Skaneri nxjerr të prekur ata që tamponi i nxjerr negativë, 5 propozimet e ekspertëve të PD

Postuar në 18 Prill, 2020 17:05

Grupi i ekspertëve që Partia Demokratike ka ngritur për koronavirusin ka dalë me disa propozime pas konstatimit se në disa raste, tamponi nuk ka nxjerrë si të prekur pacientë që në të vërtetë kanë rezultuar të infektuar kur u është bërë skaneri. Ekspertët e PD-së i referohen disa rasteve, kur skanerat kanë zbuluar raste të infektimit me koronavirus, pavarësisht se testet kanë dalë negative.

“Në Qendrën e Traumës u paraqitën dy pacientë të traumatizuar. Në ekzaminimin e zakonshëm me skaner u konstatuan dëmtime ekzistuese pulmonare, karakteristike prej Covid 19. Në testimin virusologjik (tampon) të metejshëm rezultojnë negative, pra ka një mospërputhje në diagnozë. Po të analizojmë dhe të dy rastet e mëparshme të aksidentuara nga Durrësi, gjejmë po kështu mospërputhje midis ekzaminimit skaner dhe atij me tampon”, thuhet në deklaratën e PD-së.

Një konstatim i tillë të çon në përfundimin se problemet serioze në zbulimin e të prekurve mund të bëhen shkak për përhapjen e infeksionit. Për më tepër, kjo i shton mundësitë që numri real i të prekurve të jetë shumë më i madh sesa ai që është raportuar.

Në këto kushte, ekspertët propozojnë:

—Së pari, në këto raste duhet kërkim i dyfishtë virusologjik (PCR) në një laborator tjetër me ripërsëritje të ekzaminimit pas 3-5 ditesh. Kjo normë tek ne nuk realizohet sepse gjithçka eshtë monopol i një laboratori, edhe pse janë mundësitë e shfrytëzimit të laboratorëve të tjerë për këtë test.

—Së dyti, pamja karakteristike nga skaneri i atij pulmoni mund të vazhdojë të qëndrojë gjatë mbas këtyre dëmtimeve virusale, pra rezultati negativ i “tamponit” nuk hedh poshtë diagnozën me skaner, pra as gjurmimin e domosdoshëm të kontakteve, gjë që nuk po bëhet.

—Së treti këta pacientë, ashtu si dhe depistimi në tërësi, kanë nevojë për analizat imunologjike IGG, IGM dhe IGA gjë e mundshme në një numër të konsiderueshëm laboratorësh, por që me gjithë insistimin tonë vazhdon të shpallet “e ndaluar”. Theksojme se “justifikimi” me certifikimin nga OBSH-ja të tyre, që po përdoret për ta bllokuar edhe këtë ekzaminim  vetëm në QSUT, është i pavërtetë. Veçse sot kur ka metoda të shumta të përcaktimit të antitrupave që nga imunokromatografia deri te ELISA; kujdes me përzgjedhjen!

—Së katërti, ky fenomen i zbulimit të dëmtimeve të mushkëtive prej Covid 19 nga ekzaminimet skaner për shkak të arsyeve të tjera, flet për moskorrespondimin e të dhënave zyrtare me numrin e të infektuarve në realitet, si pasojë e një niveli testimi me “tampon” shumë nën nevojat e vendit dhe mungesën e plotë të atij imunologjik, që nuk mund të tejkalohen vetëm me nga një pikë analizash. Duhen mobilizuar me rimbursim për qytetarët, të gjitha kapacitetet laboratorike në qendër e periferi për test, test, test.

—Së pesti, zbulimi i këtyre pacientëve me dëmtime të tilla në mushkëri, pra në stade të avancuara të sëmundjes, tregon një mosfunksionim të hallkave, duke filluar nga mjeku i familjes, që duhet të shndërrohet në një nga “motorët” kryesorë, si dhe për domosdoshmërinë e përfshirjes në këtë përballje për depistim e trajtim të të gjitha mundësive imazherike të vendit.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.