Një kohë e vyer për ta kuptuar më mirë historinë e mospajtimit tonë

Postuar në 17 Mars, 2020 19:51
Skerdilajd Zaimi

 

Teksa ditët po kalojnë nën presionin dhe tiraninë e një virusi pandemik, e ke më të lehtë të kuptosh arsyet se përse një shoqëri kaq e vogël numerikisht e përjeton diskutimin publik si një luftë civile permanente. 

E ke më të thjeshtë të kuptosh se përse që nga krijimi i këtij shteti nuk është gjerur dot konsensusi dhe se bashkëjetesa është tamam siç e përkufizonte Esad Pashë Toptani, “një ekuilibër të urrejtjes”.

Sheh gjithfarë personash që dalin në media dhe predikojnë, japin leksione, të mësojnë sesi duhet të sillemi. Të mos bëjmë këtë e të mos themi atë. Të thonë madje me një konfidencë që nuk ua jep kush “se në këtë luftë jemi bashkë”. 

E ka të vështirë njeriu të ndajë pozën e zakonshme nga dëgjesa e një fjale të mençur, të dobishme. 

Të njëjta fytyra që kanë themelues të tensionit dhe polarizimit, avokatë të njërës gënjeshtër apo tjetrës që marrin guximin e dalin dhe flasin si agjentë imunitarë të kombit. Si leukocite sociale që po luftojnë me tërbim infeksionin dhe panikun. 

Dëgjojini me kujdes dhe vini re se gjëja që sakrifikohet më lehtë në fjalët dhe llomotitjet e tyre të rrezikshme është Demokracia, liria e fjalës, që konsiderohen si efeket anësor i masave drakoniane të qeverisë që tani po kujdeset për të gjithë ne. 

Këtu nuk është çështja që të mos pranojmë kufizimet për shkak të një situate të rëndë, por që këto kufizime të mos kthehen në kriter për të vlerësuar efektivitetin e luftës kundër pandemisë dhe nga kufizim lëvizjeje të kalojmë në apel për kufizim fjale. Ne kemi një kryeministër që bën thirrje publike: Kujdes nga Mediat. E ka kthyer në sinjalistikë qeverisëse kundërvënien ndaj mediave që kanë patuetër përgjegjësinë e tyre, por kanë edhe rolin. 

Në këtë kuptim ata që dalin ekraneve dhe marrin poza që nuk ua kërkon kush, që nuk dinë të thonë ndonjë gjë me vlerë për këtë situatë, do të ishte mirë që të paktën t’i shërbenin të drejtave tona në këto kohë kufizimesh ku mund të ndodhë që Liria të keqkuptohet si handikap i shëndetit publik. Kjo është një kohë ku monitorimi duhet të jetë më i vazhdueshëm se më parë pikërisht për këtë marzh spekullimi që krijon kjo situatë në të cilën patjetër që jemi të gjithë të rrezikuar.

Pakkush nga këta personazhe po flet edhe për ekonominë. Ata po flasin për mbijetesën si shoqëri, ndërkohë që mbarë bota po njofton paketat financiare, pra po flet qysh tani për periudhën post-krizë. 

I gjithë ky pështjellim vjen nga refleksi i solidaritetit me qeverinë, më saktë pushtetin që tregon e ashtuquajtura elitë mediatike dhe akademike në Shqipëri, ndërkohë kur duhet të fliste me një ton tjetër. 

Në këtë kuptim ndarja brenda nesh është e tillë që nuk arrin të pajtojë asnjë nevojë të përgjithshme në një kuadër bashkëjetese, për shkak se nuk ndan një ide ndryshe, por interpretimi hipokrit dhe për përfitime i një interesi publik. 

Kjo situatë na e bën më të lehtë të kuptojmë atë urrejtje të madhe që ndau më dysh gjatë Luftës së Dytë Botërore, që ndau më pas një pjesë të shoqërisë si dhe pas ’90-ës kur kostumet ndërrohen sipas stinës. 

Kësaj i duhet shtuar edhe rrejshmëria e atyre që dalin e marrin një rol publik. Duke mos patur gjë për të thënë, përsërisin skriptin e pushtetit të radhës, duke “mos kuptuar” se përsëritja të kthen në përçues. Por pse duhen dëgjuar megafonët kur kemi burimin origjinal? Kjo të kthen në avokat të një politike që ka prodhuar pasoja katastrofike dhe jo në një oponencë të dobishme që duhet të thotë disa gjëra që janë mohuar në vijimësi. Si të pranosh të dëgjosh mercenarët e një skote të maskuarish që i ikin fytyrës së tyre sa më shumë të jetë e mundur? Si mundet të pranosh të gënjesh veten duke duartrotikur këtë emision ndotjeje akustike që nuk mbaron? 

Si të mos e kuptosh - ndonëse jo domosdoshmërisht miratosh - atë Luftën e pambarimtë mes nesh? Nuk mundesh sepse je përballë neverisë që të krijon kjo shtirje dhe jo ndaj ideve të kundërta. Je përballë njerëzish që kujtojnë se kanë diçka për të thënë, ndërkohë që vetëm transmetojnë. Ndaj le ta shohim këtë kohë në prizmin e mësimeve psikologjike përndryshe të pamundura, që na bëjnë të mundur ta kuptojmë edhe më mirë historinë mospajtimit tonë. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.