A është e ligjshme qenia e znj. Natasha Mulaj në krye të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit?

Postuar në 21 Shkurt, 2020 12:33

Kryetarja e Kolegjit të Posacëm të Apelimit, Natasha Mulaj, në momentin e kandidimit dhe përzgjedhjes së saj si gjyqtare në këtë organ të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve nuk plotësonte kushtet për t’u zgjedhur. Më poshtë disa të dhëna elementare që e provojnë një gjë të tillë.  

Së pari, kryetares së KPA i mungonte eksperienca 15 vjeçare si gjyqtare, prokurore, avokate, profesore e së drejtës, nëpunëse e shërbimit civil në nivel drejtues, ose në një përvojë të njohur në fushën e së drejtës administrative ose sfera të tjera të së drejtës. Gjithashtu, znj. Mulaj, sipas deklarimeve të vetë saj në formularin e aplikimit për të qenë pjesë e KPA ka pasur statusin e gjyqtares, i cili përbën ndalim kushtetues dhe ligjor për përzgjedhjen e kandidatit në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit.

Redaksia e “ResPublica” ka arritur të sigurojë edhe formularin e aplikimit për në KPA të Mulaj-t në të cilin ajo deklaron se:

Edhe sot që shkruaj statusi im është ai i gjyqtares…Kërkesat e mia pranë KLD kanë qenë të shumta cdo mbledhje, por nuk u bë e mundur rifutja edhe një herë në detyrën e gjyqtares….2013-2017 e papunë. Kam bërë kërkesa të ndryshme pranë KLD-së por shumë e vështirë për tu emëruar si gjyqtare. Duke i plotësuar gjitha kriteret morale dhe profesionale jam lënë padrejtësisht pa punë

Thjesht ky deklarim do të duhej ta skualifikonte znj. Mulaj nga gara për gjyqtare të KPA për shkak të ndalimit kushtetues dhe ligjor, për zgjedhjen gjyqtar në Kolegjin e Apelimit të shtetasit që ka qenë gjyqtar gjatë dy viteve të fundit përpara kandidimit. Nëse ky deklarim do të konsiderohej i pavërtetë, atëherë znj. Mulaj do të duhej të skualifikohej për deklarime të pavërteta. Por arsyet e pazgjedhshmërisë së znj. Mulaj në KPA nuk mbyllen me kaq.

Kryetarja e KPA ka deklaruar në formular se ka punuar në të gjithë periudhën 2000-2007 si gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tropojë, por në fakt ajo ka punuar aty vetëm për një periudhë dy vjet e katër muaj. “ResPublica” ka siguruar procesverbalin e mbledhjes së Këshillit të Lartë të Drejtësisë, të datës 3.04.2015 me objekt “Për shyrtimin e kandidaturave për emrërim si inspektor”, ku një nga kandidatet për këtë pozicion ishte edhe znj. Mulaj, në të cilën vendoset se:

Natasha Mulaj- për të cilën nuk ka të dhëna se ku punon aktualisht. Ajo e ka paraqitur kërkesën më 23.10.2014, brenda afatit. Ajo ka punuar 2 vjet e 4 muaj gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tropojë (referuar vërtetimit datë 28.05.2013 të Gjykatës së Rrethit Tropojë) dhe 7 vjet ndihmës gjyqtare (sipas fotokopjes së librezës së punës). Në këto kushte kjo kandidaturë nuk plotëson kriterin e përvojës në detyrën e gjyqtarit

 

Por çfarë ka deklaruar znj. Mulaj më konkretisht për përvojën e saj si gjyqtare?

Për periudhën 2002-2007 unë nuk jam paguar si gjyqtare pasi për arsye objektive të miat kam qenë me leje (1 vit e gjysëm) nga KLD, por statusi im si gjyqtar ka qenë status pasiv

Pra, nëse përllogarisin periudhën e saj nga viti 2000 e në vazhdim ajo ka eksperiencë pune vetëm 7 vjet 8 muaj e 23 ditë. Në këtë periudhë nuk mund të përfshijmë edhe punën e saj si ndihmësgjyqtare në gjykatën e Tropojës, profesion ky nuk përfshihet në kategorinë e profesioneve që llogariten sipas Kushtetutës për të përcaktuar vjetërsinë e kërkuar për anëtërë e institucionit të rivlerësimit, pra ajo nuk e plotëson kushtin prej 15 vitesh përvojë pune. Por edhe sikur ta përfshijmë edhe këtë pozicion, pra sikur të përfshihet profesioni i ndihmës gjyqtares në Tropoje eksperienca e punës së znj. Natasha Mulaj përsëri del se është 14 vite 9 muaj e 12 ditë. Pra sërish nuk i përmbush kushtet e kërkuara. Si u miratua atëherë kandidatura e saj dhe më tej, mbi ç’kritere u miratua zgjedhja e saj në krye të një organi që bën rivlerësim të gjyqtarëve?

Comments

Submitted by sokol (not verified) on

Drejtesi e dhjere... keto palo komisionere jane delegjitimuar me kohe! E turpshme qe shkaterruan tere sistemin nen urdhrat e KM. E gjithe kjo situate kaotike per shkak se vendi eshte pa Gjykate kushtetuese... dhe kjo ishte e planifikuar qe ne krye te heres, te kesaj paloreforme! Kjo zonja me vellezer me precedente penale dhe pasuri te vena ne rruge te paligjshme dhe krimonale te hetoje gjyqtaret dhe prokuroret per pasuri dhe figure!!! po ku eshte pare kjo? E frikshme dhe monstruoze...

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.