Dëbimi i gylenistëve, Ballanca: U shkelën procedurat

Postuar në 16 Shkurt, 2020 18:33

 

Dëbimi i turkut, Harun Çelik, nga autoritetet shqiptare në ditën e parë të 2020-s, për Avokatin e Popullit është shkelje flagrante e të drejtave të njeriut. Erinda Ballanca, kreu i këtij institucioni, thotë së policia gaboi me dorëzimin e tij, duke mos i lënë hapësira dhe mundësi për ankimim. Ballanca në një intervistë për TVT-në thotë se institucioni që ajo drejton ka listuar të gjitha shkeljet e shetit shqiptar, mbi procedurën e ndjekur për ekstradimin e Çelik.

Erinda Ballanca, Avokate e Popullit: “Brenda të njëjtës ditë, rezulton e çuditshme, që ky shteti shqiptar ka kryer ditë pushimi, 15 veprime proceduriale, akte dëbimi në përmbajtjen e vet në gjuhën angleze, e cila është një gjuhë e detyrueshme që duhet t’i komunikohet individit, nuk përmban faktin se individi do të largohet menjëherë nga territori i Shqipërisë. Nuk ka urdhër dhe nuk ka ekzistuar aspak dhe as pretenduar nga qeveria se për këta individë ne ishim në kushtet e dëbimit të menjëhershëm”.

Shqetësimet dhe ankesat në adresë të Avokatit të Popullit, për cenim dhe shkeljeve të të drejtave të njeriut janë të larta. Ndaj rekomandimet nga ana e këtij intitucioni për autoritetet në vend, po ashtu kanë qenë të shumta. Shkelje, tregon për TVT-në, Erinda Ballanca ka pasur nëpër komisariate, gjatë momentit të shoqërimit të të ndaluarve dhe në dhomat e paraburgimit.

Erinda Ballanca, Avokate e Popullit: “Situata dhe gjendja e kushteve të paraburgimit është tërësisht e papërshtatshme dhe është në limitet e të qenit trajtim çnjerëzor për sa i përket kushteve fizike të dhomave të sigurimit nëpër komisariatet e vendit. Kushtet e paraburgimit janë në kufi të çnjerëzores. E pajustifikuar nga ana e shteteve mungesa e kushteve për të garantuar një trajtim njerëzor të personit brenda policisë. Prokuroritë kanë ndjekur disa taktika jo të drejta, të cilat kanë çuar në mos-hetimin në kohë të akteve të dhunës. Kjo sepse, për shka se nëse ka pasur ndonjë pretendim dhune, dhuna është hetuar në të njëjtin rast me çështjen penale për të cilin akuzohet individi”.

Për shkeljet dhe procedurën e ndjekur për dëbimin e gylenistëve, Avokati i Popullit po përgatit raport, ndërsa pritet ta publikojë së shpejti. Por deri më tani, qeveria shqiptare nuk ka dhënë asnjë shifër se sa është numri në Shqipëri i gylenistëve, për të cilët Turqia kërkon ekstradimin. Pak ditë më parë, ministri turk Çavoshogllu kërkoi zyrtarisht dorëzimin e gjithë gylenistëve, duke firmosur me homologun shqiptar edhe një marrëveshje bashkëpunimi kundër terrorizmit. Vitet e fundit, marrëdhëniet e qeverisë "Rama" me presidenti Erdogan janë cilësuar si vëllazërore, madje publikimet e ditëve të fundit bëjnë fjalë për marrjen e një avioni të posaçëm nga Turqia, për udhëtimet zyrtare të kryeministrit Rama.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.