Mëshira

Postuar në 04 Maj, 2020 02:15
Gilles Deleuze

 

Mëshirë për mishin e therur! Mishi i therur është pa asnjë dyshim objekti eminent i mëshirës së Bacon(Francis Bacon, piktor i shekullit të 20-të), i vetmi objekt i mëshirës, mëshirës së tij anglo-irlandeze. Dhe në këtë pikë, Bacon është si Soutine(Chaïm Soutine, piktor hebre franko-lituanez i shekullit të 20-të), me mëshirën e tij të madhe prej hebreji. Mishi i therur nuk është mish i vdekur, ai ka ruajtur të gjitha vuajtjet dhe ka marrë mbi vete të gjitha ngjyrat e mishit të gjallë. Ka shumë dhimbje konvulsive dhe dobësi, por edhe shpikje magjepsëse, ngjyrë dhe akrobaci. Bacon nuk thotë “mëshirë për kafshët”, por çdo njeri që vuan është mish i therur. Mishi i therur është zona e përbashkët e njeriut dhe kafshës, zona e tyre e shkrrijes së tyre; ajo është ai “fakt”, ajo gjendje e veçantë në të cilën piktori identifikohet me objektin e tmerrit dhe mëshirës së vet.

Piktori është një kasap, sigurisht, por ai qëndron në thertoren e tij si në një kishë, me mishin e therur si Kryqëzim. Vetëm në thertore shohim një Bacon piktor religjoz. “Imazhet e thertoreve dhe mishit të therur më kanë impresionuar gjithnjë. Më duket të lidhura drejtpërdrejt  me Kryqëzimin...Çfarë jemi tjetër veçse kufoma potenciale? Kur hyj në një thertore mahnitem përherë për faktin se nuk jam unë i varur atje, në vend të kafshës”.

Në fund të shekullit XVIII romancieri Moritz, përshkruan një personazh me “ndjenja bizarre”:

një ndjesi ekstreme izolimi, një pështjellim shumë afër asgjësë; tmerri nga një torturë e plotë kur asiston në ekzekutimin e katër burrave, “të asgjësuar dhe shqyer”; rrobat e gjakosura të këtyre njerëzve “të hedhur mbi rrotë” apo mbi parapet; bindja se kjo gjë na përket edhe neve, se secili prej nesh është mish i therur i flakur tutje dhe spektatori është tashmë brenda spektaklit “plot me mish ambulant”; që këtej ideja se edhe vetë kafshët janë njerëz dhe se ne jemi kriminelë apo bagëti; dhe pastaj ajo magjepsja jonë me kafshën që vdes, “një viç, koka, sytë, turiri, flegrat...dhe ndonjëherë ishte kaq i përthithur në vëzhgimin meditues të kafshës, saqë besonte me të vërtetë se kishte provuar për një çast llojin e ekzistencës të asaj qenieje...;me një fjalë të dish nëse mes njerëzve ai ishte një qen apo një kafshë tjetër...mendonte shpesh gjëra të tilla që nga fëmijëria”.

Faqet e shkruara nga Moritz janë të shkëlqyera. Nuk bëhet fjalë për një përshtatje të njeriut në kafshë, as për ndonjë ngjashmëri, më shumë është fjala për një identitet bazë, për një zonë ku shkrihen dallimet, më e thellë se çdo identifikm sentimental: njeriu që vuan është një bishë, bisha që vuan është njeri. Ky është realiteti i të nesërmes, i asaj që do të vijë. Cili njeri, revolucionar në art, në politikë, religjion apo në çdo fushë tjetër, nuk e ka paralajmëruar momentin ekstrem në të cilin nuk ishte gjë tjetër veçse një kafshë, duke u bërë kështu përgjegjës jo për viçat që vdesin, por përpara viçave që vdesin?  

Burimi: Quodlibet

Përkthimi: ResPublica

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.