Fundi i shëmtuar i angazhimit kino-amerikan

Postuar në 06 Prill, 2020 00:21
Orville Schell

 

Politika e angazhimit të Uashingtonit me Pekinin është përqafuar, me disa tronditje gjatë rrugës, nga tetë presidentë të njëpasnjëshëm amerikanë - një rekord i jashtëzakonshëm vazhdimësie. 

Qasja mori jetë në vitin 1972, kur Presidenti Richard Nixon, një antikomunist i zjarrtë dhe këshilltari i tij për sigurinë kombëtare, Henry Kissinger, u nisën për në Pekin për të bërë një propozim që do të ndryshonte rregullat e lojës: Shtetet e Bashkuara dhe Kina do t'i jepnin fund armiqësisë së tyre që zgjashte prej dekadash të tëra, për t’u bërë aleatë kundër Bashkimit Sovjetik. Ndërsa Nixon i tha kryeministrit kinez Zhou Enlai, i cili kishte refuzuar t’i jepte dorën ish-sekretarit të Shtetit, John Foster Dulles, në një konferencë në Gjenevë në 1954: “Nëse dy popujt tanë janë armiq, e ardhmja e botës është me të vërtetë e errët". Ai vijoi të këmbëngulte se të dy vendet kishin "interesa të përbashkëta" që kapërcejnë dallimet e tyre dhe se "ndërsa ne nuk mund të mbyllim hendekun që na ndan, mund të përpiqemi ta tejkalojmë atë në mënyrë që të jemi në gjendje të bisedojmë, pavarësisht tij". Ai e mbylli në mënyrë madhështore: "Bota i ka kthyer sytë nga ne, për të parë se çfarë do të bëjmë".

Bota i ka kthyer sërish sytë, por shumica presin një rezultat krejt tjetër. Dy fuqi gjigante që dikur dukeshin se po afroheshin më shumë me njëra-tjetrën, tani po largohen - nxitur nga politika dhe ndikimi i përhapjes globale të koronavirusit. Kjo ndarje kishte nisur, e nxitur si nga ideologjia e ngurtë e Presidentit Kinez Xi Jinping, edhe nga nacionalizmi i Presidentit amerikan, Donald Trump. Por ndërsa secili vend përpiqet të fajësojë tjetrin për krizën e koronavirusit, pasi bota bëhet e vetëdijshme për zinxhirët e furnizimit dhe brishtësinë e tyre, dhe ndërsa rendi global zhvendoset në mënyrë tektonike, Kina dhe Shtetet e Bashkuara po largohen gjithnjë e më shumë nga njëra-tjetra. 

Derisa Trump-i erdhi në pushtet, bota udhëhiqej nga Uashingtoni, që kishte zgjeruar bashkëpunimin me Kinën, veçanërisht në vitet pas vdekjes së Mao Ce Dunit në vitin 1976, kur Ten Siao Pin e angazhoi vendin e tij në një axhendë të guximshme të re të "reformës dhe hapjes ndaj botës së jashtme". Ata që mbronin këtë angazhim të ri shpresuan që kjo politikë do ta çonte Kinën drejt rendit botëror të bazuar në sundimin e demokracisë liberale, në mënyrë që me kalimin e kohës, kjo të konvergonte edhe më shumë me interesat e Shteteve të Bashkuara.

Të bindur për fuqinë joshëse të demokracisë dhe të “vënë në gjumë” nga premtimi i një harku historik në dukje të pashmangshëm që shkonte drejt hapjes, më shumë liri dhe drejtësi, amerikanët u prirën ta shikonin perspektivën e një konvergjence të tillë si gati të pashmangshme. Në fund të fundit, nëse Kina dëshironte të merrte pjesë në tregun global në gjithë kuptimin e fjalës, ajo nuk kishte zgjidhje tjetër përveçse të luante sipas rregullave në fuqi - dhe pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, kjo kishte kuptimin rregullat e Amerikës. Aq e sigurt ishte mundësia për një konvergjencë më të madhe, saqë filloi të flitej për të ashtuquajturën Kimerika (Chimerica) ose formimin e një dysheje. Këto premtime për një të ardhme më pak të diskutueshme lejuan që ndryshimet midis vlerave të Kinës dhe atyre të botës demokratike të minimizohen. Përkrahësit e këtij angazhimi të ri me Kinën e theksuan evolucionin e saj të ardhshëm nën ndikimin e fortë të reformave të saj ekonomike dhe paralajmëruan se një politikë e ashpër amerikane do të dëmtonte vetëm reformat e vendit.

Një konsensus i jashtëzakonshëm nisi të krijohej për temën e bashkëpunimit SHBA-Kinë, i tillë që tejkaloi kufijtë ideologjikë brenda Shteteve të Bashkuara. Në vitin 1979, Presidenti Jimmy Carter, i njohur si "presidenti i parë i të drejtave të njeriut" të Amerikës, injoroi abuzimet e shumta të të drejtave në Kinë dhe jo vetëm që e mirëpriti Ten Siao Pinin në Shtëpinë e Bardhë, por i rivendosi marrëdhëniet zyrtare diplomatike me ceremoni madhështore. Në vitin 1989, Presidenti George H.W. Bush u “përkul” për të ruajtur marrëdhëniet miqësore pas masakrës së sheshit “Tiananmen”, duke çuar dy herë Këshilltarin e Sigurisë Kombëtare, Brent Scowcroft, në Pekin për t'i kërkuar me ngulm Ten Siao Pinit moslejimin e prishjes së marrëdhënieve të vendosura me vështirësi mes dy vendeve.

Kur Bashkimi Sovjetik u shpërbë në vitin 1991 dhe angazhimit dypalësh i duhej një arsyetim tjetër, Presidenti Bill Klinton u nxitua pak. Pasi kishte premtuar se nuk do t'i "përkëdhelim tiranët, nga Bagdadi në Pekin", dhe kritikoi paraardhësin e tij se bënte "biznes si zakonisht me ata që vranë lirinë në sheshin Tiananmen", ai përfundoi duke përqafuar Presidentin Kinez Jiang Zemin, duke lobuar për të shtrirë statusin e "kombit më të favorizuar" për Pekinin, dhe madje duke ndihmuar për ta futur atë në Organizatën Botërore të Tregtisë. Klinton ishte presidenti i parë amerikan që e quajti këtë politikë të re "angazhim gjithëpërfshirës". Shpresa e tij ishte që sapo Kina të merrte injeksionin e kapitalizmit, do të pasonte demokracia.
Presidenti Barack Obama vijoi ta ndjekë këtë premtim, duke u përpjekur t’i japë një jetë të re kësaj marrëdhënieje duke e bërë sekretaren e Shtetit, Hillary Clinton, të siguronte Pekinin që administrata e tij nuk do të lejonte që pyetje të sikletshme si të drejtat e njeriut të ndërhynin në bashkëpunimin për ndryshimin e klimës dhe krizën ekonomike.

Korporatat dhe konsumatorët amerikanë përfituan nga këto politika, edhe pse vendi u detyrua të kompromentojë disa nga parimet e tij demokratike dhe të tolerojë një defiçit tregtar në rritje. Por Kina nxori përfitimin më të madh: Angazhimi neutralizoi Shtetet e Bashkuara si kundërshtare në një kohë kur kjo i leverdiste më shumë Pekinit. Gjatë atyre 30-vjetëve plus, Kina doli nga “flluska” e saj revolucionare, zhvilloi ekonominë e saj të brishtë, ngriti infrastrukturën e saj moderne dhe u bë pjesë e rëndësishme e institucioneve globale. Në një mjedis të mbrojtur, në të cilin u çlirua nga kërcënimi i luftës me një fuqi tjetër të madhe apo edhe armiqësi serioze, Kina jo vetëm që mbijetoi por lulëzoi.

Sidoqoftë, me ngjitjen në fron të presidentit Xi Jingping në vitit 2012, kimia e kësaj marrëdhënieje kritike dypalëshe filloi të ndryshojë. Xi e zëvendësoi parullën e tij të "ngritjes paqësore" me të tjera më sfiduese si "ëndrra kineze" dhe "Kina e rinuar". Këto ide parashtruan një vizion madhështor të një qeverie kineze shumë më pretenduese dhe me ndikim brenda dhe jashtë vendit. Por këmbëngulja e paepur e Xi-së në politikën e jashtme dhe autoritarizmi i tij i zgjeruar në Kinë shumë shpejt çuan në tëhuajsimin e Shteteve të Bashkuara, si dhe shumë partnerëve të tjerë tregtarë më të vegjël, të cilët e gjetën veten të mbërthyer në marrëdhënie gjithnjë e më të pabarabarta, dhe ndonjëherë edhe abuzive, shkëputjen e të cilave nuk mund ta përballonin.

Vizioni i ri ambicioz i presidentit Xi Jingping për një Kinë më agresive dhe më pak të penduar prodhoi një mori politikash të pakujdesshme: Ai pushtoi dhe më pas e militarizoi Detin e Kinës së Jugut; ktheu një brez të tërë hong-kongasish kundër Pekinit duke thërrmuar pa mëshirë autonominë e nivelit të lartë që iu ishte premtuar në vitin 1997; u bë antagoniste me Japoninë për ishujt Diaoyu /Senkaku, të cilët vendi i kishte administruar prej kohësh në Detin e Kinës Lindore; drejtoi avionët ushtarakë në Tajvan aq shumë saqë largoi edhe partinë dikur të besueshme pro-Pekin, Kuomintang; dhe në thelb e shndërroi Xinjiangun në një kamp gjigant paraburgimi.

Rezultati ka qenë jo vetëm marrëdhënie diplomatike më të tensionuara me Uashingtonin, një luftë tregtare dhe një shkëputje e elementeve të ekonomive të dy fuqive, por një shkatërrim i rrezikshëm i strukturës së bashkëpunimit transnacional të shoqërisë civile dhe madje edhe një ndërprerje e shkëmbimeve kulturore. E marrë e gjitha së bashku, Xi i dha Uashingtonit të gjithë municionin e nevojshëm për të riformuluar qëndrimin e saj prej fuqie që dinte të falte. Rezultati ka qenë një qëndrim zyrtar shumë më pak i favorshëm, i mbështetur nga një prej koalicioneve më të paparalajmëruara në politikën e SHBA: një front i bashkuar i republikanëve dhe demokratëve në Kongres, dy grupime që për pak gjëra bien dakord. Pa elementin katalitik të reformës politike kineze që ende është në përzierje, është e vështirë që tani shpejt të imagjinohet një konvergjencë kino-amerikane që rifiton besueshmërinë në Shtetet e Bashkuara. Dhe me divergjencën që zëvendëson konvergjencën, angazhimi nuk ka kuptim.
Por cila ishte logjika e z.Xi në zbatimin e politikave që e bënë angazhimin aq të jofunksional kur dy vendet po funksiononin kaq mirë? Çfarë e shtyu atë ta tjetërsojë aq shumë marrëdhënien me Shtetet e Bashkuara, kur ai nuk kishte nevojë ta bënte? Sigurisht, ka një numër të madh arsyesh specifike, por Xi asnjëherë nuk ka artikuluar një shpjegim gjithëpërfshirës që flet për interesin aktual kombëtar të Kinës. Më i besueshmi mund të jetë më i thjeshti: Nacionalizmi që tregon muskujt dhe projeksionet e të qenit fuqi shpesh ecin mirë brenda vendit, midis atyre që janë të prirë për krenari kombëtare. 

Por këto privilegje janë një luks që mund të rezultojë me kosto të lartë në kohë krize. Dhe ardhja e papritur e pandemisë së koronavirusit ka qenë vetëm një moment i tillë. Pamundësia fillestare e presidentit Xi për të menaxhuar krizën ka minuar si “aureolën” e tij si njeri moralisht i pathyeshëm, ashtu edhe burimin më të rëndësishëm të legjitimitetit politik të Partisë Komuniste Kineze - domethënë rritjen ekonomike. Shifrat e para nga Kina për periudhën janar-shkurt tregojnë një rënie të konsumit 20.5 për qind dhe një rënie prej 13.5 për qind të prodhimit në krahasim me një vit më parë. Edhe pse vendi po përpiqet të ringrihet, tregjet në pjesën tjetër të botës po mbyllen.

Megjithë përpjekjet kineze për ta cilësuar krizën si një fitore të propagandës globale, e ndihmuar nga reagimi i dobët ndaj epidemisë në Shtetet e Bashkuara - goditja e brendshme mund të jetë vdekjeprurëse, jo për regjimin parti-shtet por për vetë Xi, i cili e ka bazuar besueshmërinë e tij në menaxhimin e krizës. Fatkeqësisht, pandemia mund të përfundojë gjithashtu si goditje finale për marrëdhënien relativisht të qëndrueshme që Kina dikur gëzonte me Shtetet e Bashkuara.
Administrata Obama pati nisur ta rivlerësonte mençurinë e përpjekjes për të mbajtur funksional angazhimin në mënyrë të njëanshme, deri erdhi Trump dhe armata e tij e skifterëve në raport me Kinën (si Peter Navarro, Steve Bannon, dhe Michael Pillsbury) të cilët kishin paralajmëruar prej kohësh se një Kinë gjithnjë më agresive, autokratike dhe e mirarmatosur përbënte kërcënim të pashmangshëm për interesat kombëtare të SHBA.
Gjithashtu, sapo debati për shkëputjen nga zinxhirët e furnizimit të Kinës nisi të zhvillohej, koronavirusi ngriti kokën. Ndërsa linjat ajrore anuluan fluturimet, panairet u shtynë, turizmi u mbyll me shpejtësi, flukset e investimeve ndaluan, eksportet dhe importet u ulën, dhe shkëmbimet e teknologjisë së lartë u cunguan, debati nuk ishte më në dorë të ekspertëve të politikave ekonomike, por në ato të perëndive. Duke ndarë Shtetet e Bashkuara dhe Kinën pothuajse brenda natës, pandemia ka ringritur  debatin dhe i ka siguruar Trump-it dhe skifterëve të tij pikërisht sanksionet kozmike që u duheshin për t’i ngulur thikën e fundit asaj që qëndron në thelb të angazhimit - dhe mbase edhe gjithë nocionin e globalizmit si forcë pozitive.
Megjithatë, shumica e amerikanëve vazhdojnë të duan globalizimin në njëfarë forme - por ndoshta me Kinën që luan një rol shumë të vogël dominues. Tani që bizneset e ShBA-ve janë bërë skeptike ndaj angazhimit të stilit të vjetër, ajo politikë ka humbur nxitësit e saj të fundit. Edhe para krizës së koronavirusit, kompanitë u ndërgjegjësuan më shumë për rrezikun e të mbajturit të të “gjitha vezëve në një shportë” në kohën e luftës tregtare dhe filluan të diversifikonin prodhimin në Kinë dhe ta orientonin atë drejt ekonomive të tjera në zhvillim si Vietnami. Pandemia mund ta përshpejtojë akoma më tej këtë proces.

Ushtria amerikane, kishat, media, institutet kërkimore, shoqëria civile, madje edhe akademitë kanë parë që atëherë një mungesë të papritur të mbrojtësve të angazhimit kino-amerikan pasi kontaktet dhe mundësitë e vjetra janë shkëputur. Marrëdhënia SHBA-Kinë e ka gjetur veten pezull në një mjedis pa gravitet në të cilin si Xi dhe Trump, për shkak të mostrajtimit të mirë të sfidës virale, po përpiqen të gjejnë balancat për vete.
Për të qenë të sigurt, nëse virusi frenohet përkohësisht në Kinë, pasi statistikat e fundit për raste të reja duket këtë gjë sugjerojnë, Xi mund të pretendojë fitoren në vendin e tij. Dhe nëse përpjekjet e ShBA-së për të kontrolluar shpërthimin e epidemisë nën udhëheqjen e Trump vazhdojnë të ngecin, kjo veçse do t’i shtojë shkëlqimin presidentit kinez. Por reputacioni i Xi është dëmtuar jo pak, veçanërisht lidhur me kritikat për shtypjen e alarmit të ngritur nga profesionistë mjekësorë në Kinë, që mund të kishin penguar përhapjen e virusit. Nuk e ndihmon as fakti që drejtuesit amerikanë që nga Trump deri te Sekretari i Shtetit Mike Pompeo janë të vendosur ta quajnë pandeminë "virus kinez" për ta lënë përgjegjësinë atje ku ata thonë se i takon - dhe për ta hequr vëmendjen nga dështimet e tyre.

Fitore apo humbje, sidoqoftë, pandemia i ka dhënë presidentit Xi një justifikim si për testet në rrugë, ashtu edhe për të shtrirë një mori mekanizmash të rinj të kontrollit partiak dhe shtetëror. Aplikacionet e reja të koduara, me ngjyra, që përcaktojnë kush mund të lëvizë në to, skanerat e policisë për kontrollin e temperaturës, taktikat e reja të mobilizimit në masë, dhe mjetet digjitale të censurimit do t'i lejojnë shtetit të ndërhyjë edhe më tej në jetën e kinezëve në të ardhmen.

Nëse beteja kundër virusit del jashtë kontrollit sërish, pasi ai nxit punëtorët të kthehen prapë në linjat e montimit për të shpëtuar ekonominë e Kinës, Xi me siguri do të pretendojë se kërcënimet për mbijetesën e vendit dhe ekzistencën kombëtare tani janë përshkallëzuar në një nivel kaq të lartë kërcënimi saqë një qeveri edhe më e centralizuar, më e fuqishme, më intolerante dhe më kontrolluese është e vetmja rrugë që kinezët kanë përpara. Çfarëdo që të ndodhë me epideminë e Kinës, Pekini ka të ngjarë të dalë nga trauma e tij virale më autokratik, më i egër dhe më i prirur drejt konfliktit me rendin liberal demokratik, saqë shumë amerikanë e imagjinojnë me trishtim vendin e tyre si prijës.

Foreign Policy

Përgatiti: Gazmira Sokoli /TvT
 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.