Drejt emergjencës politike

Postuar në 19 Shkurt, 2020 22:36

Presidenti i Republikës, Ilir Meta ia ka dalë të çakërdisë shumicën qeverisëse me besëlidhjen e thirrur prej tij më mars. Lajmet dhe opinionet kanë qenë të furishme dhe nisin që nga lajthitja si shkak i deklarimeve për protestë, te shkelja e Kushtetutës, te mosmarrja seriozisht e deri te përpjekja për ta lexuar qëndrimin e Presidentit si të shkëputur nga ekipi drejtues i Partisë Demokratike. Në fakt, kryetari i PD-së, Lulzim Basha deklaronte dje përmes një videoje të shpërndarë edhe në Facebook e tij se:

Ndryshimi dhe rotacioni janë të pashmangshëm. Unë mbetem i përkushtuar që këtë proces ta përfundoj me mjete politike, për hir të vendit, për hir të stabilitetit. Do të bëj gjithçka që rotacioni të vijë me koston më të vogël për shqiptarët. Bashkimi ynë do të jetë i madh dhe i pandalshëm

Ky mesazh i Bashës është në thelb një mënyrë e tij për ta rifaktorizuar veten dhe partinë në kutitë e votimit, atje ku edhe ka humbur më shumë. Mirëpo sa do të arrijë z. Basha të imponojë këtë mënyrë veprimi përkundrejt një pjese të opozitës që mendon ndryshe? Edhe mentori i tij i deritanishëm, Sali Berisha, ka përsëritur këto kohë se Edi Rama largohet nga pushteti vetëm me revolucion.

Ideja ka arsye politike për t’u rifaktorizuar. Shqipëria sapo përfitoi financime masive nga donatorë të huaj për përballimin e dëmeve nga tërmeti dhe në thelb faza e emergjencës ka mbaruar. Në këtë kuptim, opozita, atipike në rastin e tanishëm sepse aksioni kryesor i saj drejtohet nga Presidenti i Republikës, po njofton vijimin e axhendës së saj të ndërprerë nga tërmeti. Protestat i paraprijnë samitit të majit ku pritet që Shqipëria të marrë një dritë jeshile për negociatat, çka nëse ndodh do të legjitimonte një status të Shqipërisë politike të cilin ne si qytetarë nuk e shohim.

Në këtë kuptim protesta e Presidentit, me tonin si është komunikuar, duket se është masë politike për të prishur festën e mazhorancës, por edhe për ta deklaruar Shqipërinë në kushtet e një përplasjeje civile.  Vetë dalja në rrugë e Presidentit përuron statusin e një krize kushtetuese që nuk mund të injorohet, pasi kemi të bëjmë me një kundërvënie të disa institucioneve kundër disa të tjerave, të gjitha të dala nga vota. Konsensusi i përfaqësimit në raportet shumicë-pakicë është cenuar në kushtin bazë të bashkëjetesës demokratike, ndaj logjika e kërkon që po luhet me kartën e imponimit të një zgjidhjeje politike që mund të përfshijë edhe rishikimin e strukturës së Republikës.

Zoti Meta ka folur për grusht shteti dhe në të vërtetë reforma në drejtësi është më shumë një instrument në duart e pushtetit të sotshëm për të mbuluar gjithçka është bërë në këto vite. Nga një pikëpamje pushteti dhe force, angazhimi i Presidentit ka legjitimitetin e vet, por prova e forcës do argumentuar që të gjejë një lloj konsensusi. Hierarkia e protagonistëve të opozitës në këtë rast ndryshon nga protestat e drejtuara nga z. Basha pak muaj më parë dhe këtu meriton vëmendje qoftë vlerësimi i ideve organizative që mund të ketë z. Meta, qoftë objektivi i tij. Grushti i shtetit siç artikulohet nga Presidenti ka ndodhur në kushtet kur për një pjesë qytetarësh shpresa se ky vend mund të kthehet në normalitet ka humbur dhe ku politika është e keqja e madhe. Por z. Meta dhe një pjesë e PD-së mund të angazhojnë një masë të konsiderueshme militantësh që në çdo rast mund të provokojnë klimë të ndezur dhe të vënë në pikëpyetje aftësinë e qeverisë për të menaxhuar situatën si normale.

Në çdo rast, protestat e forta do të krijojnë kosto për imazhin e vendit dhe është shumë e vështirë që faktori ndërkombëtar të pozicionohet i gjithi dhe në bllok kundër tyre pa sugjeruar një zgjidhje politike. Kjo për arsyen e thjeshtë sepse kostoja dhe ndikimi I tyre është cenuar me qëndrimet e njëanshme, por edhe sepse kriza ka përgjegjësi të dyfishta. Vetëm sot PD-ja njoftonte se po heton për një kryebashkiak që mendohet se është dënuar për vrasje. Si mund të kalojë çdo rast inkriminimi zyrtarësh të zgjedhur si aksident burokratik në një vend që drejton OSBE-në?!

Mbetet për t’u parë se nga do të anojë peshorja dhe sa do të ketë vullnet opozita e z. Meta të çojë përpara një protestë që dikton zgjidhje politike. Reagimi ligjor dhe kushtetues ndaj kësaj që po ndodh është në fakt ftesë e hapur dhe provokacion i Presidentit që të formalizohet shkarkimi i tij nga Parlamenti për ta zyrtarizuar kështu kauzën politike që po shpreson Ilir Meta: mbrojtjen e Republikës dhe Parlamentarizmit. Çdo akt ligjor ndaj tij në këtë moment do të ishte politik dhe jo penal. Duke neutralizuar kështu një frikë që i luhet Metës prej kohësh me idenë e burgut për korrupsion. Është një shah që sapo ka rinisur.

s.zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.