Ndërron jetë Nexhmije Hoxha

Postuar në 26 Shkurt, 2020 19:07

Sot ka ndërruar jetë në moshën 99 vjeçare, Nexhmije Hoxha, ish-anëtare e Partisë Komuniste, Partisë së Punës, drejtuese e Institutit të Studimeve Marksiste-Leniniste, drejtuese e Frontit Demokratik të Shqipërisë. Ajo ishte bashkëshorte e Enver Hoxhës me të cilin u martua në vitin 1945.

Nexhmije Hoxha lindi më 8 shkurt të vitit 1921 në Manastir në një familje me origjinë nga Malësia e Madhe dhe që kishte jetuar për një kohë të gjatë në Dibër.

Mbiemri i saj i vajzërisë është Xhuglini dhe ajo u vendos në Tiranë në vitin 1928. Shkollën e mesme e kreu në Institutin Femëror Pedagogjik në Tiranë ku ishte bashkëkohëse e disa prej aktivisteve kryesore femra të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. 

Pas çlirimit të vendit vazhdoi me korrespondencë studimet e larta në Fakultetin Histori-Filologji, dega Gjuhë-Letërsi. Një njeri aktiv shpejt në politikë dhe lëvizjet e kohës, Xhuglini do të jetë pjesë e mbledhjes themeluese të Rinisë Komuniste të Shqipërisë më  22-23 nëntor të vitit 1941. Ndonëse nën hijen e Enver Hoxhës për të gjithë jetën, zonja Hoxha fitoi me kalimin e kohës profilin e një eminence të pushtetit, një personi me ndikim për të cilin janë përfolur shumë akuza dhe intriga. 

Në janar të vitit 1992 u arrestua me akuzën e abuzimit të fondeve dhe u dënua me 9 vjet burg, të cilat u bënë 11 kur ajo apeloi. 

E sigurtë është se kultura e saj politike, njësoj si ajo e një tjetër bashkëluftëtari, Ramiz Alia, mbeti ajo e konseguencës së paku formale në ideale dhe në mbrojtjen e tezës se lufta ishte e drejtë, por ajo pati edhe gabime. Zonja Hoxha u dëshmua edhe më konservatore sesa Alia pas ndërrimit të sistemit teksa nuk pranoi asnjëherë publikisht të korrigjonte qëndrimet, modifikonte pikëpamjet, apo të njihte krimet e sistemit. Ajo e mbrojti deri në fund, edhe në studimet e veta, bashkëshortin, të cilin e konsideronte arkitekt të Shqipërisë së Re. 

Është e vështirë të rindërtosh një profil realist të zonjës Hoxha. Në dallim nga shumë femra të jetës publike shqiptare, ajo diti të ishte në qendër të vëmendjes me rezervimim e vet, me një profil prej intelektualeje që kërkoi në leximet e veta edhe pas rrëzimit të sistemit komunist, materiale  filozofike në mbështetje të pikëpamjeve të veta. 

Bashkë me Fiqrete Shehun, ajo ishte politikane, siç do të shprehej pak vjet më parë një pjesëtar i ish Bllokut, Spartak Ngjela. 
Përherë me etikë në komunikim, e thjeshtë në maksimum në aparencë, me syzet e saj të mëdha, thuajse të pandara nga daljet publike, Hoxha erdhi dhe stilizoi si padashur një lloj ikone të gjallë të sistemit që kaloi. 

Ajo tentoi parreshtur të arsyetojë krimet e regjimit të shkuar, aktet politike të bashkëshortit të saj, duke u dhënë pamje racionale disa vendimeve që sot duken krejt iracionale dhe atu e një ekipi kriminal. Ajo hodhi poshtë edhe kërkesën për të rishikuar diçka në procesin ndaj Mehmet Shehut, duke iu përmbajtur tezës zyrtare se ai ishte një poliagjent i shërbimeve të huaja. 

Nga kjo pikëpamje është interesante të vihet në dukje se ajo e kreu luftën e vet për mbrojtjen e veprës së bashkëshortit, duke qëndruar në të njëjtën linjë ideologjike me të dhe duke respektuar e patundur çdo akt të tij. 

Është thuajse e pamundur të  ndash nëse kemi të bëjmë me fanatizëm apo një qëndrim të kalkuluar politik që synon stabilizimin e një versioni të historisë për një nga periudhat më me ndikim në historinë  e shqiptarëve. 

Ajo ishe enveristja e fundit e brezit të luftës, që si shumë prej njerëzve me pushtet të madh lë pas të panjohura, merr me vete mistere që vështirë se do të zgjidhen ndonjëherë dhe që me gjasë çliron nga pengjet shumëkënd në këtë vend. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.