Akomodues i interesave serbe

Postuar në 26 Shkurt, 2020 22:20

Kryeministri Edi Rama ka folur në Real-Story për akuzën që bëhet se ai favorizoi ndarjen e Kosovës. Duke akuzuar një segment të politikës dhe medias se kanë helmuar opinionin me një gjë të paqenë, z. Rama argumentoi se ndarja e Kosovës nuk ka qenë asnjëherë pjesë e axhendës së tij. Mirëpo ka qenë vetë kryeministri i Shqipërisë që ndër të tjera ka gjetur shembullin e gabuar për të mbrojtur veten: 

Në momentin kur Serbia do të ulet në pikën fundore të rrugëtimit të dialogut për të materializuar njohjen do të duhet të përcaktojnë kufirin kjo është e qartë. Mali i Zi e njohu Kosovën por diskutimi për demarkacionin zgjati prej vitesh

Pra në fillim njohja, mandej delimitimi. Zoti Rama dhe Hashim Thaçi mbështetën tezën serbe: në fillim shkëmbimi i territoreve pastaj njohja. Pse nuk u vendos në tryezë i njëjti proces edhe për Kosovën? 

Ja një pyetje të cilës sot z. Rama nuk i jep dot përgjigje, por i ka dhënë një vit më parë. Gjatë një interviste në Tv Klan, z. Rama mbronte idenë e korrigjimit të kufijve pa njohje nga Serbia të Kosovës, duke imponuar një proces krejt të pabarabartë nga pikëpamje juridike teksa një shtet negocion me një entitet që nuk e njeh për territorin. 

Nga ana tjetër, këshilltari dhe miku i z. Rama, Baton Haxhiu u shfaq me një shkop në dorë mbi hartë duke treguar çfarë merrte Serbia e çfarë Kosova, çka dëshmon se nuk kemi të bëjmë me korrigjim, por shkëmbim. Po kështu z. Rama harron se në fakt Serbia e njeh kufirin e Kosovës sipas përcaktimit të Rezolutës 1244 të OKB-së. Ajo thjesht nuk ka njohur Kosovën si shtet. Ndaj çdo diskutim për kufirin pa njohjen është negociim për ndarje. 

Projektet rajonale që janë mbështetur nga z. Rama kanë patur përherë një vulë interesash serbe, në kuptimin se këto të fundit akomodohen shumë mirë në çdo propozim të Tiranës zyrtare nën pretekstin se duhet shfrytëzuar rasti që në Beograd është një njeri si Vuçiç me të cilin mund të merresh vesh. Kjo është politikë mashtruese, pasi Serbia vërtet është fuqia kryesore në rajon, por pikërisht për këtë arsye ajo edhe ka kostot më të mëdha nga çfarëdo aventure. Dhe forca e saj e supozuar nuk tremb më askënd. 

Zoti Rama po luan me efektin e konferencës së donatorëve dhe suksesin mediatik të drejtimit të OSBE-së për të riparuar dëmet në imazhin e vet, me një përpjekje paradoksale kur teksa flet nga Moska ku propozon zgjidhje për Donbasin, nuk është në gjendje të sqarojë në shqip shqiptarët se çfarë fshihet pas idesë së kufijve mes Serbisë dhe Kosovës. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.