Pandemia, java e tetë e karantinës mund të sinjalizojë fundin

Postuar në 21 Prill, 2020 19:41

Ka një debat thuajse global për fundin e kësaj pandemie. Një pjesë e madhe e shkencëtarëve thonë se garancia e vetme që të kthehemi në normalitet është vaksina, por ajo do të dojë kohë deri sa të realizohet. Aktualisht janë tri vaksina në testim nga të cilat ka më shumë shpresë, ndërkohë që thuajse të gjitha vendet e prekura po shtojnë stokun e respiratorëve dhe numrin e shtretërve. Në thelb po ndërtohen ngado spitale të posaçme kundër CoVid-19. P.sh dje Turqia njoftonte inaugurimin e një spitali me mbi 2500 shtretër në Stamboll si dhe prodhimin e afërt të mbi 5000 respiratorëve të zhvilluar në vend. Presidenti i vendit Erdogan e cilësoi këtë objekt dhe infrastrukturën e tij si dëshmi se Turqia ka kapacitete të përballojë e vetme një pandemi si kjo, ndërkohë që në tregun ndërkombëtar blerja e respiratorëve është bërë thuajse e pamundur.

Lidhur me fundin e epidemisë, data 4 maj është shenjuar nga Italia si vendi më i goditur si momenti i një hapjeje relative. Ndërkohë në Monza dhe në Bergamo janë mbyllur urgjencat e ngritura kundër koronavirusit. Në Serbi, një tjetër vend i prekur jo pak, epidemiologu kryesor Predrag Kon ka deklaruar se mund të flitet për fundin e epidemisë në javën e 8-të. Sipas tij java e shtatë është më delikatja, por pa sqaruar më tej se për cilat arsye ndiqet kjo kurbë.

Nëse krahasojmë Italinë, ajo shpalli karantinimin në datën 9 mars dhe po mendon ta lehtësojë atë me 4 maj. Që i bie diku te tetë javë në bllokim deri në uljen e kurbës. Duket se ka një lloj konsensusi mes epidemiologëve se karantina e plotë jep efekt real për dy muaj. Dhe në datën 4 maj edhe Shqipëria ka paralajmëruar hapje më të zgjeruar, ndonëse aktualisht një lloj lirie lëvizjeje është në fuqi dhe do të zgjerohet më 27 prill.

Nuk dihet nëse afrimi i stinës së nxehtë jep shpresë në këtë hapje, por nuk përjashtohet edhe fakti se virusi që nga dhjetori 2019 e deri më tani ka mbushur gati 6 muaj që po godet anekënd botës dhe është e pritshme që virulenca e tij të bjerë. Edhe pse askush nuk e di se çfarë do të ndodhë në vjeshtën e ardhshme.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.