Çështja është ta dojë edhe Europa Edi Ramën...pa filtra

Postuar në 22 Shkurt, 2020 12:53

Nuk e ka fajin Shqipëria, as qeveria. E ka fajin Europa, më saktë një pjesë e saj. Kështu deklaroi kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij në konferencën “Një kontinent një e ardhme”. Sipas z. Rama rregullat nuk zbatohen për më të vegjlit.

Në çdo moment kur 1-2-3 vende kanë problemet e tyre, kanë dinamikat e tyre faktike dhe duan të thonë ‘jo’, ato e kanë mundësinë që të gjejnë pretekste, duke i drejtuar gishtin vendeve që u thonë ‘Jo’ për shkak të problemeve që kanë ata. Ne e dimë shumë mirë se ata kanë problemet e tyre…

Duket se janë të mira qoftë për vendet dhe për komisionin dhe për Unionin. E ndoshta do ta bëjnë procesin shumë më të qartë e shumë më të drejtë. Dimë që ‘djalli fshihet tek detajet’ dhe përvoja na ka treguar se për më të vegjlit e më të dobëtit, rregullat nuk janë asnjëherë të respektuara dhe për të ‘fortit’ ka gjithmonë një rrugë

tha ndër të tjera Rama.

Një pohim që vjen në kohën kur pritet një po, ose një jo për negociatat. Një pohim ky që ka brenda vetes një dozë të madhe hipokrizie. Pak ditë më parë z. Rama shpalli se Europa nuk e ka braktisur Shqipërinë kur lëvroi paratë për rindërtimin. Dhe në vazhdimësi ai i mbron nismat e veta më të diskutueshme me etiketat BE dhe SHBA. Ambasadorët e BE-së në Tiranë janë bërë si zëdhënës qeverie duke harruar se janë këtu për tjetër gjë. 

Pra lojën “i madhi i vogli” z. Rama e preferon dhe e aplikon vetë përherë për të mbyllur problemet e veta ndërsa sot ankohet nga Hollanda dhe ndonjë vend tjetër. Një kryeministër që udhëhiqet nga premise morale të forta as do ta lypte këtë farë suksesi të invalidizuar që është hapja e negociatave, qoftë edhe për të dëshmuar se Europa nuk është vetmja rrugë siç na gënjejnë sot. Dhe nuk është e tillë pasi edhe në Europë, BE-ja nuk preferohet 100%.

Edhe komunizmi u shpall e vetmja rrugë, por koha e përgënjeshtroi.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.