në një qendër veprimi dhe agjitimi për çështjen shqiptare. Ajo ishte teqeja e klerikut patriot, sheh Ahmet Pazari, i cili bashkë me pinjollët e shquar të familjeve tiranase ngritën flamurin më 26 nëntor 1912, në Tiranë, duke mbështetur me gjithçka mundën Shqipërinë e pavarur. Pikërisht në këtë teqe u ruajt dhe u mbajt flamuri shqiptar. Flamur bese, që lidhi besnikët në fije e në fjalë. Ishte shehu i kësaj teqeje, sheh Ahmet Pazari, që me praninë, autoritetin dhe influencën e tij uli flamurin turk dhe ngriti flamurin me shkabë. Flamur i destinuar për t’u shndërruar për nga përpjekja historike, gjuha dhe vetëmohimi, në flamur–komb. Në një gjest patriotik, përfaqësues të parisë së qytetit dhe besimeve fetare u bënë bashkë për të përfunduar një punë të nisur më herët; të bënin Shqipërinë të lirë dhe të pavarur. Duke lënë pas hirin e madhështisë dhe sakrificës, për tokën e tyre dhe kujtimin në breza, të çastit të madh historik.

Nga kjo teqe, sheh Ahmet Pazari do të kryesonte komisionin e përfaqësuesve të qytetit të Tiranës, për të protestuar te komandanti i trupave serbe, duke iu drejtuar: “Ne jemi popull shqiptar dhe jo turk. Për këtë kemi ngritur flamurin tonë dhe kemi shpallur independencën”. Dhe, për këtë arsye do të burgosej nga autoritetet ushtarake serbe.

Ishte roli aktiv kryesor i këtij kleriku patriot në çështjen shqiptare, arsyeja e djegies së teqesë prej ithtarit të Baba Dovletit, Haxhi Qamilit, në vitin 1915.

Dhe kështu, kjo teqe do të niste sagën njëshekullore të shkatërrimeve dhe rindërtimeve, që me sa duket nuk paskan përfunduar ende. Ne vitin 1947, shehu i fundit i familjes Pazari, sheh Ali Pazari, do të arrestohej dhe burgosej si kundërshtar i regjimit komunist. Vuajti 17 vite në burgjet e diktaturës. Koleksioni i pasur i teqesë me armë mesjetare, objekte dhe dokumente historike, do të sekuestrohej në emër të popullit. Pjesë të këtij koleksioni do të formonin më pas Muzeun e Armëve në qytetin e Gjirokastrës, për t’u zhdukur përfundimisht pas viteve 1990. Shehu i fundit i kësaj teqeje do të caktohej nga regjimi komunist. Në vitin 1967, vit në të cilin besimi fetar u ndalua me ligj, teqeja historike e Tiranës do të mbyllej. Në vitin 1980, regjimi diktatorial vendosi shembjen e saj. 

Në vitin 1994, Instituti i Monumenteve të Kulturës do të fillonte gërmimet për të përcaktuar themelet e vjetra, ekzistuese të teqesë historike. Në vitin 1994 do të ringrihej nga e para mbi rrënojat e saj. Në vitin 2007, sheshi përpara teqesë, me urdhër nr. 112/1 të Ministrisë së Kulturës, do të shpallej monument kulture i kategorisë së dytë, me numër rendor 63, në listën e objekteve historike-kulturore, që i bashkëngjiten urdhrit. Status, të cilin e mban ende edhe sot.

Në vitin 2020, në kundërshtim flagrant me ligjin, paçka se nën mbrojtjen e shtetit si monument kulture, paraushtarakët e IMT-së së Bashkisë së Tiranës, me urdhër verbal të Erion Velisë, shkatërruan murin rrethues të teqesë historike. Qëllimi: asgjësimi tërësor i objektit të kultit dhe tjetërsimi i sheshit të teqesë nga shesh i mbrojtur monument kulture, në shesh ndërtimi për kulla.

Bëra këtë historik të shkurtër të ndodhive, shembjeve dhe rindërtimeve, që ka regjistruar gjatë një shekulli e gjysmë ky objekt kulti, sepse në një kuptim relativist, historia e kësaj teqeje është historia e qytetit, historia e vetë Shqipërisë. Do të mjaftonte kaq, që Bashkia e Tiranës ta merrte në mbrojtje, ta financonte dhe restauronte disa herë këtë objekt identitar të qytetit. Por, nuk do të habitesha aspak që pas ngjarjes kriminale të agresionit ndaj saj, me porosi të veçantë politike, Instituti karagjoz i Monumenteve të Kulturës të nxitojë ta nxjerrë nga lista e objekteve të mbrojtura, siç veproi me stadiumin apo edhe me shumë godina të tjera historike, që u kthyen në sheshe ndërtimi.

E ndërsa sot, politikanët dërdëllisin dhe reklamojnë me ngazëllim dhe zell gomari ku të munden, të ashtuquajturën politikisht korrekt “tolerancë fetare”, nga ana tjetër nuk rreshtin së asgjësuari me këmbëngulje barbari çdo gjurmë të realitetit të saj, kur vjen puna për përfitim dhe para. Dikur, me moton “Duajeni tjetrin si doni veten tuaj. Duajeni Shqipërinë si doni familjen tuaj”, sheh Ahmet Pazari dha gjithçka për Zotin, tokën dhe vendin e tij. Ishin këto shtysa e idealit të madh, që dikur stërgjyshërit tanë besonin. Sot, paraja, përfitimi, zhvatja në kurriz të tjetrit, zhvatja e pronës publike është treguesi i vetëm i atdhedashurisë ndaj vendit. Ky është qëndrimi i sundonjësve të Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë me historinë, trashëgiminë dhe vlerat e saj.

Burimi: Panorama

Comments

Submitted by tironci (not verified) on

A kon dal t'protestojn ato dy vemjet qe dilshin gjithmone per hater te karagjozit te gjate? Kon ra squke qekur i ka mush gojen me pare.

Submitted by Anonymous (not verified) on

Nje teqe ne nje vend te papershtatshem. Ne kohen para Zogut aty ka qene nje babiloni. Shpia, dyqane, pazar, therrtore, bakef, teqe, xhami, hotel, kuplara, etj. Sikur te kerkonin te gjithe ata qe kane qene aty token e tyre, duhet qe Tirana te prishe strukturen e qendres se saj!

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.