Tërheqjet e njohjeve, pasoja direkte të dialogut të Brukselit

Postuar në 11 Mars, 2020 11:40
Augustin Palokaj

 

Pa marrë parasysh se a duhet pasur apo jo rezerva ndaj vërtetësisë së lajmit se Sierra Leone e ka tërhequr njohjen e Pavarësisë së Kosovës, e vërtetë është se numri i çnjohjeve është rritur dukshëm. Serbia nuk e ka ndalur aktivitetin, BE-ja me heshtje e ndihmon atë aktivitet të Beogradit, ndërsa shtetet mike të Kosovës mendojnë se e kanë kryer punën e tyre në periudhën fillestare pas shpalljes së pavarësisë, ku falë angazhimit të tyre u arritën shumica e madhe e njohjeve. E Kosova nuk ka gjetur kundërpërgjigje.

Të përbashkët tërheqjet e njohjeve të Pavarësisë së Kosovës kanë thirrjen në dialog si arsyetim. Serbia me sukses po e përdor dialogun që ta paraqesë statusin e Kosovës si diçka që nuk është punë e kryer. Prandaj, shtetet që tërheqin njohjen thonë se “ishin nxituar” kur e kishin njohur Kosovën dhe se tash “duan të presin rezultatin e dialogut”. Kjo është pasojë e mungesës së qartësisë se dialogu nuk është për statusin. Për këtë Kosova duhet t’i fajësojë vetveten dhe BE-në më shumë sesa Serbinë. Sepse Serbia asnjëherë nuk e ka fshehur se me të gjitha mjetet do ta kundërshtojë Pavarësinë e Kosovës. Të presësh se Serbia me motive fisnike do t’i bëjë favore Kosovës ishte, është dhe do të jetë naivitet.

Në notën që ka paraqitur Ministria e Jashtme e Serbisë e që e kanë botuar mediat edhe në Kosovë, të cilën thuhet ta ketë dërguar Ministria e Jashtme e Sierra Leones, në gjysmë faqe disa herë përmendet dialogu. Së pari shkruhet se njohja “ishte e nxituar” dhe se tash çështja e Pavarësisë së Kosovës është “temë e dialogut” se “Sierra Leone mbështet dialogun”, dhe se “pret rezultatin e tij” me shpresë se “do të ketë një zgjidhje të pranueshme për të dyja palët”. Arsye të njëjta kishin dhënë edhe disa shtete që më herët kishin tërhequr njohjen e Pavarësisë së Kosovës.

Kosovës, pra, më së shumti dëm po i bëjnë ndarja në BE dhe dialogu i Brukselit, ani pse ai nuk është duke vazhduar tash e më shumë se një vit.

Shumë shtete që nuk e dinin si të veprojnë e të cilat pyesnin BE-në për këshilla e merrnin sqarime se “BE-ja është neutrale ndaj statusit” vendosën të mos e njohin Kosovën si shtet. Kështu mosnjohja nga 5 shtetet anëtare është edhe më e dëmshme për faktorizimin ndërkombëtar të Kosovës si shtet, sesa që duket.

Disa nga këto shtete, si Spanja, kanë qenë dhe janë shumë aktive edhe në lobim të fshehtë kundër njohjeve të Kosovës, sidomos në vendet e Amerikës Latine dhe të Afrikës së Veriut.

Bashkimi Evropian asnjëherë nuk doli në ndihmë për të porositur se dialogu nuk është rreth statusit, se nuk duhet përdorur dialogun si arsyetim për të mos njohur pavarësinë apo edhe më pak për ta tërhequr njohjen. Apo vërtet BE-ja dëshiron që të ketë tërheqje të njohjeve në mënyrë që të forcohet presioni ndaj Kosovës, pasi ndaj Serbisë nuk bëjnë presion. BE-ja në këtë mënyrë i doli në ndihmë Serbisë e jo Kosovës. Në këtë kohë, kur BE-ja pret të emërojë një “përfaqësues të posaçëm”, që do të merret me dialogun, nuk shihen shenja se do ta ndryshojë vetë sjelljen. Do të vazhdojë të ketë “qëndrim neutral ndaj statusit”, që në fakt është qëndrim negativ, dhe në këtë mënyrë as Serbia e aq më pak shtetet e tjera do të ndiejnë ndonjë presion që ta njohin Kosovën apo pasoja në rast se vendosin ta çnjohin.

Shtetet jashtë Evropës mund të mendojnë se nëse BE-ja nuk ka qëndrim rreth statusit të Kosovës, që është në Evropë, pse atëherë duhet ata të vendosin dhe më mirë të mos “nxitojnë”. Tash shumë shtete që kanë tërhequr njohjen përmendin si arsyetim se “ishin nxituar”, siç është arsyetuar edhe Sierra Leone.

Kosova, sikur për shumë gjëra të tjera, nuk kishte për vite një strategji të koordinuar mirë si shtet as për njohje dhe nuk ka as sot për të parandaluar tërheqjen e njohjeve. Më shumë politikanët kosovarë prisnin që shtetet e tjera t’i kryenin punët e ata për vete t’i merrnin më pastaj meritat për ndonjë njohje. Pos që ishte e pandershme ndaj miqve u dëshmua të jetë edhe e dëmshme, sepse dekurajonte ata që vërtet do të mund të kenë ndikim.

Mjafton një shikim sipërfaqësor i hartës së botës dhe emrat e shteteve që e njohën Kosovën në javët dhe muajt e parë pas shpalljes së Pavarësisë për të parë se shumica e madhe ishin shtete perëndimore, partnerë perëndimorë apo ish-koloni të Britanisë së Madhe apo Francës. Ato ku kishte ndikim Spanja nuk e njohën Kosovën e nuk e njohin as sot.

Kosovën e njohën edhe disa shtete të vogla, për të cilat pakkush kishte dëgjuar në Kosovë, si Nauru, Samoa, Palau, Vanuatu, Kiribati, Tuvalu, Tonga, Sao Tome, Ishujt Marshal dhe të tjera pak të njohur më parë nga opinioni kosovar.

dyshim shumë prej këtyre shteteve kishin vepruar me ndikimin e shteteve të fuqishme që mbështesnin Pavarësinë e Kosovës, SHBA-ja, Britania e Madhe, Franca, Gjermania dhe disa të tjera. Tash pasi kanë kaluar 12 vjet nga shpallja e pavarësisë, pasi edhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, po ashtu, falë edhe angazhimit të shteteve mike dha mendimin se shpallja e Pavarësisë së Kosovës nuk ishte në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare, është pritur që edhe në skenën ndërkombëtare Kosova të mund ta promovojë dhe ta mbrojë veten. Deri tash nuk kemi hasur në ndonjë ankesë formale të Kosovës drejtuar BE-së si “lehtësuese” në dialog, pse po lejon që Serbia ta keqpërdorë dialogun për ta paraqitur Kosovën si një temë, si një hapësirë që nuk ka status dhe të arrijë sukses në bindjen e shteteve që të mos e njohin pavarësinë, dhe disa edhe ta ndryshojnë mendjen dhe ta tërheqin vërejtjen.

Koha Ditore

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.