Virusi që nxori lakuriq politikën e shantazhit ndaj Kosovës për heqje taksash

Postuar në 31 Mars, 2020 21:16

Situata e tanishme e pandemisë na sjell në vëmendje në një dritë tjetër, të papritur disi, aspekte të debatuara të politikës. 

Sapo kriza mbërriti në Europë u bë e qartë se vendet adoptuan parimin e politikës së interesit kombëtar duke quajtur të tillë mbrojtjen e shëndetit të popullsisë brenda shtetit. Edhe pse sfida shpallet globale, refleksi ishte i ngushtë, brenda shtetit. Aq flagrante ishte kjo politikë, apo shprehi, saqë vende si Franca dhe Gjermania ndaluan eksportet e pajisjeve mjekësore. Nga ana tjetër u raportua se ShBA nisi një fushatë presioni në vende të Europës Lindore për të blerë ventilatorë.

Gjithë pra një përpjekje e gjithësecilit për interesin e vet. Për një çast terma dhe nocione si globalizmi, tregu, liria e tregut, tregëtia e lirë pushuan së ekzistuari. Nuk po zëmë në gojë atë që po ndodh me Italinë, por duhet të pranojmë se ky ishte një moment i turpshëm që nxori lakuriq atë që mohohet përditë. Se politika e atyre që predikojnë parimet e globalizmit, është asgjë më shumë se një interes i pastër tregëtar dhe pasurimi ngushtësisht nacional që nuk konsideron realisht dhe përtej aspektit strategjik po kështu nacional, nocionet e entiteteve tejkombëtare. Për një çast ne nuk pamë demokracitë në veprim, por shtete – komb që nxorën shpatën nga milli duke na kujtuar profilin e tyre historik. 

Ky moment do të mbahet mend sepse hipokrizia u shpalos në mënyrë demonstrative. Dhe për ne shqiptarët, apo ata që ndjekin zhvillimet politike, është më e qartë se kurdoherë se politika që luhet ndaj Kosovës për taksën ndaj mallrave serbe, heqja e të cilës arsyetohet me lloj – lloj argumentesh të tregut dhe të së mirës së përbashkt, është kryekëput një mashtrim që po synohet t’i imponohet më të voglit. 

Edhe presidenti Vuçiç që luan përherë me rolin e viktimës në këtë histori e hoqi në kurriz ftohtësinë e Europës duke rendur me vrap drejt partnerëve të tjerë. Duke parë këtë situatë është pak e vështirë që të mbrohet rrëzimi i Albin Kurtit në Kosovë për një taksë, kur këta që presojnë ndaj Kosovës janë të aftë të na lënë të vdesim të gjithëve derisa të zgjidhin punët e tyre. Është normale patjetër, por si vallë ta konsiderojmë këtë politikën europiane seriozisht dhe përtej interesit? Europa është shtëpia e më të pasurve dhe hauri i saj është zona e vendeve si ky yni, e mesa duket edhe Italisë që se begenisi kush.

Ndaj është më mirë që Europën ta tregojmë përmes prizmit të interesit të qartë ekonomik dhe jo përrallave me demokraci. Të kuptojmë këtu të gjithë edhe se çfarë roli mjeran kanë njerëz si Thaçi dhe Mustafa në këtë histori, pa folur për ndonjë kryeministër në Tiranë që nuk dihet se pse dhe çfarë luan në këtë politikë pseudoparimore. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.