Detyrë e posaçme nga Ekzekutivi: Drejtësia të Veprojë, pastaj të Funksionojë

Postuar në 12 Shkurt, 2020 13:55

Kryeministri i vendit, Edi Rama, ka paraqitur sot në atë që vazhdon të quhet Parlament, një lloj vizioni të vetin për mënyrën sesi duhet të Veprojë Drejtësia në këtë vend. Duke folur për fuqitë që I jepen Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, zoti Rama ndër të tjera tha:

Sot i vjen fundi pafuqisë ligjore për të reaguar në mënyrë urgjente ndaj të gjithë atyre që do të përdorin. Sot i japim fuqi të re ILD duke i dhënë mundësi inspektorit të lartë të drejtësisë të reagojë në mënyrë të menjëhershme ndaj vendimeve kriminale të gjykatëseve duke kërkuar brenda 3 ditësh pezullimin e tyre nga detyra.

Sot i japim ILD, KLP, KLD instrumentin e pezullimit të menjëhershëm duke i hapur rrugë fillimit të menjëhershëm të hetimeve për gjykatësit në fjalë.  Nuk mund të ketë një lojë si macja me miun ku hajdutët bërtasin kapni hajdutin dhe kriminelët bërtasin kapni kriminelin, ku publiku nuk di çfarë të besojë. E kemi tronditur krimin e organizuar me ofensivën e operacionit forca e ligjit.

E di mirë që në studio televizive ka njerëz të krimit të organizuar për të bërë avokatin e krimit të organizuar. Për të relativizuar aktet e njerëzve që kanë vënë pasuri duke vrarë, për njerëz që kanë shfrytëzuar barbarisht vajza të familjeve të varfra duke i çuar në rrugët e prostitucionit, për njerëz që kanë helmuar gjakun e të rinjve duke futur drogë dhe që kanë marrë pjesë intensivisht në rrjete e trafikut ndërkombëtar e që janë të dënuar nga drejtësia ndërkombëtare dhe ajo e lodhur shqiptare

Është patjetër e qartë dhe e thjeshtë të kuptohet se kryeministri ose po gënjen, ose nuk e ka vrarë mendjen të lexojë ndonjë rresht të ligjeve dhe Kushtetutës. Në kuadrin ligjor shqiptar nuk ka mungesa kompetencash, por mosushtrim të tyre. Edhe Komisioni i Venecias, në opinionin e vet për draftin fillestar të Reformës në Drejtësi vlerësonte se Kushtetuta shqiptare ishte ndër më modernet, por nuk ndaloi dot krijimin e korporatizmit në drejtësi.

Nga kjo pikëpamje, kriza e këtij vendi konsiston në moszbatim të ligjit dhe jo mungesë të tij. Dhe një nga shkaqet e kësaj është padyshim ndërhyrja e politikës. Zoti Rama bën sikur harron, por ai është autor i një atentati ndaj Kushtetutës kryer me dyer të mbyllura.

Më tej akoma, ai nuk është në gjendje sot të shpjegojë se përse p.sh padinë e partisë së tij për Marrëveshjen Detare e dërgoi në një Gjykatë që ja miratoi atë, kurse më pas e cilësoi këtë gjykatë si të kapur?

Qëndrimi me dy standarde është normë e kësaj qeverie. Këtë e dimë dhe e provojmë të gjithë. Ajo që është shqetësuese është shpejtësia dhe lehtësia me të cilën z. Rama asgjëson ekuilibrat kushtetues që janë arritur deri më tani. Në emër të interesave afatshkurtra kalohet nga parimi për Funksionimin e Drejtësisë në imperativin e Veprimit të saj. Mirëpo drejtësia kërkon një palë që ankohet, që padit korrupsionin, krimin e organizuar etj.. Ne nuk I shohim që këto të kenë ndodhur dhe nuk kemi parë që qeveria të shqetësohet për mbushjen e Parlamentit me njerëz me rekorde kriminale.

Por pushteti ka përherë iniciativën e propagandimit sepse merr vendime. Ndaj qëndrimet e djeshme janë harruar për të pompuar nevojat e sotme. Të cilat po çojnë në greminë një vend të tërë. shihni sesi e lexon dhe interepreton z. Rama rolin e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë. E cilëson atë si instrumentin e goditjes së krimit dhe gjykatësve kriminalë.

Kushtetuta parashikon dispozita të qartë për Inspektorin. Ja se çfarë thotë ajo:

1. Inspektori i Lartë i Drejtësisë është përgjegjës për verifikimin e ankesave, hetimin me nismë të shkeljeve dhe fillimin e procedimit disiplinor ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve të të gjitha niveleve, anëtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor, anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe të Prokurorit të Përgjithshëm, sipas procedurës së përcaktuar me ligj.

2. Inspektori i Lartë i Drejtësisë është përgjegjës edhe për inspektimin institucional të gjykatave dhe të zyrave të prokurorisë

Ja sesi e shikon atë kryeministri përmes ligjeve që miraton në Kuvend:

Sot i japim fuqi të re ILD duke i dhënë mundësi inspektorit të lartë të drejtësisë të reagojë në mënyrë të menjëhershme ndaj vendimeve kriminale të gjykatëseve duke kërkuar brenda 3 ditësh pezullimin e tyre nga detyra. Sot i japim ILD, KLP, KLD instrumentin e pezullimit të menjëhershëm duke i hapur rrugë fillimit të menjëhershëm të hetimeve për gjykatësit në fjalë

Si do përputhen këto të dyja? Si do harmonizohet rregullimi kushtetues me ligjet me frymë operative që dikton z. Rama, apo që i imagjinon ai?

Mesa duket një gjë e tillë pak i intereson kryeministrit që po do me çdo kusht të mbajë gjallë frymën revolucionare kundër krimit të organizuar. Është një shaka e rrezikshme e cila I vendos objektiva pune një organi që funksionon me Kushtetutë dhe jo në funksion të humorit të Ekzekutivit. Nesër fatura do të jetë e këtij të fundit, ndonëse siç është nisur z. Rama po do të marrë me vete në greminë mbarë vendin.

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

kjo na kujton ate tregimin e Shollohovit me cifligarin qe i zboi te gjithe nga fshati!

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.