Virusi do të ikë, sëmundja terminale e Shqipërisë do të jetë ende këtu

Postuar në 05 Prill, 2020 13:48

Kryeministri Rama shpërndan sot në Facebook një video sentimentale me ton moralizues dhe ekumentik. Jeta është e shkurtër, e përditshmja na ka rrëmbyer duke shtyrë njëri-tjetrin, pleqtë kishin të drejtë e të tjera si këto.

Z. Rama ka të drejtën e tij për të thënë çfarëdo lloj gjëje në Facebook vetëm se ky transformimi psikologjik i kryeministrit që po mendon për veten se është një lloj guruje është sinjal se nuk i kemi punët mirë në këtë vend.

Mesazhet paqëtuese të këtij njeriu, shoqëruar me video të vendeve që ai zgjedh, injorojnë faktin e rëndë dhe akuzues se ai qëndron në zemër të shumë problemeve që i janë krijuar këtij vendi në këto vite. Se ky vend është vjedhur dhe plaçkitur si rrallë herë më parë dhe se kjo lojë me predikimin është asgjë më shumë sesa një tjetër përpjekje tinzare për të manipuluar, për të nxjerrë kryeministrin në profilin e një babai që kujdeset për bijtë e tij.

Në fund, siç mund të pritet nga një mendje djallëzore dhe e ngushtë, video mbyllet me monumentin e Skënderbeut dhe flamurin shqiptar, duke e zhbërë mesazhin ekumenik në thirrje patriotike. Na bëhet apel që të mos harrojmë këtë që po ndodh sepse jeta qenka një rrahje gishtash.

E vërtetë. Kjo krizë na vuri në vështirësi, por jo pse nuk po takojmë njëri-tjetrin, por sepse ekonomia vdes pa lëvizjen. Jeta në këtë vend ka qenë me pak vlerë, është e tillë sot e kësaj dite dhe ajo nuk sugjeron asnjë lloj sfide. E vërtetë na mungon edhe kafeneja, por është patjetër një iluzion se ajo ishte pasuria jonë.

Zoti Rama po bën fushatë elektorale. Me gënjeshtrat vetësugjestionuese që duket se e kanë mbërthyer përfundimisht teksa po pretendon sikur të jetë duke parë para pasqyrës se ai është një misionar, se ai dhe vetëm ai mund ta drejtojë këtë vend. Është një përpjekje që synon ta bëjë të menduarin njëdimensional si refleks të kushtëzuar nga ngushtica e perceptimit, që synon të kufizojë horizontin e çdo shqiptari.

Virusi do të ikë, shpejt madje. Sëmundja është po aty, e njëjtë, vrastare e të ardhmes së këtij vendi dhe ajo ka sot fytyrën dhe emrin e një njeriu të vetëm që duket se ka rënë keq në dashuri me veten.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.