Karantina, mjet për të shmangur kolapsin e sistemit shëndetësor

Postuar në 09 Mars, 2020 13:28

 

Analiza e të dhënave është shumë e rëndësishme për të arritur te një lexim i saktë i trendit të epidemisë së virusit SARS-CoV-2. Aktualisht, të dhënat e grumbulluara janë të disponueshme për numrin e rasteve të identifikuara pozitive të rasteve me Covid-19, d.m.th. simptomatike ose të lidhura me raste të identifikuara të mëparshme, numrin e vdekjeve, numrin e pacientëve të shëruar dhe numrin e tamponëve, d.m.th. testet e kryera. Në bazë të të dhënave në dispozicion, ne kemi kryer një analizë statistikore që synon parashikimin afatshkurtër të rasteve të reja pozitive të identifikuara të Covid-19 në Itali.

Deri më tani, nuk ka qenë e mundur të analizohen vdekjet dhe rastet e shëruara, me njëfarë besimi te rezultatet, duke pasur parasysh numrin e vogël të të dhënave të regjistruara. Të dhënat nga vendet e tjera, të tilla si Kina, mund të përdoren sikur virusi të sillej në Itali si në vendet e tjera. Fatkeqësisht, nuk do të ishte realiste: në Itali, çdo person i prekur nga Covid-19 aktualisht rrezikon të infektojë rreth 2.85 persona (bazuar në të ashtuquajturin faktori R0). Këta të infektuar, nga ana e tyre do të kontribuojnë në përhapjen e virusit, duke infektuar gjithashtu midis 2 dhe 3 persona etj. Në fakt, në këtë fazë shpejtësia e transmetimit duket të jetë më e lartë në Itali sesa intervali i siguruar nga OBSH, i cili është i barabartë me 1.4-2.5.

Faktori R0, i cili është një masë e mirë e shpejtësisë së transmetimit të virusit, varet nga tendenca që ka virusi për t’u përhapur, nga kohëzgjatja e infeksionit dhe nga numri i kontakteve që ka një person. Të mos kesh një vaksinë në dispozicion dhe të mos kesh informacion të besueshëm mbi efektin e antiviralëve, dy faktorë përcaktues, për momentin, nuk janë të parashikueshëm. Por mund të ndërhyhet në përbërësin e tretë. Megjithatë, supozimi se sjelljet shoqërore në Itali janë të ngjashme me ato në Kinë, duket shumë i rrezikshëm. Pra, me të dhënat e disponueshme për momentin është e mundur vetëm të parashikohet numri i rasteve pozitive në të ardhmen. Megjithatë, me kalimin e ditëve, më në fund do të jetë e mundur të sigurohen edhe parashikime të sakta të numrit të vdekjeve dhe rasteve të shëruara.

Pra, cili është tendenca e epidemisë tani? Të dhënat e analizuara i referohen periudhës nga 20 shkurti deri në 8 mars. Modeli afatshkurtër është vërtetuar në të dhënat e deritanishme dhe numri total i rasteve të reja pozitive mund të pritet: 9 243 më 9 mars (8 700 si kufiri i poshtëm dhe 9 641 si kufiri i sipërm), 11 040 për 10 mars (10 035 kufiri i poshtëm dhe 12 100 si kufiri i sipërm), 12 847 për 11 mars (11 491 dhe 14 767).

Këto ekstreme janë një vlerësim i përafërt konservator dhe optimist, i ndjeshëm ndaj ndryshimeve për shkak të variacionit së fortë të të dhënave të grumbulluara aktualisht në dispozicion. Teknikisht, modeli i përdorur për vlerësimin e rasteve të identifikuara pozitive të Covid-19 është një regresion log-linear Binomal Negativ, në të cilin numri i tamponëve ditorë vlerësohet përmes një modeli Integer AutoRegresive (INAR). Për të dhënë një panoramë të përparimit të epidemisë, qasja e përdorur është në dy faza. Fillimisht bëhet një vlerësim i numrit të tamponëve të bërë çdo ditë, bazuar në të dhënat e ditëve të mëparshme. Më pas, duke marrë parasysh këtë sasi, përcaktohet një vlerësim i numrit të rasteve të reja pozitive të identifikuara. Modele të ndryshme statistikore u përdorën për të verifikuar qëndrueshmërinë e rezultateve, domethënë, sa të ndjeshme janë vlerësimet ndaj hipotezave të ndryshme, duke pasur parasysh informacionin e kufizuar në dispozicion.

Pasiguria dhe ndryshueshmëria e informacionit aktualisht në dispozicion e bëjnë çdo vlerësim subjekt të gabimeve të mundshme. Disponueshmëria më e madhe e të dhënave do të lejonte sigurimin e informacionit më të saktë. Në veçanti, disponueshmëria e të dhënave individuale do të lejonte një vlerësim të të infektuarve të diagnostikuar, domethënë, të atyre që preken nga Covid-19, por që ende nuk i janë nënshtruar tamponit, që do të kishte “dekretuar” prekjen prej tij. Ne besojmë, mbi bazën e vlerësimeve paraprake të të dhënave agregate, që kjo pjesë e subjekteve është e rëndësishme dhe mund të përbëjë një rrezik të mundshëm për shëndetin publik, nëse nuk identifikohet dhe diagnostikohet shpejt. Ky rrezik rritet nga shkalla e lartë e infeksionit të virusit që haset aktualisht.

Për të ulur faktorin R0, d.m.th. numrin e njerëzve që secili prej nesh mund të infektojë potencialisht, ndërhyrja e vetme e mundshme është ulja e numrit mesatar të kontakteve për person. Sa më shumë kontakte të kemi, aq më shpejt do të përhapet virusi. Nëse shpejtësia e përhapjes së virusit nuk zvogëlohet brenda një kohe të shkurtër, sistemi shëndetësor mund të hyjë në krizë, me pasoja të dukshme në shëndetin publik.

 

Shkrimi i mësipërm, i botuar në Avvenire.it, është punuar nga një grup profesorësh të univeristeteve të ndryshme italiane. Grupi "Stat-Group-19" përbëhet nga Fabio Divino (Profesor i Asociuar i Statistikave, Universiteti i Molise), Alessio Farcomeni (Profesor i plotë i Statistikave, Universiteti i Romës Tor Vergata), Giovanna Jona Lasinio (Profesor i plotë i Statistikave, Universiteti i Rome La Sapienza), Gianfranco Lovison (Profesor i plotë i Statistikave, Universiteti i Palermo), Antonello Maruotti (Profesor i plotë i Statistikave, LUMSA, Romë).

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.