Koha që qeveria të dalë nga kllapia e pandemisë

Postuar në 17 Mars, 2020 15:55

Qeveria duhet të dalë sa më shpejt nga kllapia ku e ka futur veten. Zoti Rama është ndoshta i vetmi kryeministër në botën e sotme që raporton vendimet nga shtëpia, i veshur me t-shirt, me një gjel që këndon në sfond dhe zhurmat e tenxhereve nëpër shtëpi. Ndonëse duhet vlerësuar shpejtësia e veprimit pas konstatimit të rastit të parë, duhet të vihet në dukje se veprimi në menaxhimin e kësaj situate kërkon një qasje dhe energji të re.

Akti Normativ që ka të bëjë me pandeminë si dhe shtesa që i është bërë atij dje parashikon 17 gjoba që variojnë për aktivitete të ndryshme nga 50 mln lekë të vjetra në 1 mln lekë të vjetra dhe dy masa administriative. A ka kapacitete për t’i zbatuar? 

Le të themi se jemi dakord se pa shtrëngime nuk mund të veprojë karantina. Dhe le ta njohim edhe faktin se nuk ka karantinë që funksionon pa bashkëpunimin e shoqërisë. Deri tani ka ecur mirë, duke mbajtur sërish shënim dy aspekte: së pari se qeveria po refuzon të bëjë testim masiv dhe duke bërë këtë ka vepruar me skenarin e karantinimit aboslut për 14 ditë që është edhe periudha inkubatore e virusit.

Pra mund të kishte një qasje edhe tjetër.

Mirëpo tashmë duhet që të nisë gradualisht e të flitet edhe për ekonominë, për masa konkrete që duhen marrë. Shqipëria është një popullsi e re dhe ka shumë shanse ta kalojë pa shkallë fataliteti të lartë këtë që po ndodh dhe që hyn në repertorin e përvojës sonë si brez në një vend ku pamë shumëçka. Ndaj edhe në pikëpamje të apelit publik, koha është që përtej thirrjeve “rrini në shtëpi” të nisë e të marrë jetë vetë Jeta jonë e zakonshme, e diskutimit për ekonominë, shkollën pasi nuk mund të izolohemi pafund në tiraninë e lajmeve me virus.

Historia e pandemive na mëson se ajo do të zgjasë 2 vjet me valë të caktuara, por kjo e tanishmja ka një aspekt pozitiv: e gjithë bota është angazhuar në gjetjen e vaksinës. Dhe edhe nëse vaksina nuk gjendet, e sigurtë është se do të gjenden medikamente lehtësuese që ulin  shkallën e mortalitetit edhe në kategori të ekspozuara.

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

Si virus qe eshte, mund edhe mos ti gjindet ilaci i sakte, pasi ky virus mund te ndryshoje formen dhe efektin e tij. Por ndoshta gjindet nje lloj vaksine qe e forcon sistemin imun ndaj tij! ose vete sistemet tona imune do arrisin ti pershtaten, duke nxjerre automatikisht nje anti-trupz!

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.