3 javët përcaktuese të CoVid 19 - ngjashmëri dhe dallime në përhapjen e virusit

Postuar në 19 Mars, 2020 03:30

Qendra amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve raporton se koronavirusi i ri që ka mbërthyer botën në pandemi ka një shkallë infektimi të lartë; numri i të prekurve dyfishohet në çdo 6-7 ditë. Në këtë kuptim qendra apelon për masa të forta në mënyrë që të shmanget mbingarkesa dhe pastaj kolapsi i sistemeve shëndetësore në vendet përkatëse.

Qendra ka ndërtuar disa grafikë të përparimit të epidemisë sipas vendeve më të prekura duke tërhequr vëmendjen se ato janë ndërtuar mbi numrat e raportuar, pra jo ata realë.

Në vështrim janë marrë Kina, Italia, Irani dhe Korea e Jugut që janë vendet më të goditura.

Nga grafikët e përpunuar – të kihet parasysh se ato përllogarisin dinamikën duke nisur nga momenti kur në vendin përkatës është shënuar i infektuari i 100-të, pra numri 100 shërben si pika zero në boshtin e abshisës – shihet qartë një përputhje relative e afërt.

Nëse Italia nis të kthejë kurbën e prekjes pas datës 5 prill dhe arrin ta mbajë atë nën kontroll, atëherë mund të thuhet me një siguri jo të vogël se karantina është efikase si masë universale.

Siç shihet në 25 ditë pas rastit të 100-të në Kinë kurba nis të stabilizohet dhe vihet në kontroll. Duhet thënë se karantina u vendos në datën 23 janar 2020, ndërkohë që Kina në 22 janar kishte dtë deklaruar 571 të infektuar dhe 17 të vdekur. Çka e bën pikënisjen e matjes në fjalë ditë më parë sesa të vendosej zyrtarisht karantina. Në këtë kuptim, duhet thënë se karantinimi rigoroz ka funksionuar shpejt, por këtu ndoshta në ekuacion duhet futur edhe zgjerimi në kohë rekord i kapaciteteve spitalore, që nuk shihet në Itali.

Edhe Italia ndodhet në kurbën rritëse 20 ditë pasi u konfirmua se kishte 100 të prekur. Por Italia e vendosi karantinën në datën 10 mars. Përveç kësaj për Italinë është shkruar se ka specifikën e moshimit të popullsisë dhe mungesës së kapaciteteve të Kinës në shtretër dhe respiratorë.

Irani është një tjetër vend që vjen në vështrim, por me rezerva të mëdha për shkak të raportimit. Megjithatë kurba është rritëse dhe vetëm dje autoritetet kanë deklaruar kufizime të mëdha në lëvizje, ndërkohë që Korea e Jugut bën dallim esencial. Pavarësisht se nuk ka aplikuar karantinim masiv, Korea ka aplikuar testim agresiv dhe izolim të të prekurve dhe ka një kurbë të stabilizuar që 10 ditë pas konfirmimit të rastit të 100-të.

Vende të tjera që janë analizuar si SHBA, Franca, Spanja dhe Gjermania pavarësisht se diferencojnë në numrat e të prekurve, në distancë të njëjtë kohore matjeje paraqesin një prirje rritëse shumë të lartë.

Japonia ka një dinamikë pak të ndryshme edhe pse Qendra amerikane rezervohet të marrë në konsideratë raportimet e Tokios zyrtare, ndërkohë që Singapori dhe Hong Kongu, paraqesin ritmin më të ulët të rritjes së të infektuarve të rinj. Ky fakt i atribuohet kufizimit të udhëtimeve nga Kina dhe skanimit rigoroz në kufi.  

Grafiku i përgjithshëm tregon një rritje konsitente në të gjitha vendet. Pra kurba kontrollohet pas 25 ditësh nëse masat aplikohen. Edhe pse këtu do të duhet të shihet si do të shkojë rasti i Italisë.

Në përputhje me këtë mënyrë, ResPublica ka ndërtuar një grafik të thjeshtë për Shqipërinë që nis që nga identifikimi i rastit të parë më 8 mars dhe deri më 18 mars. Pra 10 ditë. Ndonëse grafiku dallon nga ai që konsideron 110 të prekur për të kampionizuar mandej dinamikën, ai gjithësesi jep një të dhënë për ritmin e të prekurve duke u bazuar në raportime. Këtu rezerva me të vërtetën është po njësoj me atë që ngre Qendra e SHBA pasi asnjë vend nuk ka të dhëna reale. Nga ana tjetër Shqipëria nuk vonoi si Italia apo Kina në vendosjen e karantinës, por thuajse menjëherë e aplikoi atë për Tiranën dhe Durrësin dhe prej disa ditësh për mbarë vendin.

Siç mund të shihet grafiku përputhet për ritmin e rritjes me atë të Italisë dhe Kinës, çka tregon – edhe pse në mënyrë shumë spekullative – se një kontroll i mirë në kufi do kishte evituar shumë gjëra. Megjithatë do të duhet pritur  - referuar rastit kinez – 3 prilli, që përkon me 25 ditët e sipërcituara për të parë se ku jemi.

Nga kjo pikëpamje vendimi për pezullim deri në 3 prill nuk është arbitrar por bazohet në projeksione empirike të Kinës dhe me shpresë duhet pritur një rezultat real. Aktualisht jemi në datën 19, pra në ditën e 11-të, çka do të thotë se rritja do të vazhdojë teorikisht edhe për një dy javësh.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.