Një ushtar që sillet si protagonist

Postuar në 25 Prill, 2020 19:41

Nëse ka në Shqipëri një biçim politikani që bën protagonistin e punëve të tjerëve ky është kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj. 

Pa dashur të fyejmë personalisht zotërinë, sjelljë e tij publike është dëshmi e fakti se zoti Veliaj është i gatshëm të paguajë çdo çmim për ëndrrën e tij në sirtar për t’u bërë dikur kryetar i PS-së apo kryeministër. Dikush duhet ta këshillojë se drejtimi lidhet me identitetin publik dhe personal, me natyrën sfiduese dhe jo me levantinizmin e çuditshëm apo katapultimin. Lulzim Basha është shembulli i qartë për këtë. Sepse nuk mund të pretendosh të jesh në vend të parë dhe të sillesh si çiraku më i fundit. 

Një shembull I këtij protagonizmi kutur është deklarimi i sotshëm i kryebashkiakut për nisjen e punimeve në sheshin “Shqiponja” në Tiranë. Është ajo vepër për të cilën pati protesta për rreth dy vjet. 

Kishim vullnetin të shkonim përpara me këtë projekt, ndaj i jam shumë mirënjohës kryeministrit, ministres së Transportit, të gjithë stafit, drejtorit të Rrugëve, sepse patëm një mobilizim të jashtëzakonshëm, edhe me mbështetjen e policisë, për të thyer një bllokadë pa kuptim. Në fakt, duke qenë se janë mbushur 2 vjet që kur filloi kjo histori, sot do të vinim për ta inauguruar. Është fatkeqësi e madhe sesi humbasim kohë dhe fillojmë punë atëherë kur duhet ta kishim mbyllur veprën. Ajo që dua të ilustroj me këtë është se, çfarë i bën shqiptari-shqiptarit, nuk ia bën as tërmeti, as virusi. Pra, jemi të këqinjtë e vetes. Nëse një minorancë shqiptarësh e ka ndarë mendjen që do të bllokojë punët, mund ta realizojë këtë, dhe dy vite u realizua. Megjithatë, nuk dua ta mbajmë kokën pas, do ecim përpara

tha ndër të tjera Veliaj. 

Fjali bajate të një populisti dy lekësh që merr ndonjë citat andej, ca referenca dhe shfaqet me gjuhën e dikujt që flet me gjuhën e popullit. Problemi në këtë rast është shumë serioz, sidomos në raport me dikë që pretendon të marrë pushtetin politik. 

Projekti në fjalë u konfirmua zyrtarisht se ishte tërësisht korruptiv, pa folur për shifrat e 20 milionë për km. Dhe që ishte korruptiv e provon fakti se superministri Damian Gjiknuri, një politikan që nuk i intereson asgjë veç përparimit të Shqiprisë, u largua nga detyra pasi doli në sheh se letrat e Avjol Dobit ishin letra bakalli që mbulonin transferta për të cilat prokuroria e drejtuar nga militantë nuk ka bërë asgjë për t’I zbardhur. 

Pra zoti kryebashkiak nuk e kujton fare këtë element të këtij projekti. Jo, ai është fare i verbuar nga nevoja e projektit duke menduar ndoshta se është duke hapur një vijë uji në bahçen e vet dhe se procedurat ligjore, rregullat, normat as duhen fare. Për një kryebashkiak që ka personalitet dhe me të vërtetë është zgjedhje e qytetarëve do të duhej të protej distancimi nga afera të tilla. Por pse duhet të tregehemi naivë dhe të presim që nga misri të bëjmë bukë gruri?
Së dyti, protesta e zhvilluar ishte e motivuar në fillesë nga mosdëmshpërblimi i drejtë. Në fund të fundit u provua katërcipërisht në zonën e Astirit dhe të Shkozës se legalizimet ishin bërë sipas parimit “ca të njerkës e ca të nënës”.

Ndaj ata që protestonin për shtëpinë e tyre bënë një akt mëse normal nga i cili hoqën dorë kur u sqarua problemi i dëmshpërblimit. Ku qëndron këtu e keqja që i ka ardhur progresit të cilin z. Veliaj e ka muzën e vet të përditshme? 

Është detyra e të gjithëve që të ndëshkohet me votë një larvë politike dhe publike që nuk ka asnjë skrupull dhe që mendon se nervat dhe morali janë një atavizëm I shekujve të Mesjetës. Lexoni më poshtë sesi përsërit në mënyrë banale të njëjtin refren: 

Unë them se shumë kauza që janë përdorur politikisht, duke filluar nga lodrat te Sheshi, te Pazari, te Kalaja, te Bulevardi i Ri, te Astiri, nesër te Teatri, janë kauza komplet artificiale. Shumica e njerëzve do që vendi të ecë përpara, beson te puna dhe beson që Shqipëria ka humbur shumë kohë ndër vite dhe se ky është momenti të rikuperojmë kohën e humbur

E vërteta është pak më ndryshe. Teatri nuk është kauzë artificiale dhe as është kundër këtij individi që është ushtar në një lojë të dikujt tjetër. Sepse zoti Veliaj e ka detyrim të përgjigjet për faturat e kripura, për zgjedhjen e kompanisë “Fusha” por edhe për këmbënguljen e kurdisur të tij për të shpallur se tearei vetëm duhet prishur. Një kryebashkiak nuk bën zevzekun, por dëgjon edhe komunitetin. Ai komunitet që është. Problemi me mëtë individ që livadhis nga një televizion në tjetrin është se punët e tij nuk auditohen, ose auditohen dhe nuk hetohen. Pasi përndryshe do kishim parë ca thinja të shtuara në kokën e këtij njeriu që është fatkeqësi e një kryeqyteti. Me alibinë e vetme kuptohet se paraardhësi i tij nuk ekzistonte. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.