Raportime për marrëveshje Rusi-Turqi-Iran për ta larguar nga pushteti

Postuar në 04 Maj, 2020 15:08

Në disa media që merren me trajtimin e çështjeve të Lindjes së Mesme po qarkullon lajmi i një marrëveshjeje mes Rusisë-Iranit dhe Turqisë për largimin nga pushteti të liderit sirian, Bashar al-Assad. Burimi fillestar për këtë informacion është një raport i publikuar nga Këshilli Rus për Çështjet Ndërkombëtare, një qendër studimore e afërt me Kremlinin zyrtar. Sipas këtij raporti të trija këto vende që janë pjesë e formatit të Astanas për paqen në Siri do të arrijnë konsensusin për largimin e Assadit nga pushteti dhe në aritjen e një armëpushimi për formimin e një qeverie tranzitore që përfshin opozitën, anëtarë të regjimit dhe Forcave Demokratike Siriane.

Sipas kësaj qendre, aktualisht Fondacioni për Mbrojtjen e Vlerave Kombëtare që njihet si një entitet pranë shërbimeve sekrete ruse ka organizuar një sondazh në Siri për të vlerësuar opinionin. Që nga fillimi i ndërhyrjes së vet në Siri, Moska ka qenë e angazhuar që të shmangë perceptimin se është një mbrojtëse e Assad, duke theksuar se “do të jetë populli sirian që do të vendosë nëse Assad do të qëndrojë apo jo në pushtet”.

Duket se në këtë drejtim Rusia ka dështuar, pasi në përgjithësi sukseset ushtarake të Assadit i dedikohen asistencës ruse dhe është disi e pamundur të kuptohet sesi aleati ushtarak nuk shihet si mbrojtësi yt edhe pse mund ta ketë këtë qëndrim për synime taktike. Një arsye pse Rusia po kërkon largimin e Assadit është përcjellë nga agjencia ruse e lajmeve, Tass:

Rusia dyshon se Al-Assad jo vetëm është i paaftë të drejtojë vendin më tej, por gjithashtu ai po e tërheq Moskën drejt një skenari afgan

Sipas agjencisë në fjalë, Rusia po shikon edhe skenarë të tjerë si p.sh njohja e zonave të influencës së fraksioneve të ndryshme që do të thoshte de facto ndarje dhe dështim i premtimit së treshes Rusi-Turqi-Iran për krijimin e një kushtetute dhe mbajtjen e zgjedhjeve. Nga ana tjetër ky skenar provon se ndërhyrja ruse është e dështuar pasi ai ka qenë në tryezë edhe kur në Siri vepronin forcat perëndimore.

Një tjetër skenar thuajse ideal është tërheqja e të gjitha forcave të huaja dhe pranimi prej grupeve të ndryshme i unifkimit të vendit sipas Rezolutës nr. 2254 të OKB-së.

Siç duket Rusia ka arritur një sukses relativ ushtarak në Siri, por asgjë nuk siguron shndërrimin e tij në sukses politik. Ambasadori rus, Aleksandr Aksenenok shkruan se përpjekja ushtarake e Rusisë për të spastruar vendin nga brigadat terroriste ka rezultuar një synim i ndërlikuar që përplaset me interesin e Turqisë për krijimin e një zone tampon në kufi. Nga kjo pikëpamje në Siri askush nuk është aq i fuqishëm sa të diktojë vullnetin e vet, ndërkohë që edhe sikur kjo të ndodhte asksuh nuk mund të garantojë se edhe aty nuk zë fill skenari iraken i destabilizimit të pafund, një situatë ku do përfitonte vendi që më shumë di ta menaxhojë destabilitetin: Irani.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.