Virusi i pasigurisë

Postuar në 10 Mars, 2020 22:45
Skerdilajd Zaimi

 

Njoftimi i ministrit turk të Shëndetësisë se një shtetase amerikane që udhëtonte nga Tirana më 3 mars u diagnostikua me koronavirus në Stamboll konfirmon një thashethem të hershëm se në Shqipëri virusi ka hyrë me kohë. 

Është një njoftim të cilin ministri Koça e bën nga interesi i sigurisë së vendit të tij dhe tërthorazi na njofton edhe neve, delet e vërteta të Republikës “Bagëti e Bujqësi”.

Është një njoftim për të cilin institucionet e shëndetit publik duhet të sqarojnë diçka sepse shumëkush prej nesh që këto dy muajt e fundit ka kaluar simptoma të gripit sezonal, nis e bën analizën e simptomave, i vendos ato në relacion me simptomat e CoVid 19 dhe befas dyshon se ka qenë i prekur prej tij. 

Dyshimi është në natyrën e njeriut, por në raste si ky yni, ai është pjesë ushqyese e mosbesimit ndaj institucioneve publike, të cilat sot gjenden në kurthin e një hendeku të madh mes propagandës së një shëndetësie të rilindur dhe faktit konkret se situata mund të bëhet e pamenaxhueshme. 

Kryeministri nxitoi të mbyllë shkollat dhe koshtet, pube dhe lokale në ditën e dytë të konstatimit zyrtar të virusit. Përvoja e Italisë dhe frika që i lexohej sot shumë qartë në mbledhjen e qeverisë, kanë shtyrë një vendim që herët apo vonë do të merrej. 

Puna është si dontë dalim nga kjo spirale e cila ka edhe një patologji kritike përtej sëmundshmërisë: ajo vë në krizë sistemin shëndetësor të çdo vendi përderisa mjekësia dhe shëndetësia vetë është e orientuar për nga tregu dhe kërkesat e tij dhe më pak nga planifikimi i emergjencave. 

Në media të ndryshme po dalin në dritë punime gjithfarëshe të viteve më parë për skenarë të tillë të porositur nga qeveri të ndryshme që duan të kenë plane daljeje për ekonominë që goditet shumë rëndë. 

Për momentin ky problem nuk duket në sfond në Shqipëri, sepse ekonomia këtu kontrollohet nga paligjshmëria. Problemi ynë është shëndeti dhe trajtimi i sëmundjes që ka një adresë: spitalet publike. 

Edhe pse kriza nisi në muajin dhjetor në Kinë, qeveria jonë nuk duket se bëri ndonjë përgatitje. Dikush mund të thotë se edhe Italia u kap në befasi, por ja që ne patëm më shumë kohë se vendi fqinj. Nga ana tjetër megjighë defektet, karantina në Itali bashkë me informimin kanë vënë në jetë një proces organizativ real. Duket se qeveria jonë nxjerr urdhëra, direktiva, miraton plane, por që nuk gjejnë zbatim në terren. 

Jemi gati për sfidën, kjo është deklarata që dëgjon më shpesh. Por si? Sa është kapaciteti, sa është parashikimi zyrtar për infektimin, sa përballpn logjistika ekzistuese dhe sa mund të durojë sistemi ynë në këtë kuadër? 

Ne duhet të pranojmë se më shumë sesa vetë virusi, presionin e rrit informimi në kohë reale për të, trajtimet dhe nevojat për të sëmurët që duhen futur në terapi intensive. Ne të gjithë dimë të pyesim sesa përballon spitali ynë në shtretër, në maska oksigjeni, në staf etj..Mundet të jenë pyetje naive, kryeministri mund të thotë edhe që këto pyetje i bën kazani mediati, por duhet të mbajë parasysh mirë se po bëhet fjalë për Jetën. 

Z. Rama sot shpalli gjendje lufte dhe në emër të kësaj lufte kërkoi mobilizimin e të gjithëve. Është i pavërtetë edhe në këtë aspekt. Jo për keqdashje, por për frikë. Frikën nga vetëdija se nuk është gati për këtë luftë, se reformat e shumëtrumbetuara nuk përputhen me pritmëritë, se edhe në nivel organizativ nuk ka stafet e trajnuara për sfida të tilla. Institucionet tona po kopjojnë protokollet e gatshme të OBSh-së dhe me to mbrohen duke thënë se i bëmë të gjitha. 
Mirëpo ky apel është në fakt thirrje për solidaritet me një qeveri që u kap në befasi po aq sa edhe vetë shoqëria. Kjo nuk është përgjegjësi e vogël. Sikundër nuk është përgjegjësi e vogël të mos japësh informacion. 

Sot zyrtarët e ISHP-së u shfaqën edhe vetë të pasigurtë duke u treguar të paaftë të ndajnë njohuritë e mjekut nga detyrimet e menaxherit. 

Kjo është një situatë të cilën herët apo vonë vendi do ta kalojë. Por me çfarë kostoje është pyetja? Dhe çfarë do nxirreet si mësim. 

Kemi parë kryeministrin të thotë pas çdo fatkeqësie natyrore se për atë apo për këtë gjë do duhet paguar sigurimi. Pra duhet bërë një transferim përgjegjësish dhe kërkim për zgjidhje te sektori privat. Shëndeti publik nuk mund tëë trajtohet kështu. Do të shohim gjetjen e radhës, por që tani mund të themi me bindje nisur nga përvoja e këtyre viteve: janë gërma në letër dhe para në tendera. Asgjë nuk do të ndryshojë nga një politikë që preferon prej kohësh virtualen para reales. Ndaj pyetjen duhet t’ia bëjmë vetes: Çfarë duhet të bëjmë dhe sa më shpejt madje sepse nëse coronavirusi është epidemi, qeverisjen e kemi infeksion endemik. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.