Pandemia që po hap rrugën e tregut të të dhënave

Postuar në 02 Prill, 2020 13:24

Bllokimi global i lëvizjeve dhe sfida e pandemisë së koronavirusit po vendos në axhendë prioriare disa alternativa që me gjasë do të përcaktojnë natyrën e problemeve që do të jenë themelore në të ardhmen. Modeli korean i gjurmimit të CoVid-19 për të kapur në kohë dhe izoluar pacientët dhe rrezen e tyre të infektimit ka rezultuar i suksesshëm, por ai ka pasoja serioze për privatësinë.

Korea e Jugut është një shoqëri e familjarizuar me përdorimin e teknologjisë dhe nuk ka qenë e përfolur në skandale të ndryshme të përdorimit dhe trafikimit të të dhënave. Në Perëndim, kompani si Google dhe Facebook janë në epiqendër të këtij trafiku që është një formë e skllavërimit dixhital që e shndërron eventualisht çdo individ në konsumator të orientuar.

Përdorimi I teknologjisë po nxjerr kështu në pah me forcë një anë të errët që vështirë se mund ta menaxhosh me ndërhyrje ligjore vetëm.

Dje p.sh u njoftua një nismë europiane për të përdorur një aplikacion që të njofton se ke qenë në kontakt me një person të prekur nga CoVid-19. Teksa virusi po analizohet përherë e më objektivisht për vdekshmërinë e tij dhe përhapjen, ai nga ana tjetër po trajtohet si murtaja e kohës sonë duke e përfshië në nomenklaturën e dukurive që perceptimi njerëzor i kategorizon si të rrezikshme dhe të patolerueshme.

Në këmbim të sigurisë personale dhe kohezionit shoqëror, kërkohet dorëzimi i të dhënave si p.sh kartela shëndëetësore dixhitale që u njoftohet edhe të tjerëve. Si do të përdoren këto të dhëna nesër, kur çdo gjë të jetë “normalizuar”? Disa mund ta kenë parasysh stigmën që ekziston ende ndaj njerëzve të prekur me HIV AIDS, apo nga sëmundje të tjera. Çfarë na sugjeron zilja e një aplikacioni të ri? Na njofton një kontakt që mund të ketë “korruptuar” shëndetin tonë dhe për pasojë na jep një mundësi që të vetëizolohemi dhe të diktojmë burimin e infeksionit. Është e vështirë të imagjinohet pasoja e këtij lloj sistemi paralajmërues që të kujton se duhet të kalosh në gatishmëri nr. 1, i mbikëqyrur nga ata që kanë kontroll mbi mbarë popullsinë. 

Kjo gjetje nuk ka fantazinë e kohës që jetojmë. Ajo është e vjetër. Thuhet se në Mesjetë të sëmurëve me lebër u vareshin në qafë e detyrim zile që të njoftonin të tjerët se ishin afër një të keqeje. Zilja pra ishte aplikacioni i kohëve të shkuara që bashkë me izolimin e detyruar, përjashtimin e imponuar krijonin arkipelagun e shoqërisë njerëzore të ndarë në të shëndetshëm dhe të sëmurë, të infektuar. U mendua se këtë e zgjidhi Spitali, por mesa duket kjo nuk është e vërtetë.

Herët apo vonë do të përballemi me pandeminë e të dhënave dhe këtë betejë e fitojnë jo vetëm më të fortët, por edhe ata që e kuptojnë rëndësinë e saj që në fillim.

Sot Reuters njoftonte se kompania e Elon Musk, SpaceX, ka kërkuar zyrtarshit ndalimin e pëdorimit të Zoom, një platformë e komunikimit online për takime apo mbledhje të ndryshme. Si një kompani që prodhon pajisje të aeronautike përdorimi i videokonferencave është një burim për rrjedhje infomacioni të klasifikuar dhe ky bllokim vjen ndaj një kompanie si Zoom që është krijuar nga një ish-inxhinier i Cisco Systems.

Në Itali po sugjerohet që gjurmimin ta bëjnë kompanitë celulare duke verifikuar distancat dhe kontaktet mes të sëmurëve dhe të shëndetëshmve. Një eksperiment që nuk dihet sesi do të marrë në kushtet kur të dhënat e marra tejkalojnë çdo synim pasi ato rindërtojnë itinerarin tonë ditor, kontaktet tona, jetën tonë të gjithën.

Është një kërcënim shumë serioz, i cili ndoshta tani nuk perceptohet por në të ardhmen e afërt patjetër që do të marrë forcën e një teme po aq të artikuluar sa edhe klima apo mjedisi.

ResPublica

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.