Një histori e shkurtër e sektit të Hashashinëve

Postuar në 24 Prill, 2020 13:57

Historia e sektit shiit Hashashin shkon pas në kohë në vitin e vdekjes së Imamit Jafar al-Sadiq. Sekti është degë e një sekti tjetër, atij Ismailit Nizari dhe emri i tyre që rrjedh në origjinal nga termi Asāsiyyūn – besimtarë të themeleve të besimit, ose besimit të vërtetë – asociohet me termin anglisht assassin që do të thotë vrasës. Kjo për arsye se për rreth dy shekuj ky sekt i përqendruar kryesisht në Persi përhapte terror dhe përdorte taktika eliminimi fizik të veçanta. Në të vërtetë për emrin e sektit ka disa teori mes të cilave edhe ajo e përdorimit të hashshit si stimulues, apo e një rrjedhimi nga një term tjetër që ka kuptimin “ata që mbrojnë kështjellën”.

Historia zë fill me ndarjen që lindi mes shiitëve me vdekjen e imamit al-Sadiq që konsideronin se djali i madh, Ismaili që kishte vdekur para të atit, duhet të ishte imami pasues dhe atyre që mendonin se djali i tretë i tij, Musa al-Kadhim duhet të ishte imami. 

Grupi i parë u quajtën Ismailitë, kurse i dyti Të Dymbëdhjetët. 

Në vitin 909 Ismailitët krijuan kalifatin e parë shiit që shtrihej nga Afrika e Veriut në Kevant, Persi dhe Azi Qendrore. Ky formacion njihet në histori si Kalifati Fatimid, emërtuar kështu për nder të Sayydah Fatima, vajza e profetit  Muhamed. Qendra ishte në Kajro. 
Pak përpara vdekjes në vitin 1094, kalifi i tetë fatimid, al-Mustansir Billah, rekomandoi që froni t’i kalonte djalit të madh të tij, Nizar. Por djali më i ri i tij kapi fronin me ndihmën e kreut të ushtrive të kalifatit, Badreddine al-Jamali. 

Pas këtij puçi, Nizar u burgos dhe u vra në vitin 1095. Djali i tij, al-Hadi emigroi në Iran ku gjeti mbështetjen e misionarit Hasan al-Sabah, që ishte pjesë e Të Dymbëdhjetëve, por që u konvertua në Ismailizëm. Ky misionar shpalli si detyrë rivendosjen e të drejtave për fronin të Nizarit dhe pasuesve të tij dhe në këtë kuadër krijoi sektin Ismailit Nizari bashkë me fedajinët, ose guerilasit që u njohën si Hashashinët. 

Si pikënisje të veprimeve të tij, al-Sabah përdori kapjen e Kështjellës së Vdekjes, një fortesë në malet Alborz. Aty ai jetoi për 35 vjet deri në vitin 1124 kur edhe vdiq. Kështjella u shkatërrua bashkë me bibliotekën e vet nga mongolët në vitin 1256 duke asgjësuar kështu shumë të dhëna për sektin.
Megjithatë një gjë është historikisht e provuar: nën drejtimin e Hasan-al Sabah që vetë kishte studiuar në Kajro nën Fatmidët dhe ishte dëbuar pse mbështeste Nizarin, Hashashinët zhvilluan një strategji të re ushtarake, duke shmangur konfrontimet direkte dhe duke e drejtuar goditjen e tyre drejt liderëve politikë, fetarë, ushtarakë përfshirë mbretër, ministra apo klerikë.

Zbatimin e kësaj strategjie e morën përsipër fedajinët – kërkuesit e vdekjes – që stërviteshin në kamuflim, spiunazh, aftësi kalërimi, teknika të vrasjes dhe më e rëndësishmja ishin të gatshëm të vdisnin për të arritur qëllimin e tyre. 
Ata rrallë mbijetonin në misionet e tyre dhe shumë prej tyre kryenin vetëvrasje për të shmangur kapjen nga armiqtë. Disa fedajinë arrinin të infiltronin në oborret mbretërore apo ushtritë kundërshtare dhe prisnin momentin e duhur për të goditur. Kjo strategji krijonte frikë dhe pasiguri të madhe tek kundërshtarët dhe përcaktoi legjendimin e tyre në kalifat, por edhe më gjerë. 

Në perëndim sektin e bëri të famshëm Marco Polo me Legjendën e Parajsës ku ai përshkruan një “kopsht sekret të parajsës” ku kënaqësitë fizike siguroheshin për fedajinët si pjesë e stërvitjes së tyre dhe indoktrinimit. 

Në shekujt në vazhdim Hashashinët u shfaqën në vende të ndryshme të botës dhe anëtarët e sektit u bënë të njohur si Nizarët dhe janë pjesa kryesore e myslimanëve Ismailitë. Sot sekti ka në drejtim më shumë 140 organizata joftimprurëse në 30 vende të ndryshme. Ato numërojnë rreth 58 mijë veta staf dhe rreth 20 mijë vullnetarë. 
Nga pikëpamja religjioze ata ndajnë shumëçka me grupet e tjera shiite. Besojnë në shtatë shtyllat e besimit. 

Në ndryshim nga shiitët e tjerë ata nuk besojnë në një imam të fshehtë që do të rikthehet  si mahdi – i drejtuar nga Perëndia – për gjykimin e fundit. Sipas traditës Nizari  është një imam i gjallë deri në fundin e kohës dhe Ali ibn Abi Talib dhe pasardhësit e tij konsiderohen të vetmit pasardhës të ligjshëm të Profeti Muhamed. 

Sot imami i tyre i 49-të është Shah Karim Husseini, apo ndryshe Agha Khan IV që e mori drejtimin në vitin 1957 dhe është i njohur për aktivitetet bamirëse dhe që njësoj si paraardhësi jeton në Francë.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.