Përmes check-up mund të bëhej testimi agresiv për CoVid19. Qeveria e pezulloi!!!

Postuar në 22 Mars, 2020 13:19

Që nga nisja e krizës së pandemisë së koronaviorusit në Shqipëri, diskutimi kryesor është përqendruar në mënyrën sesi po menaxhohet ajo nga qeveria shqiptare. Pak ditë më parë kryeministri shqiptar, Edi Rama foli për arsyet se përse nuk është adaptuar modeli koeranojugor i testimit agresiv dhe është menduar adoptimi i modelit kinez dhe italian të karantinimit masiv.

Sipas z. Rama modeli korean nuk aplikohet në Europë dhe testimi i përhapur ushqen prirjen e çdokujt për ta bërë një gjë të tillë duke vendosur eventualisht sistemin shëndetësor në krizë menaxhimi dhe pse jo kolaps. Z. Rama ka shtuar se karantinimi kufizon numrin e të infektuarve nga një virus që duke patur periudhë inkubimi nga 5 në 14 ditë mundëson kontrollin e situatës dhe ofrimin e shërbimit për ata persona që paraqesin probleme.

Ky shkrim nuk mëton të japë sugjerime apo të ngrejë pretendime se njëri model është më i mirë se tjetri, pasi jemi të sigurtë se z. Rama këshillohet nga ekspertë shumë të mirë dhe udhëhiqet nga vullneti më i mirë për t’ia dalë kësaj situate.

Ky shkrim thjesht tenton të vërë në dukje se Shqipëria për shkak të disa rrethanave juridike dhe vendimeve të z. Rama mund të shqyrtonte një mundësi të mirë të funksionalizimit të shërbimit të check-up në testimin e thelluar të popullsisë, në mënyrë të kontrolluar dhe shpejt, paralel me masat kufizuese. Kjo mendojmë do të optimizonte politikat e kësaj krize të madhe dhe shumëplanëshe.

Një gjë e tillë jo vetëm që nuk ndodhi, por e kundërta, në një vendim të papritur dhe në zbatim të klauzolave të kontratës konçesionare, qeveria ka pezulluar shërbimin e check-up për tre muaj. Si bazë ligjore është neni 41 që flet për Forcën Madhore. Mirëpo kjo kontratë nëse lexohet për atë që përcakton është një skemë e gatshme, efektive dhe elastike për ta përfshirë në trajtim shërbimin e testimit të CoVid19.

Çfarë thotë kjo kontratë e nënshkruar më 7 janar 2015 me kompaninë 3P Life Logistic sh.p.k. dhe cili është qëllimi i saj? Në pikën 1 të nenit 3.1.2 që quhet Paketa e Kontrollit Mjekësor Bazë parashikohet shërbimi:

...në matjen e parametrave biokimikë të njeriut ku përfshihen: formula e gjakut; Hb, HCT, MCV, MCH, MCHC; Kolesterol total, HDL kolesterol, LDL Kolesterol, triglyceride; glicemi; feçe për gjak okult; albuminuria, prania e qelizave, cilndrave, kristaleve në urinë; bilirubinë totale dhe direkte, transaminaza (SGPT, SGOT)

Gjithashtu:

Koncesionari “merr përsipër të pajisë Qendrat Shëndetësore me mjetet, pajisjet dhe materialet e nevojshme për kryerjen e kontrollit bazë, transportin e kampioneve nga Qendrat Shëndetësore në Laboratorët e ngritur nga Koncesionari, ekzaminimin e kampioneve dhe hedhjen e rezultateve në Sistemin Software”

Nga ky përshkrim mund të kuptojmë se koncesionari duhet të ketë ngritur infrastrukturën përkatëse, ta ketë vënë atë në punë dhe të gjenerojë në vijimësi të dhëna konkrete për subjektet e kontrollit. Ku dhe si mund të përfshihet në këtë kuadër testimi për CoVid-19 që është teknikisht një analizë më shumë? Vetë kontrata e rregullon një gjë të tillë sepse në përcaktimet saj thuhet qartë se shërbimi mund të ndryshohet. Konkretisht, neni 22 trajton Rishikimin e Shërbimit dhe të drejtën e Autoritetit Kontraktor të “hyjë në bisedime” për rishikimin e shërbimit. Në rast se palët bien dakord, ndryshimet e rakorduara do të ekzekutohen sipas parashikimeve të një Aneksi të posaçëm (Aneksi 11).

Jo vetëm kaq. Kontrata parashikon mbrojtjen e interesit të Konçesionarit teksa në Nenin 25 trajton fazat të cilat duhen ndjekur për të realizuar një Ndryshim të Shërbimit. Koncesionari është i mbrojtur nga çdo dëm eventual që vjen si pasojë e ndryshimit të kërkuar nga Autoriteti. Mjafton ky parafrazim i kontratës për të pritur natyrshëm që qeveria të vepronte për të kërkuar shërbimin e testimit në një skemë operative gati. Ose ta shqyrtonte një mundësi të tillë. Në fakt, gjëja e parë që u bë ishte pezullimi i shërbimit.

Nuk i kemi detajet e pezullimit sepse as Ministria e Shëndetësisë që e njoftoi pezullimin pas një kronike të Klan TV, as Kryeministri Rama nuk kanë dhënë informacion. Siç thamë më sipër teknikisht mundësia juridike që e rregullon këtë është neni 41, i cili trajton Forcën Madhore me të cilën ka parasysh edhe “epideminë ose murtajën” dhe shprehet se “Pala e cenuar do të përjashtohet nga përmbushja e detyrimeve për aq kohë sa zgjat pamundësia për të përmbushur detyrimet. Periudha e Koncesionit do të shtyhet për aq kohë sa zgjat ngjarja e Forcës Madhore”.

Një ide që perceptohet këtu është se qeveria ka pezulluar shërbimin për të transferuar kostot drejt përballimit të situatës, por këtu sërish po hiqet një mundësi shumë e mirë për të ofruar një shërbim ekstra në të mirë të përballimit të krizës.

Ka pikëpyetje të tjera që rrjedhin nga kontrata dhe rregullimet e saj. Nëse qeveria vepron në zbatim të dispozitës për Forcën Madhore ajo do të duhet ta bëjë këtë – në kuptim të Kontratës – pas kërkesës dhe deklarimit të konçesionarit për mospërmbushje të detyrimit për të ofruar shërbimin (që vjen si pasojë e masave të ndalimit të lëvizjes së lirë). Neni 11 flet pikërisht për këtë gjë. Ky nen flet për garantimin e shërbimit siç parashikohet në kontratë, madje dhe të tejkalohet nëse është e mundur; aty jepen procedurat që duhet të ndjekë Koncesionari nëse mendon/gjykon që sherbimi nuk mund te jepet dot, konkretisht çka quhet në këtë nen “dështimi i shërbimit”. Midis të tjerash Koncesionari duhet “të vërë në përdorim të gjitha burimet shtesë dhe të ndërmarrë të gjitha veprimet rregulluese të nevojshme për të ndrequr apo parandaluar Dështimin e Shërbimit, si dhe duhet të kryejë një “Plan Korigjimi”dhe ta dorëzojë në Autoritet brenda 10 ditëve që nga momenti që njofton atë për Dështimin e Shërbimit”.

Këtu lind menjëherë dyshimi nëse një shkëmbim i tillë dokumentar dhe vlerësimi ka ndodhur për arsye sepse pezullimi i konçesionit u bë menjëherë pas shpalljes së karantinimit. Kjo ngjan si një formë e mbrojtjes së konçesionit nga dëmi meqenëse karantinimi teorikisht kufizon lëvizjen, ndërkohë që ende nuk ka përgjigje nëse konçesionari do të trajtohet në kuadër të ndihmës financiare të ofruar nga qeveria (për pagat e stafit apo dhe në forma të tjera).

Ne nuk dimë sot asgjë edhe nëse ka patur ndonjë negociatë formale mes dy palëve, ndërkohë që dy ditë më parë  z. Rama deklaroi me bindje se thirrjeve dhe masave të tij  do t’i përgjigjeshin edhe bankat edhe kompanitë celulare. Dhe përgjigja ndaj apelit të tij është të heqin dorë nga fitimi normal. Me koncesionin ndodh e kundërta: në vend se të shtohej një shërbim më shumë me mbrojtje financiare në këtë situatë, ai pezullohet.

Meriton vëmendje edhe një aspekt tjetër teknik që ka rëndësi. Shoqëria 3P Life Logistic zotëron Laboratorët si dhe ka pajisur tërë Qendrat Shëndetësore me mjete e pajisje, si dhe ka gati skemën e transportit të kampioneve nga Qendrat në Laboratorët. Ajo zotëron edhe një plarformë softwarike për të ruajtur të dhënat. Normalisht mund të gjykojmë që as vet ISHP s’e realizon më lirë dhe më shpejt këtë shërbim. Çdo aspekt ligjor që mund të ketë ndikuar në një proces eventual negocimi mund të përfshihej në negocim duke qenë se kontrata e lejon diçka të tillë. Për shembull mund të gjendej një mënyrë ku procesi të mbikqyrej nga ISHP për arsye të kontrollit të risqeve të tamponeve apo kiteve. Në çdo rast deri me sot nuk kemi asnjë informacion të ofruar publikut mbi pezullimin që iu bë Kontratës.

Por mund të mendojmë dhe një skenar tjetër që na vjen nga përvoja mes Ministrisë së Shëndetësisë dhe Konçesionarit. 

ResPublica ka siguruar informacion për një rast të mëparshëm përpjekjeje negocimi me shoqërinë “3P Life Logistic” i cili ka dështuar dhe që s’është bërë publik më parë. Konkretisht, me urdhërin nr. 620 datë 22/08/2018, Ministria e Shëndetësisë ka ngritur një grup pune për negocimin e kontratës aktuale me shoqërinë koncesionare në lidhje me çmimin e kontrolleve të pakryera. Qëllimi ishte “që koncesionari të paguhet vetëm për çmimin e paketës për njësi pasi të zbriten më parë kostot e materialeve të pakonsumuara”. Është e rëndësishme të theksohet që ky negocim vinte si pasojë e zbatimit të rekomandimeve të Kontrollit të Lartë të Shtetit pas auditimit të kontratës. Koncesionari është përgjigjur në rrugë shkresore duke refuzuar të negociojë për çka më lart me argumentimin se “ndryshimi i tillë i propozuar nga KLSH...e vë koncesionarin në pozitë pamundësie për të përmbushur kontratën dhe kjo do të sillte zbatimin e parashikimeve kontraktuale për zgjidhjen e saj dhe shpërblimin e dëmit përkatës”. I njëjti grup punë ka parashtruar dhe një pikë tjetër negocimi, konkretisht “vendosjen e mekanizmave për një monitorim të cilësisë së shërbimit të ofruar duke synuar rritjen e besueshmërisë së popullatës në mënyrë që ky konçesion të përmbushë objektivat për të cilin u ofrua nga qeveria”. Për këtë pikë Konçesionari ka pranuar të hyjë në bisedime sipas procedurës së përcaktuar në Kontratë.

Por kush e mbron interesin publik në këtë rast? Jo vetëm nga sjellja e një konçesionarit që mbron interesat legjitime të vetat, por edhe nga një kontratë e shkruar ndoshta jo mirë? Auditimi e ka bërë një gjë të tillë, qeveria ka qëndruar duarlidhur për një çështje për të cilën është akuzuar shumë dhe me të drejtë: pagesat për punë të pabërë.

Dhe ka bërë diçka të pasqaruar kur kapezulluar një kontratë për 3 muaj. Pandemia aktuale ishte një rast që të bëhej një korigjim edhe në nivel imazhi, por edhe në detyrimin e një kompanie që të ofrojë shërbime që nuk lidhen më vetëm me interesa imediate, por me diçka shumë më të madhe. Kjo nuk ka ndodhur. Ka ndodhur krejt e kundërta për arsye që për momentin nuk dihen, por që lënë gjithësesi një shije të hidhur për të gjithë. Testimi për CoVid19 nuk është më alternativë, por nevojë në kushtet kur edhe një vend si SHBA që e neglizhoi apelin për epideminë ka miratuar së fundmi kitet e reja që japin përgjigje për 45 minuta. Nëse ky virus do të jetë gjatë, atëherë karantina nuk funksionon, por na kërcënon.

ResPublica

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.