Merr një 20 mijë lekësh dhe bëj pazar, pastaj masat dhe kufizimet!

Postuar në 03 Prill, 2020 16:43

Kryeministri i  Shqipërisë Edi Rama tha se qiratë nuk duhen  paguar. Kush kërkon qiranë në marrëdhënie biznesi do gjobitet.  Pas reagimeve e korrigjoi. Tha se do paguhen me këste. Ky akt na njofton disa gjëra. Selektivitetin e strategjisë së luftës së pari. 

Kryeministri i Shqipërisë i quan budallallëqe kërkesat për anullim, pezullim të koncesioneve. As nuk pranon ta diskutojë një gjë të tillë. 

Të dyja janë marrëdhënie kontraktuale. Për njërën kemi ndalim, për tjetrën tolerim. Për njërën vlen gjendja e jashtëzakonshme, për tjetrën jo. 

Të kujtojmë në parantezë këtu se z. Rama as nuk bëhet fjalë të falë p.sh detyrimet si taksa apo faturat e energjisë dhe të ujit. Dhe me të drejtë. Por teksa shpallet këtu kategorik, pak javë më parë njoftonte amnistinë fiskale që është në fakt falje detyrimesh, jo sanksionesh mbi detyrimet e papaguara. 

Nuk po vëmë në dukje këtu aspektin social të apelit për qiratë, sepse ai është një diskutim tjetër. Këtu po del në pah se vendimet e një njeriu, pse të tilla janë, burojnë apo tradëtojnë mosnjohjen e realitetit. Mos ta ngatërrojmë këtë me intuitizimin e psikologjisë së turmës. 

Zoti Rama ndoshta i dallon kartëmonedhat shqiptare, por me siguri që nuk e di vlerën e tyre. Të bën të dyshosh lehtësia me të cilën ai flet për ndalimet ekonomike. 

Për ta bërë më konkret diskutimin: pak ditë më parë në media doli kancelarja Merkel në një qendër tregëtare. Çfarë do të thotë kjo përveç mesazhit politik? Do të thotë që zonja Merkel hyn në një pikë shitjeje, kap me dorë ilaçin e rrobave, shampon, pastën e dhëmbëve, sapunin dhe çorapet, shikon etiketat përkatëse të çmimeve, shkon në kasë, nxjerr kuletën dhe paguan. Që do të thotë se është pjesë e një 
Procesi bazik të çdo qytetari: konsumi ditor. Di çmimet, e di se çfarë i duhet në shtëpinë e vet. Thjesht e di edhe se çfarë do të thotë të jesh qytetar i zakonshëm. 

Nuk e kemi parë z. Rama, e me këtë rast as z. Meta, Berisha, Basha, madje as Taulant Ballën të hyjë në ndonjë market të blejë. Ndaj pyetja që lind në këtë rast është: E di z. Rama vlerën e 10 mijë lekëshit, 20 mijë lekëshit? 

Dyshojmë shumë që ta dijë. Ndaj është mirë për të dhe të gjithë ne që të marrë një 20 mijë lekësh e të dalë e të blejë për të parë se çfarë do të thotë të jetosh me lekët e tua në Tiranë, Shqipëri. Të paguajë edhe naftën e makinës tani që nuk ka transport publik, të bëjë porosi online etj.. 
Pasi të bëjë këtë le të flasë si gjeneralisimi i një lufte ku sillet si fitimtar. 

Lufta nuk ka mbaruar ende dhe nëse ky është gjenerali, duhet ta dijë, apo t’ia thonë se luftën e kanë humbur gjeneralë shumë të mirë, të cilëve u është vënë në dukje se dështimi ka ardhur për shkak të akademizmit dhe mungesës së kontaktit me trupën. Ndaj merr një 10 mijëshe z. Rama dhe dil e bëj pazar, pastaj fol për masa sepse do kuptohesh më mirë me njerëzit.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.