Vendimi në Kosovë, një shembull tjetër për nevojën e largimit të Dvoranit nga sistemi

Postuar në 01 Maj, 2020 19:45

Vendimi i sotshëm i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës risjell në vëmendje rëndësinë e një institucioni të pavarur që garanton interpretimin final të Kushtetutës. Ka ndodhur një gjë shumë e rëndësishme: në Kosovë u rrëzua qeveria me një një manovër politike që mban era puç. Puç sepse më tepër sesa zgjidhje e një krize, largimi i LDK-së nga aleanca me VV-në shfrytëzoi një pretekst të provokuar. 

Këtu hyri në lojë edhe presidenti i Republikës që thjesht e shtyu deri në fund qeverinë duke pretenduar se po zbaton kushtetutën. Mirëpo Kushtetuta ka edhe frymë, vendimet nuk janë kopje të ngurta të dispozitave, ato duhet të kenë edhe konsensusin e arsyes politike që interpreton në mënyrë ta paanshme interesin publik. Ndaj mungesa e këtij dimensioni dhe shndërrimi i vendimeve në zbatim të verbër të neneve krijon një lloj katekizmi juridik që shërben si alibi. 

Ky moment i shërben edhe shumëkujt në Shqipëri për të kuptuar rishtas se çfarë pasojash ka mungesa e Gjykatës Kushtetuese. Ne dëshmuam për muaj të tërë konfliktin presidencë-qeveri për shumëçka dhe ndarja e opinionit erdhi pikërisht pse vendit dhe përballjes i mungonte arbitri final dhe i pakontestueshëm. Çështje të tilla si Astiri, teatri e të tjera, do të kishin kaluar pa ekseset politike që dëshmuam, nëse do të kishim Gjykatë Kushtetuese. Është një mungesë që faktorizoi presidentin dhe nxori në pah një vullnet malinj të shumicës e cila nuk po donte të pranonte asnjë kufizim për vendimet e veta. Madje as edhe një kontroll. 

Në këtë kuadër merr tjetër vlerë roli i një individi si Ardian Dvorani që siç u pa nga Komisioni i Venecias, ka provokuar krizë të posaçme në Gjykatën Kushtetuese me manovrat e veta, duke vonuar konstituimin e saj dhe duke provokuar aksidente groteske si betimi me postë, apo ndryshimet ligjore antikushtetuese për betimin e gjyqtarëve. 

Këtij individi i kanë lënë disa ditë kohë që të shprehë argumentet e veta në mbrojtjen e akteve që i sollën kaq dëme vendit, ndërkohë që çdo normë qytetarie kërkon largimin e tij të menjëhershëm nga sistemi dhe deklarimin publik si një investim shumë i keq i shumicës mbi të. Nuk ka asnjë mbrojtje që të mund të sjellë konsensus ndaj një individi të tillë, e mira e vetme e të cilit është se shembullizoi në mënyrë trashanike – ndaj edhe kaq të kuptueshme për të gjithë – atë që përflitej gjerësisht: se reforma në drejtësi ka lindur e vdekur. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.