Pas Jo-së së Kosovës, Tirana zyrtare duhet të sqarojë qëndrimin e vet për Minishengenin Ballkanik

Postuar në 13 Shkurt, 2020 14:21

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar pas vizitës në Shqiëpri se projekti I Minishengenit ballkanik është në funksion të interesit serb dhe rus në Ballkan. Në një intervistë për KTV, Kurti ndër të tjera ka thënë:

Në formimin tim politik, historia është e rëndësishme. Para më shumë se sa një shekulli, Rusia cariste ka krijuar aleanca për të shkatërruar dy perandori dhe ia ka dalë. Pas një shekulli, ne duhet të krijojmë një aleancë. Shqiptarët janë në epiqendër, në njërën anë kanë kroatët, e Bullgarët, por edhe Sarajevën e Podgoricën. Nëse e vëreni hartën e tendencave sidomos në hartën e Ballkanit kemi për një partneritet të tillë, por që nuk mund të fillojë me Serbinë. Më duhet të jem i sinqertë se Minishengeni Ballkanik nuk është realitet, më shumë është ide se sa projekt. Për të bashkëpunuar gjashtë vendet e rajonit ne kemi kornizën e Procesit të Berlinit. Në këtë kuptim edhe nuk ka ndonjë gjë të re.

Minishengeni ballkanik ka rreziqet e veta, kam thënë se ai paraqet Jugosllavinë e katërt, të cilën Serbia e do, kjo është intenca e Beogradit. Duhet të jemi shumë të kujdesshëm, pasi ka rreziqe përtej atyre buzëqeshjeve. Mendoj se ka qenë shumë më i relaksuar para dy viteve se sa që ka qenë sot, e sot Rama është më i vëmendshëm se sa që ishte para një viti. Intencat e Serbisë që po i shohim sërish në Mal të Zi, janë evidente

Kjo është pra një Jo e Kosovës për të marrë pjesë në këtë nismë, e cila ka deri më tani vetëm dy takime të zhvilluara.

Presioni i kësaj Jo-je patjetër që bie më shumë mbi Tiranën zyrtare dhe kryeministrin Edi Rama që e propagandoi atë si nismë që mbështetet në liritë europiane dhe i shërben integrimit. Por me refuzimin e Prishtinës zyrtare dhe indiferencën e Malit të Zi, është e qartë se nisma reduktohet në një pakt trilateral pa fuqinë e bashkëpunimit rajonal dhe që i nënvendoset pa sens Procesit të Berlinit.

Ndaj refuzimi i Kosovës dikton një qëndrim nga Tirana zyrtare, pra nëse ajo vazhdon të qëndrojë në këtë nismë, apo tërhiqet prej saj për shkak të dështimit.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.