CoVid 19, pse u kthye në një pandemi që ishte e parashikueshme

Postuar në 15 Mars, 2020 21:39
Intervistoi: Kevin Berger

 

Intervista në fjalë i është marrë shkencëtarit Dennis Caroll, që konsiderohet si një ndë pionerët e parashikimit epidemiologjik. Pika kryesore e intervistës nuk është vdekshmëria e CoVid 19, por sa kjo ngjarje e tanishme do ndryshojë politikat shtetërore. 

Si kalon koronavirusi i tanishëm nga lakuriqi i natës te njeriu? 
Nuk e dimë specifikisht, por hipotetikisht virusi u soll nga kafshët në treg dhe njerëzit ishin limani. Aty mund te ketë patur një burim të dytë. Në shpërthimin e vitit 2002 të SARS në Kinë, ne nuk pamë ekspozim të drejtpërdrejtë të njerëzve ndaj lakuriqëve si burim infeksioni. Ishte një burim i dytë, një kafshë e egër, macja civet. 

A mund të ketë ndodhur transmetimi nga ngrënia e mishit të kafshëve të egra? 
Është tipike që ekspozimi të ndodhë kur përgatitet një kafshë për gatim. Por me t’u gatuar dhe përgatitur, virusi ka vdekur. Është më e zakonshme që transmetimi të ndodhë kur kafsha qethet apo theret, kur njerëzit pra i ekspozohesh lëngjeve të trupit, gjakut dhe sekrecioneve. Me gripin e pulave shumë nga ekspozimet dhe infektimet ndodhin në fazën e përgatitjes për gatim. Në Egjipt, p.sh kur sheh se kush u infektua, më shpesh rastis të jetë një grua, që ishte drejtpërdrejt përgjegjëse për therjen dhe përgatitjen e kafshës. 

Në vitin 2018, Ju dhe kolegët tuaj shkruat në Science, “Aftësia jonë për të zbutur emergjencën e sëmundjeve minohet nga kuptimi i varfër që kemi për diversitetin dhe ekologjinë e kërcënimeve virale”. Çfarë duhet të kuptojmë rreth diversitetit dhe ekologjisë së kërcënimeve virale? 

Gjëja e parë për t’u kuptuar është se çfarëdo kërcënimi me të cilin do të përballemi në të ardhmen ekziston qysh tani; ato qarkullojnë aktualisht në jetën e egër. Mendojeni këtë si një materie e errët virale. Një pishinë e madhe virusesh po qarkullojnë dhe ne famijarizohemi me ta vetëm kur shohim një përhapje dhe njerëz që sëmuren. 

A kanë lakuriqët një potencial të madh për përhapje? 
Sigurisht. Ne kemi qenë të aftë të identifikojmë se lakuriqët janë një rezervuar për koronaviruse dhe dokumentuar popullsi të caktuara lakuriqësh si rezervuarë të virusit të Ebolas. Ne duam të kuptojmë sesi secili prej këtyre lakuriqve operon brenda një ekosistemi. 

A kanë ata sjellje të caktuara dhe praktika që i mbajnë larg apo afër popullsive njerëzore? 
Kolonia e lakuriqve në të cilin ne izoluam virusin e Ebolas në Afrikën Perëndimore ishte një specie që priret të bashkëjetojë në shtëpitë e njerëzve, ndaj edhe e rrit mundësinë për përhapje. 

Ka patur shqetësime në mjedisin e tyre që i ka sjellë lakuriqët më afër nesh? 
Shqetësimi në mjedisin e tyre jemi ne. Ne kemi penetruar më thellë në ekozonat e tyre të cilat nuk i kishim pushtuar më parë. 

Një shembull nga inkursionet tona. 
Në Afrikë ne shohim shumë inkursione të udhëhequra nga nxjerrja e naftës apo mineraleve në zona që kanë tipikisht pak popullsi njerëzore. Problemi nuk është lëvizja e punëtorëve dhe ngritja e kampeve në këto zona, por ndërtimi i rrugëve qëkrijojnë mundësi për lëvizje edhe më të mëdha popullsish. Rrugët lejojnë po ashtu lëvizjen e kafshëve të egra, që mund të jenë pjesë e një tregëtie ushqimi, drejt qendra urbane. Të gjitha këto ndryshime dramatike rrisin potencialin e përhapjes së infeksionit. 

A janë shpërthimet më të zakonshme tani sesa 50 vjet më parë? 
Po. EcoHealth Alliance, një OJQ, por edhe të tjera, ka listuar të gjitha shpërthimet që nga viti 1940. Ata mbërritën në një përfundim qartazi solid se ne jemi dëshmitarë të një rritjeje të shpërthimeve epidemike me dy në tre herë më shumë sesa 40 vjet më parë. Kjo vazhdon të rritet, provokuar nga një rritje shumë e madhe e popullsisë njerëzore dhe ekspansionit tonë në zonat e pashkelura më parë. Parashikuesi më i madh i shpërthimit epidemik është tjetërsimi i territorit – më shumë tokë shkon për përdorim bujqësor dhe sidomos për prodhimet blegtorale. 

Ka diçka sepcifike rreth virusit që e bën atë zoonotik(me origjinë nga kafshët)? 
Mund të debatohet se viruset nuk janë organizma të gjallë. Ata janë shtresa proteinash që enkapsulojnë copëza ADN-ne dhe ARN-je. Përtej kësaj, viruset nuk kanë ndonjë makineri që t’i aftësojë për të jetuar në mënyrë të pavarur. Ata kërkojnë për një ekosistem që ka të gjitha makineritë qelizore që janë esenciale për shumimin. Viruset nuk mund të jetojnë jashtë një popullse kafshësh. Kanë nevojë për atë kafshë që të shumohen. Dhe ne jemi thjesht një kafshë e radhës. Ne mendojmë për veten se jemi të veçantë. Por viruset po na infektojnë me të njëjtin qëllim me të cilin ata infektojnë lakuriqët apo macet civet. 

Viruset jetojnë në një balancë delikate, apo jo? Ata duhet të jenëtë aftë të shumohen pa e vrarë pritësin. 
E drejtë. Ata që vrasin pritësin shpejt do të zhduken. Me virusin e SARS nuk ishte çudi që duke vrarë 10% të pritësit, nuk do të ishte i aftë të kthehej në pandemi globale. 

A ka shenja se ky koronavirus do ta vrasë veten? 
Ky ka një patogjenitet të ulët. Sa më e ulët virulence, aq më tëmëdha gjasat se do të bëhet pjesë e një ngjarjeje sezonale, endemike. Kjo ka për të qenë çështja kryesore që do të na shqetësojë. Nëse kalon lehtë gjatë muajve të verës, atëhëerë çështja do të jetë, “a po infekton ende njerëz?” Ne mund  të qarkullojmë verës me viruse gripi, por ato nuk janë aktivë. Ata kanë kaluar lehtë. Kur  të krijohet ekologjia e duhur, të nisë i ftohti dhe lagështira, atëherë nis e shumohet si i çmendur. Nëse do të jetë i aftë ta parkojë veten dhe të mos e vrasë pritësin gjatë verës, atëherë ne do të kemi një virus që ka të gjitha tiparet e përcaktimit si pjesë të peizazhit tonë normativ, kryesisht në dëmin tonë. 

Mendoni se shpërthimi i tanishëm ishte i pashmangshëm? 
Oh, sigurisht. Ishte i parashikueshëm. Është njësoj sikur të mos kesh ligje për trafikun dhe në vijimësi të kemi kalimtarë që shtypen nga makinat në rrugë. Të çudit një gjë e tillë? Jo. Ajo qëtë duhet është të menaxhosh më mirë sesi kemi vendosur vizat e bardha, si krijojmë rregullat e trafikut dhe rregulloret. Ne nuk e kemi bërë një gjë të tillë. Nuk po vendosim praktikat e sigurta që do të minimizojnë mundësinë për përhapje. Nëse kuptojmë më mirë se ku këto viruse qarkullojnë dhe me të kuptuar këtë ekologji, ne do të kemi potencialin për të shkatërruar dhe minimizuar rrezikun e përhapjes. 

Pse nuk po e bëjmë ne këtë – qeveritë dhe politikëbërësit? 
Së pari, ky është një problem në zgjerim i prirë nga një ndryshim i paprecedentë i popullsisë. Vetëm në këto 100 vitet e fundit kemi nsisur të shtohemi me një shkallë që po shkakton këtë shkatërrim të pabesueshëm një ekosistemi më të madh. Nëse unë dhe ti do ta bënim këtë diskutim 100 vjet më parë, kishte 6 miliardë njerëz më pak në këtë planet. Neve si specie na u desh pjesa më e madhe e ekzistencës sonë – 300 000 vjet – përpara se të arrinim në 1 miliardë banorë. Por në 100 vjet ne u shtuam me 6 miliardë njerëz dhe do të shtohemi me 4-5 miliardë të tjerë brenda fundit të këtij shekulli. 

Së dyti, qeveritë dhe shoqëritë në përgjithësi udhëhiqen nga inercia. Ne nuk ndryshojmë apo adaptohemi shumë shpejt. Dhe ne si shoqëri globale jemi thuajse të pavetëdijshëm se bota ku jetojmë është në themel e ndryshme nga bota ku ka jetuar specia jonë…Ne jemi të verbër për kushtet që kanë mundësuar viruset të integrohen ndër ne. 

Çfarë ishte gjëja e parë që ju hapi sytë për problemin e përhapjes? 
Ishte gripi i viteve ‘2000. Çfarë pamë me gripin e shpendëve ishte një pasojë e drejtpërdrejtë sesa shumë shpendë ishin prodhuar për të ushqyer njerëzit. Nëse sheh Kinën sot, ajo prodhon diçka në rendin e 15-20 miliardë shpendëve në vit. Por nëse do të kthehesh pas dhe shikon të dhënat nga vitet ’60, vëren se në rastin më të mirë, vetëm disa qindra milionë shpendë ishin në prodhim. Kur shikon Bangladeshin, Vietnamin dhe gjetkë në Azi apo Indonezi, ti shikon se sasia e shpendëve që prodhohej 50 vjet më parë ishte e një magnitude më të vogël sesa sot. Kjo është pasojë e më shumë njerëzve dhe fuqie blerëse të rritur. Një nga gjërat që dimë për fuqinë blerëse është se kjo ke të ardhura, do lëvizësh nga një dietë bazë me drithëra te proteinat e kafshëve. Dhe kjo ka ndodhur. 

Një statistikë që del nga ajo që Ju keni shkruar në “Science” është se në Tokë ka 1.67 milionë viruse dhe mes tyre, 631 000 – 827 000 kanë kapacitet për të infektuar. Kjo është e frikshme apo jo? 
Në një nivel, po, është e frikshme. Por në një nivel tjetër potenciali për të infektuar nuk korrespondon detyrimisht me sëmundje dhe vdekje. Disa viruse mund të mos kenë pasoja fare dhe disa mund të përfshihen në përmirësimin e biologjisë sonë. Ata mund të bëhen pjesë e mikrobiomës sonë. Nuk është diçka e re në kursin e evolucionit. Duhet të jemi të hapur ndaj idesë se viruset nuk janë thjesht armiqtë tanë, se ata mund të kenë një rol të rëndësishëm dhe pozitiv për ne. Ne kemi konstatuar një gjë të tillë për bakteret. Në të njëjtën kohë ne duhet të mbajmë sytë hapur dhe të kemi kujdes për ilaçet që marrim. Nëse marrim antiviralë me spektër të gjerë, atëherë mund të kemi komplikacione të tjera.

Si do ta përshkruanit qëndrimin në përgjithësi të qeverisë së Shteteve të Bashkuara ndaj kërcënimit të sëmundjeve zoonotike?
Nuk është vetëm qeveria amerikane, por qeveritë në përgjithësi dhe sektori privat: ne nuk investojmë në rrezik. Të flasësh për sëmundje zoonotike është tjetër gjë nga të flasësh për tuberkulozin ose malarien. Ato janë të prekshme. Ato janë probleme të qarta dhe të pranishme. Sëmundjet zoonotike janë një problem në rritje. Por ne si shoqëri nuk investojmë në gjëra që nuk pa na trokasin te dera. 

Koronavirusi po na shkelmon derën tani apo jo?
Po, ka vëmendjen e të gjithëve. Por ky koronavirus nuk do të jetë më në kryetitujt e mediave dhe dhe kur kjo të ndodhë do të shihni një tkurrje në llojin e investimeve që bëhen për të. Kemi buxhete lufte dhe më pas nuk kemi para në kohë paqeje. Pra, një pjesë e sfidës - është një ushtrim i inxhinierisë sociale - është që ligjvënësit dhe investitorët të investojnë në parandalimin e rrezikut. Kjo është e vështirë.

Fakti që programi juaj PREDICT nuk u financua është bërë një pikë kundërshtie politike me Presidentin Trump, i cili ka treguar injorancë në raport me shkencën. A mendoni se ka një lidhje midis fundit të PREDICT dhe asaj që po ndodh me koronavirusin?
Jo, nuk mendoj kështu. PREDIKTI ishte një projekt i bukur, i ekzekutuar shkencërisht mjaft mirë. Ishte inovativ. Por shkalla e tij ishte e vogël. Zbuloi pak më shumë se 2 000 viruse. Nëse do të ketë  ndikim në shëndetin publik, gjetja e 2 000 viruseve nga një grup prej 600 000 të tilla, përgjatë 10 vjetësh, nuk do të transformojë aftësinë tuaj për të minimizuar rrezikun e shëndetit publik. Dhe PREDICT nuk e hodhi në të vërtetë hapin e dytë në një ekuacion kritik - duke e kthyer shkencën në strategji. Ne nuk e kemi hartuar për atë qëllim. Gjithashtu, edhe një buxhet vjetor prej 20 milionë dollarësh nuk është i mjaftueshëm. Duhen rreth 100 milione dollarë në vit për të realizuar një program global që do të na jepte prova për të ndryshuar mënyrën e të menduarit për rrezikun viral dhe si duhet të përgatitemi për të. Kjo është ajo që synon të bëjë Projekti im i ri Global Virome.

Çfarë ju shqetëson lidhur me koronavirusin aktual?
Sigurisht, ka disa gjëra që po i shqetësojnë të gjithë. Por ka gjëra për të cilat nuk flitet. Këto janë gjërat që më shqetësojnë më shumë. Kjo është një ngjarje globale. Do të godasë çdo komunitet kudo në botë. Dhe ndikimi nuk do të shpërndahet në mënyrë të barabartë sepse ka pjesë të botës që kanë sisteme të kujdesit shëndetësor që janë shumë më të brishta sesa i yni, i Kinës ose i Evropës. Ne e dimë që kur sistemet e brishta të kujdesit shëndetësor përballen me kërkesa të reja të jashtëzakonshme, ekziston një rrezik i madh që ato sisteme shëndetësore të bien në kolaps. Në mënyrë të veçantë, në rajonin e Afrikës dhe rajone ku ka trazira civile ose luftë.
Në vitin 2014, kur virusi ebola përfshiu tre vendet të Afrikës Perëndimore, ne pamë se një nga pasojat e menjëhershme të virusit ishte në thelb kolapsi i shërbimit shëndetësor. Punonjësit e shëndetësisë u ekspozuan, u sëmurën dhe patën frikë. Për pesë muaj, nuk pati shërbime shëndetësore për kërkesat e zakonshme të pacientëve. Gratë shtatzëna nuk patën mundësi të asistoheshin nga mjekët e trajnuar në rastet e lindjeve. Fëmijët nuk kishin akses në parandalimin e malaries. Imunizimi nuk u bë. Pati një popullatë pa dokumente, njerëz, jeta e të cilëve u kompromentua sepse nuk mund të merrnin shërbime të zakonshme shëndetësore. Frika ime është se kjo ka të ngjarë të ndodhë përsëri. Nëse koronavirusi vazhdon të jetë aq përcaktues sa duket tani, ne do të shohim sistemet shëndetësore të mbingarkohen dhe të mos jenë në gjendje të përgjigjen si për virusin, ashtu edhe për rastet e zakonshme të pacientëve. Askush në qeveri nuk duket se po flet për këtë.

Në 2005, gjatë gripit të shpendëve, George W. Bush ishte në një bisedë telefonike rutinë me udhëheqës në mbarë botën për koordinimin e një reagimi global. Barack Obama bëri të njëjtën gjë në 2009 për pandeminë e dytë H1N1 dhe në 2014 për epideminë e ebolës. E kemi parë udhëheqjen presidenciale të rritet dhe të veprojë si një katalizator për të shtruar një rrugë drejt zgjidhjes së një problemi global. Por në këtë rast ka pasur heshtje absolute në Shtëpinë e Bardhë. Unë mendoj se arsyeja e vetme që Shtëpia e Bardhë madje po paguan ndonjë shërbim për këtë është sepse tregu i aksioneve ka kaluar në një rënie të lirë. Kështu që ata po përpiqen të kuptojnë se cilat janë fjalët që duhet të thonë për të qetësuar bursën.

Pse mendoni se ka heshtje kësaj here në Shtëpinë e Bardhë?
Sepse administrata Trump është e interesuar pikë së pari për përAmerikën. Populizmi këtu dhe në të gjithë Evropën e gjetkë ka fragmentuar rrjetet globale, të cilat kishin qenë aq të dobishme për t’i bashkuar të gjithë në një qasje globale ndaj problemeve si kjo. Unë nuk kam parë ndonjë raport që del nga Shtëpia e Bardhë, në të cilin të tregohet se ndërsa Kina po përpiqej të vinte virusin nën kontroll, presidenti ynë iu drejtua i pari Presidentit Xi për të biseduar rreth strategjisë për koordinimin e veprimeve. Jam i tronditur nga mungesa absolute e dialogut global për atë që është një ngjarje globale. Nëse sheh Europën tani, është e vështirë të besosh qoftë edhe se ka pasur dikur një Bashkim Evropian. Nga këndvështrimi im, duket se çdo vend po sajon masat e veta, ndërsa të gjithë përballen me të njëjtën gjë. Italia nuk po bashkërendon veprimet me Brukselin. Brukseli nuk po koordinohet me Gjermaninë. Nuk ka qasje koherente rajonale për këtë problem në Evropë, edhe pse ata kanë një platformë për ta bërë një gjë të tillë.

Atëherë, çfarë do të duhet për t’i ndërgjegjësuar njerëzit për kërcënimin global të sëmundjeve zoonotike?
Nuk ka gjë më efektive se një sulm serial për të rritur ndërgjegjësimin tuaj, dhe kjo është ajo që ne po shohim. Ne jemi në një cikël, afërsisht çdo tre vjet ne përballemi me diçka të ngjashme. Dhe sa herë që të ndodhë kjo, ka më shumë vetëdije se këto investime duhet të bëhen dhe të mbështeten. Problemi është të jepen këto para si pjesë e fondit vjetor të rregullt jo emergjent.

Ka një ndarje shembullore të të dhënave midis shkencëtarëve dhe gjenetistëve, nuk mendoni?
Po. Por mendoni për silogjizmin e Sokratit: të menduarit e drejtë çon në veprimin e duhur. Ne e dimë që nuk është kështu. Mendimet tuaja mund të jenë absolutisht të sakta, por praktikat tuaja mund të jenë krejtësisht tjetër gjë. Ajo që shkenca na lejon të bëjmë është të kuptojmë, me një masë më të madhe, çfarë rrezikojmë. Shkenca do të na japë një vështrim më të thelluar. Por ne duhet ta përkthejmë atë panoramë në një vlerësim të qëndrueshëm të rrezikut dhe të ecim përpara.

Në një skenar ideal, si duhet të ecim përpara?
Këto viruse në mënyrë të natyrshme kanë aftësinë për të ndryshuar. Ajo që po shikojmë sot nuk është domosdoshmërishtajo që do të shikojmë brenda disa muajve. Mund të bëhet më vdekjeprurëse ose mund të dobësohet dhe zhduket, si ftohja apo gripi i zakonshëm. Pyetja është: A po e gjurmojmë ne këtë? A kemi të dhëna të mjaftueshme, transparencë dhe disponueshmëritë mostrave? Çfarë po shfaqet në Iran? Çfarë po shfaqet në Izrael? Çfarë po shfaqet në Itali? Çfarë shfaqet në Shtetet e Bashkuara? A ka transparencë të mjaftueshme të hapur në kohë reale që na lejon të mbajmë gishtin mbi puls?

 Unë jam internacionalist. Shikoni se si të kujdeseni për njerëzit tanë. Kushtojini vëmendje komuniteteve në të gjithë botën që kanë nevojë për ndihmë. Ne jemi të gjithë pjesë e të njëjtit ekosistem. Kjo është një çështje globale. Ne ose përgatitemi për të dhe i përgjigjemi asaj në kontekstin e një lenteje globale, ose nuk e bëjmë. Nëse përgatitjet dhe përgjigjet tona janë të përqendruara në vend, ne jemi në telashe serioze. 
 

Burimi: Nautil.us

Përkthimi dhe titulli: ResPublica 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.