Të vetëdeleguarit e përjetshëm për çështjet e lirisë shtypit

Postuar në 03 Maj, 2020 20:31

Sot ishte dita e Lirisë së Shtypit. Kush e dinte vallë se ka edhe një ditë të tillë? Ja që e paskan vendosur një të tillë, si mundësi për të bërë protagonistin sezonal. Çfarë do të thotë dita e Lirisë së Shtypit? Askush nuk e di me siguri. Me siguri dihet mënyra si kujtohet kjo ditë në Shqipëri. 
Me deklarata, mesazhe, shënime, intervista të gazetarëve të rracës, zërave të fuqishëm të mendimit kritik me honorare, titanëve të paepur të luftës për pakëz dritë në këtë vend. 

Intervista që përsërisin të njëjtat statistika. Në Shqipëri ka aq e ka kaq gazetarë, kaq paguhen ashtu e aq hiqen nga puna. Flitet me termat e mjerimit profesional dhe financiar, për shtypje, autocensurë duke prezumuar se mes gazetarëve po shpërthen dashuria për lirinë. 
Ky është një teatër që nuk hahet më. Është kafshata e mjerimit të atyre që nuk bënë dot karrierë gazetari, por ia dolën që me kësi shpikjesh konvencionale datash dhe ditësh të ndërtojnë një profil publik pas të cilit nuk qëndron shqetësimi, por protagonizmi.

Janë të njëjtat fytyra që prej 20 vjetësh flasin e flasin për gjendjen, premtojnë se do ta bëjnë qeverinë për një lek, sapo t’u jepet mundësia, denoncojnë në hava padrejtësitë dhe befas gjatë gjithë vitit i sheh nëpër studio dhe takime me ata përfaqësues politikë të cilët i akuzojnë se ashtu është një muhabet. 

Flasin për reporterët që kaq shumë i duan dhe merakosen. Janë të vetëdeleguar të përjetshëm për çështjet e gazetarisë, miq të pronarëve, të cilëve u shkelin syrin. Tregojnë historinë e vet dhe të njëri-tjetrit kudo ku i takon, ndërsa rolin e petritit e kanë lënë për data të shënuara si këto të Ditës së Lirisë së Shtypit.

Reporterët nga ana  e tyre janë vuvosur në heshtjen e 15 ditëshit, ndoshta kanë drojen se nuk dinë të flasin, se për ta duhet të flasin korifejtë që është për të qeshur por janë edhe pedagogë të gazetarisë. Dhe vazhdon kështu ky ritual grotesk ku këta përfaqësues të zhurmshëm shfaqen si dashnorë të lirisë, por në fakt janë dashnore të çdo pushteti. Sidomos të parasë. Teksa disa prej tyre janë viktima të perceptimit që kanë mbi median, të cilën as e njohin por thjesht flasin “në parim”. 

s.zaimi

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.