Imunë vs Të Infektuar, rreziku i metaforave të reja

Postuar në 01 Maj, 2020 16:09
Intervistoi: Alessandro Zaccuri

 

Massimiliano Valerii, filozof, intelektual dhe drejtor i Censis në Itali ka dhënë një intervistë për gazetën “Avvenire” përmes së cilës jep disa mendime për pasojat “e paparashikuara” të kësaj epidemie që po përjeton njerëzimi. Valerii vëzhgon atë që ka ndodhur me diskursin publik që tashmë “është hegjemonizuar nga virlogët dhe epidemiologët”, çka  rrezikon që të prodhojë metafora të reja politike mishëruar në kundërvënien sociale “imunë” “të infektuar”. Një pasojë kjo që ilustron më së miri se pandemia katalizon zhvillime shumë më komplekse sesa ato te shëndeti dhe ekonomia. Ishte megjithatë një gjuhë e pashmangshme…

Po ndodh edhe tani?

Sigurisht, vetëm se kësaj radhe gjuha dominuese nuk është më ajo e letërsisë apo e filozofisë, por e shkencës. E mjekësisë për të qenë të saktë. Në një kohë shumë të shkurtër diskursi publik është nën hegjemoninë e deklaratave të virologëve, epidemiologëve me pasoja imediate dhe evidente: distancimi social, karantina. Masa të domosdoshme në ashpërsinë e tyre, të jemi të qartë, sikundër është e domosdoshme, me afrimin e të ashtuquajturës Faza 2, që të dëgjohet mendimi i ekonomistëve, i ekspertëve të punës dhe financës. Edhe pse nuk jemi ende në gjendje për ta vlerësuar, e dimë që ndikimi mbi indin social do të jetë shumë i fortë, se papunësia është e destinuar të rritet dhe se do të manifestohen forma të reja të varfërisë në muajt që do të vijnë. Pra, deri më tani pandemia ka folur me gjuhën e mjekësisë dhe të ekonomisë.

Ishte e pashmangshme, nuk jeni dakord?

Po, por mund të mos mjaftojë. Tani është politika që duhet të marrë fjalën. Përkundrazi, ka nisur ta bëjë në një farë mase. Dhe është një kalim shumë delikat që prezanton shumë rreziqe.

Cilët?

Më i madhi sipas meje, është që terminologjia e adoptuar deri më tani në fushën shkencoro-mjekësore të përkthehet në metaforë politike, apo më keq akoma, në kategori politike. Kam parasysh kontrastin mes të infektuarve dhe imunëve, që edhe para përhapjes së koronavirusit ishte bërë pjesë e repertorit të ekonomisë(kujtoni frikën se Greqia mund të “infektonte” vendet e tjera të BE-së?), me efekte të dukshme edhe në mjedisin politik. Lufta e Dytë e Ftohtë, lufta tregëtare SHBA-Kinë, strategjia e mureve, rikthimi i nacionalizmit: janë sinjale që kemi dashur t’i interpretojmë në vitet e shkuara dhe që nën goditjen e CoVid-19, fitojnë një kuptim edhe më shqetësues.

I trembeni revanshit të imunëve kundër të infektuarve?

Kam frikë se nuk po llogaritet fakti se jemi në udhëkryq, në një situatë kaq delikate ku një drejtim nuk vlen më shumë se tjetri. Nga njëra anë politika mund të gjejë strehë në logjikën e imunitetit me çdo kusht, duke iu dorëzuar ekuacionit që e bën tjetrin një armik, përherë dhe pavarësisht. Nëse do të ndodhte kështu, nuk do të ishte gjë tjetër veçse t’i dorëzohemi një mentaliteti që zvarritej mes nesh edhe para pandemisë dhe që jo rastësisht kishte çuar në krijimin e shprehjes “shoqëri e mërisë”. Çështja është se, nëse shihet objektivisht, emergjenca në veprim aktualisht, na shtyn në drejtim të kundërt.

Për çfarë e keni fjalën?

Për shtegun tjetër që lind nga qenia në udhëkryq, për rrugën tjetër që mund të ndjekim dhe që e përsëris, po na e tregon pikërisht koronavirusi. Gjendemi para një momenti global kritik që kërkon përballimin në shkallë globale. Instrumentet që mund të disponojë një shtet, për aq sa varet në mënyrë sovrane nga vetja, nuk mjaftojnë për të menaxhuar një dramë të këtyre përmasave. Tani për tani, apeli për solidaritet kombëtar është akti më racional dhe i përshtatshëm.

Përse duhet kaq shumë për të ndjekur këtë rrugë?

Për arsye të ndryshme, kryesorja e të cilave konsiston ndoshta në faktin se preteksti i autonomisë kombëtare mbështetet mbi një sentiment të përgjithësuar të individualizmit apo nëse preferohet, të vetëkonsistenës së Unit. E transferuar në mjedisin politik, ajo justifikon Brexit, shpjegon rrjedhën autoritare të një vendi si Hungaria. Të gjithë elementë që dobësojnë BE-së pikërisht në momentin kur Unioni vetë do të duhet të ishte më i fortë.

Ka nga ata që shpallin deri edhe fundin e globalizimit…

Por në këtë mënyrë ngatërrohen planet. Në shumicën e rasteve profetët e fatkeqësive nuk bëjnë gjë tjetër veçse denoncojnë inkosistencën e asaj që ka kaluar, apo do të mund të ishte; ky është kontributi i tyre në një proces tek i cili denoncojnë defektet pa pranuar të mirat. Nga rënia e Murit të Berlinit e më pas, Prodhimi botëror është rritur me 124%, fluksi i eksporteve është katërfishuar, investimet e huaja janë rritur me gjashtë herë, personat që jetojnë poshtë kufirit të varfërisë kanë zbritur nga 36% në 10% të popullsisë së planetit. Kurrë më parë në histori nuk kemi njohur progress kaq të madh në një kohë kaq të shkurtër. Çështja që duhet përballur do të ishte tjetër: reduktimi i distancave në nivel ndërkombëtar është shoqëruar me rritjen e pabarazive brenda vendeve të veçanta. Nuk ka dyshim se është urgjente nevoja e korrigjimit, sidomos për sa i përket konfliktualitetit social dhe ruajtjes së mjedisit, por duhet nisur nga rezultatet. Përndryshe do të biem në të ashtuquajturin “paradoksi i Bauman”, ose ndryshe në një kritikë të neoliberalizmit që duke mos ja dalë të zhvillojë vetë një kundërpropozim efikas, ia dorëzon sovranistëve dhe nacionalistëve pakënqaësinë e shumëkujt që ndihet i harruar apo I tradhëtuar nga globalizimi.

***

Qysh tani ne po paguajmë një çmim shumë të lartë. Dhe është për këtë arsye që duhet të fillojmë të projektojmë të ardhmen.

Si?

Duke ushqyer dhe ndarë shpresën, që sot më shumë se kurrë konfigurohet si ushtrim racionaliteti dhe si marrje përgjegjësish.

Përkthimi dhe titulli: ResPublica 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.