Këshilli i Emërimeve në Drejtësi provokoi krizën e Gjykatës Kushtetuese

Postuar në 07 Mars, 2020 14:58

Zëri i Amerikës ka zbardhur pjesë nga opinioni paraprak i Komisionit të Venecias mbi emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Ky opinion nuk ka edhe aq interes mbi vlerësimet e asaj që ka bërë presidenti. Jo sepse Presidenti në këtë proces nuk ka rëndësi dhe nuk mundet të krijojë situata bllokuese, por për shkak se pritmëritë maksimale janë krijuar për Këshillin e Emërimeve në Drejtësi dhe atë që quhet Drejtësia e re.

Meqenëse palët kërkuan një arbitër të paanashëm si Venecia është e udhës që vlerësimet e tij të pranohen për atë që janë. Komisioni pranon se intepretimet e Kushtetutës për radhën e emërimeve për në Gjykatën Kushtetuese janë më shumë se një, por saktëson se Presidenti ka bërë interpretim të arsyeshëm nga pikëpamja kushtetuese. Konkretisht:

Ndërsa presidenti Meta emëroi një nga tre kandidatët e listës së parë të tij, ai vendosi pezullimin e emërimit të kandidatit të listës së tij të dytë. Presidenti e argumentoi këtë me faktin se Kushtetuta përcakton në nenin 179/2 se “Anëtari i parë për t’u zëvendësuar në Gjykatën Kushtetuese emërohet nga Presidenti i Republikës, i dyti zgjidhet nga Kuvendi dhe i treti emërohet nga Gjykata e Lartë. Kjo radhë ndiqet për të gjitha emërimet që do të bëhen pas hyrjes në fuqi të këtij ligji”.

Për pasojë, sipas presidentit do të duhej që parlamenti të zgjidhte kandidatin e radhës nga lista e tij e parë. Nga ana e saj, shumica këmbënguli se përcaktimi kushtetues lidhej me faktin që Gjykata rinovohet çdo tre vjet me nga tre anëtarë, dhe se kjo dispozitë, më shumë se sa rendin e emërimeve, përcakton sekuencën e të drejtës për të emëruar.

Vetë Komisioni i Venecias, bën një interpretim tjetër, sipas të cilit “rregulli kushtetues bazohet në supozimin se gjithmonë tre pozicione duhet të plotësohen në të njëjtën kohë dhe radha pra zbatohet vetëm brenda këtij raundi të emërimeve. Si pasojë, pamundësia e zgjedhjes së një anëtari nga Gjykata e Lartë, e cila vjen e fundit në çdo raund, nuk bllokon emërimet për një raund tjetër”.

…preferenca e qartë e Komisionit të Venecias për këtë interpretim, nuk do të thotë që interpretimet e tjera do të ishin të paarsyeshme. Në çdo rast, kur presidenti emëroi vetëm një kandidat, zotin Muçi, dhe më pas pezulloi procedurën e emërimit të një kandidati të dytë, ai ndoqi një interpretim, i cili nuk është i paarsyeshëm." Pezullimi i emërimit të dytë ishte i vlefshëm dhe bllokoi fillimin e periudhës 30-ditore për emërimin e dytë në mënyrë që emërimi automatik të mos realizohej.

Pra këtu kemi një lojë intepretimesh që nuk bien jashtë hapësirës kushtetuese. Në këtë kuadër është me shumë interes të vlerësohen në dritë të re të gjitha gjykimet e dhëna publikisht nga juristë pranë PS-së, të cilët në mënyrë absurde janë shprehur kategorikë për drejtësinë e qëndrimeve të PS-së. Lidhur me emërimin e zonjës Vorpsi në detyrë, Komisioni ka këtë vlerësim:

Neni i ligjit për Gjykatën Kushtetuese, nuk duket të jetë i zbatueshëm në një situatë kur është e paqartë se kur dhe nëse periudha 30-ditore fillon të funksionojë. Komisioni rekomandon që nëse mekanizmi zhbllokues për emërimet nga presidenti do të konsiderohej i domosdoshëm, ky rregull duhet të ishte ngritur në nivelin kushtetues, siç është rasti për parlamentin.

Pra zonja Vorpsi paguan këtu një paqartësi në shkrimin e dispozitave teksa i duhet me gjasë të dëgjojë këshilla dashamirëse si ajo që e çuan të postonte betimin e vet te noteri. Deri këtu jemi në duelin President – KED – Parlament, mirëpo nga analiza e bërë rezulton se prishja e rendit të gjërave ka provokuar shkelje kushtetuese për të cilat duket se kreu i shtetit ka reaguar në kushtet e veprimit shkak-pasojë dhe jo në zbatim rigoroz të dispozitave që ka në dispozicion.

Dërgimi nga ana e KED-së te Presidenti i dy listave njëkohësisht, dërgimi i listave në Parlament, 6 ditë më vonë, dhe numri i kufizuar i kandidatëve, vetëm 6 për katër vende vakante krijoi një situatë në të cilën të gjitha emërimet, përveç emërimit të zotit Muçi, ishin bërë potencialisht në një mënyrë antikushtetuese

thotë Komisioni.

Këtu pyetja shtrohet qartë te Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, një organ kushtetues i specializuar dhe kaluar në filtra. Si vallë ky organ provokon këtë situatë antikushtuese? Për cilat arsye dhe nga cilat premise KED nuk arrin të shquajë se jo vetëm po shkel kushtetutën, por po vë në proces një zinxhir shkeljesh?

Sigurisht që përgjigja është e qartë ndonëse për atë nuk ka një opinon të Venecias. KED dhe kreu i saj, Dvorani synuan kapjen e Gjykatës. Asgjë më shumë. Kundërvënia nga Presidenti – pavarësisht arsyetimeve dhe arsyeve të tij - provokoi tensionin dhe budallallëkun monumental të ligjit për betimin e anëtarëve të Gjykatës për të cilët, siç raport ZA, Komisioni sugjeropn thjesht dhe qartë se:

Dispozitat e miratuara kohët e fundit, por që ende nuk kanë hyrë në fuqi...duhet të lihen mënjanë, pasi ato duket se janë jokushtetuese

Zotit Dvorani që shfaqet para mediave si një patriark i Drejtësisë dhe i teorisë së të Drejtës, i duhet të japë një sqarim publik se përse ka bërë gjithë këto shkelje që janë të qëllimshme. Dhe si të tilla ato janë diçka më shumë sesa gabime. Dvorani përfaqëson kështu këmbën e majtë të reformës në drejtësi pas së cilës fshihet interesi për amnistinë reale që po synohet në këtë vend: atë për fshirjen, legalizimin dhe mbrojtjen e të gjithë vjedhjes që ka ndodhur gjithë këto vite. Përndryshe, cili interes mund të provokojë këtë marrëzi të paaftësh dhe njerëzish që kepërdorin besimin?

Si duhet korrigjuar situata e krijuar? Ja një pyetje për të cilën ndoshta na jep përgjigje patriarku i të Drejtës Kushtetuese, Dvorani. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.