Shantazhuesi i Europës

Postuar në 03 Mars, 2020 22:23

Turqia  e Erdoganit ka arritur të marrë një fitore përgjysmë në krizën siriane. Pas hapjes së dyerve për refugjatët të bllokuar në Turqi, delegacione, të dërguar të posaçëm dhe biseda telefonike kanë nisur të shfaqen në media. Perëndimi po i kërkon Erdoganit që të mos lejojë kalimin e refugjatëve që janë në fakt edhe pjesë e dështimit të tij politik në Siri përkundrejt Rusisë. 

Erdogan, ministri i Jashtëm Cavusoglu, kanë përsëritur: Europa duhet të ndajë përgjegjësitë për refugjatët. Tashmë është e qartë: Erdogan nuk mundet që të fitojë ushtarakisht ndaj Rusisë në Siri – së fundmi trupat e Assad u shfaqën në provincën e demilitarizuar Idlib – dhe po kërkon që nën kërcënimin e riaktivizimit të krizës së refugjatëve të vitit 2015 të zgjerojë formatin e negociatve për Sirinë duke përfshirë të paktën BE-në e me shpresë edhe ShBA-të. 

Kjo është politikë cinike e një vendi që i është nënshtruar gjimnastikës emocionale dhe ambicieve të një njeriu që befas ka kuptuar se nuk ka kapacitetet për t’i realizuar ato. 

Agjencia ruse Interfax shkruan se Ankaraja zyrtare po shtyn drejt Europës 130 mijë refugjatë, pjesa më e madhe e të cilëve janë afganë, apo iranianë, pra jo sirianë. 

Në këtë kuptim, faturën e dështimit Erdogan po ia kalon Europës që ka ndikim në Moskë, për shkak të interesave të shumta. 
Nuk dihet se çfarë mund të ndodhë, por Erdogan e di se përsëritja e një krize migratore si e vitit 2015 do destabilizonte establishmentin politik europian. Në këto kushte negociata pa një politikë për emigrimin është nënshtrim ndaj aventurave të një njeriu që është nën rrethin vicioz të politikave të veta.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.