Do na fusë në burg, por si?

Postuar në 14 Prill, 2020 21:23

Shumica parlamentare ka miratuar së fundmi, ose ndoshta ka ndarë mendjen të miratojë normat e reja të legjislacionit penal për gjendjet e epidemisë. Një ndër pikat e diskutuara është edhe përhapja e infeksionit, infektimi i tjetrit që mund të sjellë vdekjen etj..
Pra kur veprimet kryhen me qëllim. Mirëpo si do të provohet një gjë e tillë? Duhet parë ligji pasi aty mund të gjesh edhe shpjegimet, por sërish ngjan abusrde të nisësh një proces të tillë që nuk verifikohet. Në fund të fundit unë mund ta kem sëmundjen dhe nuk e kam përhapur. Si vallë do të dënohem? 

Për sa i përket situatës aktuale të pandemisë së koronavirusit kjo çështje gjen shpjegim me një ilustrim. 
Që të mbash të mbyllur në karantinë një person duhet që ta kesh të provuar se është prekur nga CoVid-19. Dhe një gjë të tillë e bën testi i IShP-së. Mirëpo si i bëhet kur ka njerëz që janë të prekur dhe nuk janë certifikuar si të tillë. Një bisedë me numrin 127 shkon pak a shumë kështu(personeli duhet falënderuar pasi bën atë që e urdhërojnë dhe nuk ka përgjegjësi përtej këtij detyrimi): 

Sa vjeç je? Ku punon? Çfarë shqetësimesh ke? 
Dakord, po të doni mund të sjellim dikë të bëjë tamponin…

Pastaj vazhdon biseda me udhëzime se çfarë duhet të bësh e qysh e tek. Asnjë pyetje e thelluar për vendin e punës, asnjë thirrje që me këto simptoma duhet të karantinoheni ose jo. Dhe duke mos konsideruar asnjë veprim, por thjesht “ne ua bëjmë tamponin” në fakt institucionet shqiptare provojnë se asqë kryejnë ndonjë hetim epidemiologjik. Ndryshe duhet të ishte. Në një sinjalizim të tillë, tamponi do të ishte i detyrueshëm, karantinimi po ashtu dhe që nga personi kontrolli mbi kontaktet.

Urgjenca jonë thjesht të përcjell duke lënë të kuptohet se “bëj hall”, ndërkohë që tanponet janë me mik dhe mbahen si ujët e pakët. Mundet të ketë edhe arsye për ruajtjen e stafit, por nuk luftohet një epidemi me rezultatet pozitive të atyre që shërohen në spitalin infektiv. Dakord po bëj hall, por pse qeveria nuk më lejon që ta blej privatisht testin, tanponin? Pse më privon mua nga e drejta e jetës, e kontrollit, por centralizon një proces të cilin e ka bërë tragjikisht qesharak. 

Të marr antibiotik? 
Fol me mjekun e familjes…

Testime masive ndoshta nuk duhen, por ama izolim i çdo vatre eventuale, patjetër që po. Kjo nuk ndodh, tamponet janë me kimet. Dhe teksa askush nuk të thotë se çfarë duhet të bësh, atëherë do bësh çfarë mendon. Dhe mundet edhe ta përhapësh sëmundjen dhe me këtë rast t’i thuash kryeministrit, ulsinjve dhe vasilikave të parlamentit: u dhjefsha mu në shtet!

Së dyti gjurmimi i një personi që ka probleme eventuale është menduar në disa vende të bëhet elektronikisht. Është ide e debatueshme, por më efikasja ama. Këtu ndoshta do jetë polici i zonës që do mbajë sytë nga hyrjet e pallatit se kush po kollitet e kush jo. 

Sigurisht që nuk të çudit aspak kjo që ndodh. Fundja jetojmë në vendin më të dështuar të Europës dhe ky episod thjesht sa e konfirmon këtë gjë. 
Deri tani fati, apo rrethana të tjera kanë favorizuar Shqipërinë në këtë pandemi, ka pak viktima, pasi po të jetë për të infektuar e sigurtë se situata është tjetër nga ajo që raportohet. E vërtetë edhe në Itali situata e tamponeve nuk është e mirë, por Italia u bllokua në spitale me të sëmurë. Këtë lloj emergjence Shqipëria nuk e pati, e megjithatë ata që marrin vendime, morën vendimin që dinë më mirë: pikatore. 

Sheh sesi funksionon një farë vendi si ky edhe për kaq gjë dhe të zë frika për fëmijët. Sesi mund të kalojnë brezat e sërish të vazhdojë zanati: shëndetësi me mik, duro pak, ja se po vijmë, shiko se nuk ka gjë për t’u shqetësuar. Të sigurtë ke vetëm burgun, 5 vjet, 10 vjet. Qen se po rrezikon jetën e shqiptarëve që kaq shumë i kemi përzemër. Të sigurta janë edhe Flamuri, gënjeshtrat dhe lavdia bajate e hajdutëve, fëmijët e të cilëve  shërbehen si e ardhmja. 

Këtë kanë vendosur ta quajnë shtet dhe ata që drejtojnë t’i quajnë njerëz me kontribute. Mirëpo është e qartë si drita e diellit dhe tani dielli shkëlqen si rrallë herë, se i vetmi kontribut ndaj së ardhmes tënde së paku është të ikësh sa më parë nga një vend ku gjellën e gatuajnë përherë ata që pështyjnë brenda. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.